Çështja nëse duhet folur ose jo me talibanët, është bërë pika më përçarëse ndërmjet afganëve.
Ajo është shndërruar në një buton të nxehtë, që kur presidenti Hamid Karzai themeloi Këshillin e Lartë të Paqes, në muajin shtator, për t’i sjellë talibanët në tryezën e negociatave.
Zbulimi i nëntorit, që tregoi se zyrtarët afganë e edhe ata të NATO-s kishin rënë pre e një mashtruesi, duke menduar se po flisnin me një lider të nivelit të lartë të talibanëve, nuk u mor vetëm si mashtrim i aleatëve. Por, u pa edhe si një masë e intensitetit të nxitur nga negociatat e tyre. Sipas disa raporteve të mediave, mashtruesi doli të jetë një tregtar, ndërsa sipas disa të tjerave, një spiun pakistanez.
Muajin e kaluar, tensionet nëse duhet ose jo të flitet me talibanët u zbrazën në rrugët e Kabulit. Më shumë s e 10 mijë njerëz u mblodhën për të kundërshtuar edhe ripajtimin me militantët, e edhe përfshirjen e Pakistanit në çfarëdo marrëveshje paqësore.
Në tubimin e organizuar nga ish-drejtori i shërbimit informativ, Amrullah Saleh, në të cilin mori pjesë edhe ish-kandidati për president, Abdullah Abdullah, iu kërkua komunitetit ndërkombëtar që të mos e mbështesin Karzain në arritjen e paqes me talibanët.
“Arritja e marrëveshjes” është një akuzë që qeveria e hedh poshtë. Por, po ashtu për të edhe flitet lehtë, meqë kanë kaluar muaj pa u thënë asnjë fjalë se me cilin grup po flet Këshilli i Lartë i Paqes.
Këtë javë, Radio Afganistani i Lirë, ftoi organizatorin e tubimit, Salehun, edhe sekretarin e Këshillit të Lartë të Paqes, Masum Sanikzai, për të marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët mbi politikën afgane. Biseda ofroi një mundësi të rrallë për kritikun e fuqishëm të bisedimeve të paqes dhe ithtarin e fuqishëm të tyre, që publikisht t’i ballafaqojnë qëndrimet e tyre.
Salehu, që njihet si lider në ngritje i opozitës, tha se e kundërshton fuqishëm Karzain kur u referohet talibanëve me “vëllezër”.
“Të bëhesh kaq i mirë dhe i butë, t’i quash ata vëllezër, dhe t’i bindësh njerëzit se nëse funksionon, do të ketë aleancë mes dy vëllezërve: kjo nuk i ndihmon shtetit”, tha Saleh.
Në vend të saj, ai tha se qeveria duhet t’ua bëjë të qartë talibanëve se ata do kenë vend në Afganistan, vetëm nëse pranojnë vlerat e pluralizmit dhe të sistemit parlamentar. Ai theksoi se nuk i refuzon bisedimet si të tilla, por jep një mesazh për talibanët:
“Duhet të bëheni forcë politike e zakonshme dhe të luani sipas parimeve të demokracisë. Nëse fitoni, qoftë në nivel province, qoftë në atë kombëtar, duke marrë për bazë rregullat e demokracisë, ne nuk do të krijojmë asnjë vështirësi që të qeverisni. Por, nëse vini përmes armëve, përmes sulmeve vetëvrasëse, përmes prerjes së kokave, ne nuk do t’i përkulemi terrorizmit, nuk do t’i përkulemi kësaj lloj force”.
Ai, po ashtu, akuzoi qeverinë se nuk ka caktuar qartë vijat e kuqe, duke shtuar se në mungesë së tyre, bisedimet mund të rrezikojnë situatën.
“Çka nëse vazhdojmë të bisedojmë për paqen edhe tri vjet tjera, ndërsa reciprociteti nga armiku ynë do të jetë më shumë sulme vetëvrasëse, më shumë djegie të shkollave, më shumë atentate, më shumë masakra dhe më shumë margjinalizim të shoqërisë? Mendoj se duhet një mobilizim kombëtar. Kjo nënkupton kapitalizim i aspiratave, kërkesave dhe shpresave të popullit afgan - që të reduktojmë talibanët në një grup që jo domosdo do të përfaqësojnë ndonjë grup etnik, apo ndonjë anë të vendit, por një forcë që përfaqëson interesat e Pakistanit dhe të qarqeve të caktuara të Lindjes së Mesme”, u shpreh Saleh.
Saleh shpesh kishte akuzuar Pakistanin se po i mbështet talibanët. Ai më herët ka shërbyer si drejtor i Drejtoratit Kombëtar për Siguri në Qeverinë e Afganistanit prej 2004 deri më 2010, por ka dhënë dorëheqje pasi që kryengritësit sulmuan këshillin paqësor të njohur si Jirga, në Kabul, pasi që i aprovoi planet e Karzait për Këshillin e Lartë të Paqes.
Këshilli paqësor, i përbërë prej 60 anëtarësh, tha se ka për qëllim që t’i arrijë talibanët dhe grupet tjera kryengritëse për t’i bindur ata në çarmatim dhe për t’iu bashkuar procesit politik. Këshilli përbëhet prej ish-presidentëve e deri te liderët e shquar të xhihadit anti-sovjetik të viteve ‘80.
Po ashtu, në përbërjen e vet ka pleqnarë fisnorë dhe ish-anëtarë të talibanëve dhe Partisë Islamike, anëtarët aktivë të të cilëve, përbëjnë korpusin e kryengritjes së tashme.
Sekretari i Këshillit, Masum Stanikzai, tha se Këshilli nuk e ka ndërmend që t’i mbajë të fshehta marrëveshjet me talibanët- siç kishin ngritur shqetësimin disa kritikë.
“Në procesin e paqes nuk ka marrëveshje prapa skenave. Ekziston një politikë e qartë me një aspekt të brendshëm, dhe një ndërkombëtar. Nuk është ndihmuese kur ndërkombëtarisht ka ide të reja çdo ditë, që të ndryshohen gjërat. E rëndësishme është që bisedimet të kthehen në realitet”, tha Stanikzai.
Ai, po ashtu, argumentoi se ka bazë të fortë për mirëkuptim mes partive afgane, pasi të gjithë afganët duan të njëjtën gjë:
“Ajo që dëshiron populli afgan është shumë e qartë. Populli afgan do punë. Populli afgan do drejtësi. Populli afgan do paqe”, theksoi Stanikzai.
Por, vihet në pikëpyetje nëse të gjithë afganët e shohin në mënyrën e njëjtë drejtësinë pas më shumë se tri dekadave të luftës e kryengritjeve. Qeveria kishte thënë shpesh se procesi i paqes nuk mund t’i përfshijë ata që kanë kryer krime kundër popullit afgan.
Një zëdhënës i talibanëve refuzoi publikisht Këshillin dhe u zotuar se nuk do të negociojë derisa të mos tërhiqen nga Afganistani 140 mijë trupa ndërkombëtare. (a.i.)