Ndërlidhjet

Kundër ndarjes


Republika e Kosovës
Republika e Kosovës
Përfaqësues politikë shqiptarë dhe serbë nga Kosova e kundërshtuan ashpër opsionin e ndarjes së Kosovës të lansuar nga zëvendëskryeministri serb, Ivica Daçiq. Gjatë një debati në qendrën mediale në Çagllavicë ata thanë se kjo ide nuk mund të realizohet dhe kërkuan nga Qeveria serbe që ta qartësojë pozicionin e vet zyrtar.


Ridefinimi i kufijve në Ballkan dhe ideja e ndarjes së Kosovës nuk mbështetet aspak,si nga përfaqësuesit shqiptarë, ashtu edhe nga ata serbë të pjesës qendrore.

Gjatë një debati të mbajtur në qendrën mediale në Çagllavicë, përfaqësues të partive politike të serbëve të Kosovës, thanë se deklaratat e përfaqësuesve të lartë të Serbisë për ndarjen e Kosovës janë joreale dhe joserioze.

Ndërkaq, deputeti opozitar, Sadri Ferati, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili mori pjesë në këtë debat, vlerësoi se ndarja është një ide primitive dhe e rrezikshme.

Sadri Ferati

“Mendoj se Beogradi tani për tani ka një krizë, por jo vetëm tani, dhe atë e manifeston në dy drejtime. E para, as me vullnetin më të vogël nuk ka treguar se distancohet nga politika e keqe 20-vjeçare e Beogradit në raport me Kosovën dhe me rajonin, si dhe ende dëshiron ta mbajë gjallë ambicien për nevoja të politikës ditore, për të përfituar vota dhe nuk i pranon konsekuencat që i ka krijuar ajo politikë e këtyre ambicieve”, vlerësoi Ferati.

Idetë për ndarje e ridefinim të kufijve nuk shihen si opsione politike as nga përfaqësuesit e serbëve, që në këtë debat ishin kryesisht nga pjesa qendrore e Kosovës. Sipas tyre, zgjidhja e problemeve duhet kërkuar përmes marrëveshjeve dhe jo ndarjeve.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga Partia Liberale, Petar Miletiq, tha se ndarja është një zgjidhje joreale. Kur flitet për ndarjen, kryesisht mendohet në pjesën veriore, nënvizoi Miletiq, por, sipas tij, serbët si komb, vlerat e vërteta të trashëgimisë, kulturës dhe numrit të banorëve i kanë në pjesët tjera dhe jo në veri të Kosovës.

“Mendoj se ndarja e Kosovës është jo reale dhe në këtë moment është e pamundur. Nëse ndonjëherë ka qenë opsion i mundshëm, ajo kohë ka qenë para negociatave në Vjenë, kurse sot është opsion i pamundshëm të realizohet”, tha Miletiq.

Edhe deputetja Rada Trajkoviq nga Lista e Bashkuar Serbe pohoi se ideja e zëvendëskryeministrit të Serbisë Ivica Daçiq për ndarje, është joserioze. Me këso deklarata, Serbia bëhet faktor i destabilizimit të rajonit, theksoi ajo.

“Jam e befasuar me presidentin Boris Tadiq dhe Partinë Demokratike, deri kur do të durojnë dhe tolerojnë një sjellje të tillë të papërgjegjshme të një zyrtari me pozitë të lartë qeveritare”, u shpreh Rada Trajkoviq.

Ndërkohë, Momçillo Trajkoviq, kryetar i Lëvizjes së Rezistencës Serbe ua rikujtoi autoriteteve në Serbi se ndarja e Kosovës mund të ketë pasoja edhe për kufijtë e këtij vendi, duke përmendur me këtë rast Preshevën, Bujanocin e Medvegjën.
Pres që organet kompetente në Serbi ta hedhin poshtë këtë ide dhe të ofrojnë zgjidhje që u garantojnë qytetarëve
paqe.


“Serbisë nuk i konvenon politika e ndarjes. Me këtë ajo po tregon pafuqinë e vet dhe po tregon se strategjia e saj është në krizë. Pres që organet kompetente në Serbi ta hedhin poshtë këtë ide dhe të ofrojnë zgjidhje që u garantojnë qytetarëve paqe”, theksoi Momçillo Trajkoviq.

Idetë për ndarjen e Kosovës apo edhe shkëmbimin e territoreve i kanë kundërshtuar edhe autoritetet qeveritare në Prishtinë, si dhe përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë edhe ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell.

Diplomatët perëndimorë kanë tërhequr vërejtjen se ndarjet dhe rishikimi i kufijve në Ballkan, sipas përvojës nga historia, kanë përfunduar me konflikte.

Lexoni edhe këto:
Beogradi të shqyrtojë edhe ndarjen e Serbisë
Banac: Ndarja të përjashtohet sa më parë

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG