Ndërlidhjet

Hetimet largojnë atmosferën e dyshimit


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi
Misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë do të ketë mundësi më të madhe se sa ndonjë mekanizëm i Kombeve të Bashkuara për të hetuar akuzat e për trafikim me organe njerëzore që dalin nga raporti i Dik Martit, thanë përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë e Serbi. Vlerësimet e tyre pasojnë krijimin e një Task-force të EULEX-it, e cila, me seli në Bruksel, do të hetojë akuzat e zviceranit Marti


Përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Prishtinë e Beograd thonë se krijimi i Task-forcës së EULEX-it për hetimin e akuzave që dalin nga raporti i Dik Martit vjen si kundërpërgjigje e Bashkimit Evropian ndaj kërkesës serbe që me këtë çështje të merret një mekanizëm i Kombeve të Bashkuara.

Megjithatë, vlerësime të ndryshme jepen kur bëhet fjalë për kapacitetin dhe rolin e Task-forcës evropiane, e cila do t’i hetojë akuzat e raportit të zviceranit Marti lidhur me "trafikim të organeve nga pjesëtarë të UÇK-së në Kosovë", gjatë periudhës së vitit 1999.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi, Sonja Biserko, i tha Radios Evropa e Lirë se kryesimi i hetimit nga një mision evropian është i rëndësishëm, ngase siç tha ajo, misioni i OKB-së në Kosovë nuk do të mund ta zbatonte këtë detyrë.

Sonja Biserko
“Kombet e Bashkuara do të ishin më pak kredibile për të përmbushur një detyrë të tillë, sepse UNMIK-u në Kosovë është i pranishëm vetëm në veri. Trafikimi, nëse ka ndodhur, nuk ka ndodhur në veri, por ndërlidhet me një rrjet ndërkombëtar që vepron në tërë botën. Pra, është një problem ndërkombëtar, i cili duhet të trajtohet nga Task-forca të tilla si kjo e EULEX-it, e posaçërisht kur dihet se çështja e trafikimit me organe njerëzore është politizuar tashmë në komunikimin ndërmjet Prishtinës e Beogradit”, u shpreh Biserko.

Kërkesa për hetimin e akuzave për trafikim me organe njerëzore i ishte drejtuar EULEX-it, në fund të janarit të këtij viti, përmes një rezolute të cilën e miratoi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, u shpreh pesimist për rezultatet eventuale të hetimeve për shkak të faktorit “kohë”, i cili, sipas tij, pamundëson gjetjen e gjurmëve në rast se është bërë trafikim me organe njerëzore.

Shala shfaqi dyshimin se Task-forca mund të përdoret në të ardhmen si mjet politik i BE-së ndaj kryeministrit, Hashim Thaçi, emri i të cilit, po ashtu, apostrofohet në raportin e Martit.
Kjo do të shërbejë më tepër si një Task-forcë për presione politike...

“Kjo do të shërbejë më tepër si një Task-forcë për presione politike se sa një Task-forcë, që vërtet është plasuar që të zbulojë se çfarë ka ndodhur me fatin e personave të zhdukur, që pastaj janë transferuar në Shqipëri-të personave serbë dhe shqiptarë e për të cilët flitet se u janë marrë organet për tregti”, tha Shala.

Përveç akuzave për trafikim me organe njerëzore, hetimi i Task-forcës së EULEX-it thuhet se do të përfshijë edhe akuzat për rrëmbime, zhdukje, ekzekutime dhe krime të tjera serioze.

Biserko theksoi rëndësinë që, sa më parë, të zbardhen këto akuza.

“Mendoj se është jashtëzakonisht e rëndësishme të vazhdojë hetimi në mënyrë të duhur për të zvogëluar atmosferën e dyshimit në të dy anët”, theksoi Biserko.

Raporti i Dik Martit ishte publikuar në kohën kur po përgatitej nisja e bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Autoritetet kosovare dhe ato të shtetit shqiptar ishin distancuar nga ky dokument, ndërsa kishin ofruar bashkëpunimin për të zbardhur akuzat e bëra në të.

Beogradi zyrtar, ndërkohë, kërkonte një hetim të kryesuar nga Kombet e Bashkuara.

Lexoni edhe këtë:
Hetimet nga BE, hap drejt drejtësisë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG