Ndërlidhjet

Rrugë e gjatë për në BERZH dhe OBT


Selia e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Selia e Fondit Monetar Ndërkombëtar
Mosrespektimi i marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtar nga ana e autoriteteve kosovare do të ndikojë në përkeqësimin e raporteve edhe me institucionet tjera financiare, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Në këtë kuadër ata përmendin vështirësitë e Kosovës për anëtarësim në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kosova do ta ketë të vështirë anëtarësimin në mekanizmat tjerë financiarë ndërkombëtarë pas përkeqësimit të marrëdhënieve me Fondin Monetar Ndërkombëtar, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Institucionet e Kosovës tashmë janë duke bërë përgatitje për të aplikuar për anëtarësim në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Agron Demi, udhëheqës i Institutit për Studime të Avancuara GAP, thotë se mosrespektimi i marrëveshjes me FMN-në nga pala kosovare, do të jetë argument shtesë që disa nga shtetet anëtare të këtyre institucioneve të hezitojnë të votojnë pro anëtarësimit të Kosovës.

“Kjo e dëmton kredibilitetin e Kosovës edhe në organizmat tjerë, siç janë BERZH-i dhe OBT-ja. Në planin e punës së qeverisë në këtë vit parashihet që ekzekutivi të dorëzojë kërkesë formale për anëtarësim në BERZH”.

“Prishja e marrëveshjes së FMN-së do të shërbejë si argument shtesë për shtetet, të cilat janë duke u luhatur për ta dhënë votën pro ose kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm”,
thotë Demi.

Nagip Skënderi, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, u bën thirrje autoriteteve kompetente të rikthejnë besimin te FMN-ja. Në të kundërtën, sipas tij, pasojat do të jenë evidente.

Konsideroj se Qeveria e Kosovës duhet sa më shpejt ta rikthejë besimin në FMN, përmes masave ose vërejtjeve eventuale që do t’i paraqesë ky institucion”.

“Ta rikthejë besimin, sepse anëtarësimi në FMN është i domosdoshëm edhe për anëtarësim në mekanizmat tjerë financiarë”,
thotë Skënderi.

Në ueb-faqen e Fondit Monetar Ndërkombëtar thuhet se gjatë misionit, personeli dhe autoritetet kanë arritur një marrëveshje në nivel mbi Programin e Monitorimit të Personelit, sipas së cilës, do të krijohet një mekanizëm përcjellës, që mund të çojë në një marrëveshje të mbështetur nga FMN-ja në vitin 2012.

Agron Demi thotë se pala kosovare duhet ta zbatojë këtë marrëveshje, në mënyrë që të mundësohet vazhdimësia e mbështetjes së FMN-së. Rrjedhimisht, shton ai, do të përmirësohej edhe imazhi i Kosovës karshi institucioneve financiare ndërkombëtare.

“Gjatë këtij viti do të duhej të arrihej një performancë shumë më e mirë, me qëllim që vitin e ardhshëm të merret fondi i FMN-së - ashtu siç thuhet edhe në deklaratën e lëshuar nga ky institucion”.

“Po ashtu, edhe marrëveshja me Komisionin Evropian për një kontroll më të mirë buxhetor dhe për publikimin e shpenzimeve buxhetore që është arritur vitin e kaluar, duhet të respektohet me rregull”,
deklaron Demi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, të mërkurën, ka njoftuar se marrëveshja 18-mujore me Kosovën, e cila ishte arritur nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010, është ndërprerë më 2011.
XS
SM
MD
LG