Ndërlidhjet

Thirrje për zbatim reformash


Hose Manuel Baroso dhe Hashim Thaçi gjatë konferencës për shtyp në Prishtinë,20 maj 2011
Hose Manuel Baroso dhe Hashim Thaçi gjatë konferencës për shtyp në Prishtinë,20 maj 2011
Presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, shprehu përkushtimin e BE-së për perspektivën evropiane të Kosovës. Megjithatë zoti Baroso theksoi se “i takon Kosovës dhe popullit të saj t’i zbatojë reformat e nevojshme, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, lidhur me integrimin në BE. Këto komente diplomati portugez i bëri pas takimeve që zhvilloi me përfaqësues të lartë shtetërorë të Kosovës.


Ne jemi këtu për t’ju mbështetur, por varet nga ju - nga populli i Kosovës që t’i zbatoni reformat e nevojshme, të konsolidoni demokracinë, sundimin e ligjit, të luftoni korrupsionin e krimin e organizuar, të përpiqeni të keni marrëdhënie të mira fqinjësore, tha në Prishtinë, presidenti i Komisionit Evropian, Hose Manuel Barroso.

Ai theksoi se Kosova ka një perspektivë evropiane, por se vetëm jetësimi i reformave dhe kritereve të caktuara do ta çojë vendin përpara drejt integrimit evropian.
Hose Manuel Baroso

“Kosova mund dhe duhet ta ndihmojë veten për të bërë përparim në qëllimin e saj për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Kosova duhet t’i përmbushë reformat e saj - me përkushtim, përgjegjësi dhe në frymën e kompromisit. Më shumë punë duhet bërë për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike. Juve, gjithashtu, ju duhet një program i fuqishëm ekonomik dhe i kam kërkuar Qeverisë që të bashkëpunojë me FMN-në në këtë drejtim”, u shpreh Baroso.

Ndërsa, duke folur për dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Baroso tha se ka ardhur koha e fundit që palët e përfshira të gjejnë zgjidhje për çështjet praktike.

“I bëj thirrje Kosovës që të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun me Beogradin. Kishte një takim konstruktiv këtë javë. Është koha e fundit për politikanët e të dyja palëve për të bashkëpunuar dhe për të gjetur zgjidhje për shumë probleme praktike, me të cilat ballafaqohen kosovarët dhe serbët në jetën e tyre të përditshme”, tha Baroso pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Vizita e zyrtarëve të lartë evropianë, në mesin e të cilëve edhe Komisionari për Zgjerim, Stefan Fyle, zëvendës-komisionari për Zgjerim, Stefano Sannino dhe drejtori menaxhues i Shërbimit të Jashtëm të BE-së për Evropën dhe Azinë Qendrore, Mirosllav Lajçak, vjen pas vlerësimeve të para për arritjet e Kosovës në përmirësimin e kritikave që dolën nga Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian.

Këto vlerësime thuhet se janë dërguar në Bruksel në fillim të këtij muaji nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Prishtinë.

...sfidat e identifikuara në Raportin e Progresit të vitit të kaluar janë platforma për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Thaçi, tha se vërejtjet e Raportit të fundit të Progresit do të jenë platforma e angazhimeve institucionale të vendit përgjatë muajve të ardhshëm.

“Reforma legjislative, krijimi i mekanizmave institucionalë dhe luftimi i dukurive negative do të jetë prioritet i ynë. Po ashtu, sfidat e identifikuara në Raportin e Progresit të vitit të kaluar janë platforma për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi.

Kjo është detyra e politikanëve - t’u shërbejnë njerëzve të tyre dhe këtë duhet ta kemi parasysh gjatë gjithë kohës...

Rëndësinë për zbatimin e reformave dhe përmbushjen e kritereve të vëna nga BE-ja e theksoi gjatë së premtes edhe kryetari i Parlamentit Evropian, Eduard Kukan.

Kjo është detyra e politikanëve - t’u shërbejnë njerëzve të tyre dhe këtë duhet ta kemi parasysh gjatë gjithë kohës - kur flasim për liberalizimin e vizave, reformën e sistemit elektoral, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe të gjitha çështjet e tjera”, tha Kukan pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Pavarësisht përkushtimit, për të cilin zotohen të dyja palët - sikurse Brukseli, ashtu dhe Prishtina, Kosova vlerësohet të ketë mbetur e fundit në procesin e integrimit evropian, krahasuar me vendet e rajonit.

Kosova, po ashtu, është i vetmi vend në rajon, i cili ende nuk është përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në.

Lexoni edhe këtë:
Xhentilini: Kosova t’i afrohet BE-së

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG