Ndërlidhjet

Tensione politike në Tiranë


Tiranë, 18 maj 2011
Tiranë, 18 maj 2011
Shkalla e tensionit politik në Shqipëri sa vjen e shtohet. Së fundi Partia Socialiste, nëpërmjet kryetarit të Grupit parlamentar të saj, Gramoz Ruçi, ka paralajmëruar revoltë popullore si zgjidhje të vetme për atë që e cilësojnë numërim policor të votës, me qëllim ndryshimin e rezultatit për Tiranën.

Situata politike është tensionuar ndjeshëm pas vendimit të KQZ-së për të reflektuar në rezultatin përfundimtar për Bashkinë e Tiranës edhe votat e kontestuara.

Pra, bëhet fjalë pikërisht për ato vota që i takojnë garës për kryetarin e bashkisë, ku vullneti i zgjedhësit është i shprehur qartë, por që gabimisht janë të hedhura në një tjetër kuti nga vetë votuesit.

Në Tiranë janë konstatuar me dhjetëra raste të tilla, por opozita, e cila pretendon fitoren e kandidatit të saj, Edi Rama, në Tiranë, me 10 vota përparësi ndaj kandidatit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, e cilëson këtë të papranueshme duke e akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve se po e mban peng shpalljen e rezultatit për Tiranën.

Madje, të mërkurën deputetë dhe mbështetës të kësaj force politike kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet ku zhvillon mbledhjen KQZ-ja, institucion ky që prej mëngjesit të së mërkurës është i rrethuar me forca të shumta policie.

Me gjithë situatën jashtë dyerve të saj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar punën dhe ka marrë vendim t'i numërojë votat e kontestuara.

Gjithashtu, për shkak të tensionimit të situatës ka pasur takime intensive të diplomatëve të huaj me kryetarin e shtetit Bamir Topi, me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, e gjithashtu edhe me kryeministrin Sali Berisha.

Nga njoftimet zyrtare për shtyp mësohet se diplomatët e huaj kanë kërkuar që të respektohen institucionet e pavarura në vendimmarrjen e tyre.


* * * * *

KQZ hap kutitë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri ka ndërprerë për pak çaste mbledhjen, pas një përplasjeje fizike midis një përfaqësuesi të Partisë Socialiste dhe një punonjësi të administratës së KQZ-së, gjatë përpjekjeve për të hapur njërën nga kutitë për të rinumëruar votat e kontestuara.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Shqipëri mori vendim me 4 vota të anëtarëve të tij, që të hapë kutitë për të numëruar votat, të cilat po cilësohen si të kontestueshme nga ankesat që janë parashtruar.

Partia Socialiste e kundërshton hapjen e këtyre kutive, duke u thirrur në aktet ligjore, kurse Partia Demokratike ka bërë thirrje që çdo votë të numërohet.

KQZ-ja, vendimin për hapjen e kutive e arsyeton me faktin se numërimi i votave ende s’ka përfunduar.

Ndërkohë, situata jashtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve duket më e qetë, ndërsa është zbutur edhe prania e forcave të rendit.

Partia Socialiste aktualisht është në një takim të sajin dhe pritet të merret një qëndrim.

Kjo mbledhje mbahet pas një takimi, të cilin lideri socialist Edi Rama e ka zhvilluar me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Aleksander Arvizu.


Tensionohet situata në Tiranë

Deputetë të Partisë Socialiste dhe mbështetës të tyre po tentojnë të hyjnë në ndërtesën e Komisionti Qendror Zgjedhor, ku në mbledhjen e filluar tashmë, pritet të vendoset mbi fatin e atyre fletëve të votimit, të cilat gabimisht janë futur në kutitë jo të duhura.

Forca të shumta policore dhe të ndërhyrjes së shpejtë kanë rrethuar këtë institucion dhe nuk po lejojnë deputetët të hyjnë brenda.

Arsyet e këtij tenisonimi lidhen me rezultatin për Bashkinë e Tiranës. Deputetë të Partisë Socialiste pretendojnë dhe këmbëngulin që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të shpallë rezultatin për kryeqytetin, ku, sipas tyre, fitues me 10 vota ka dalë kandidati i opozitës, Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste.

KQZ-ja kishte paralajmëruar një mbledhje mesditën e djeshme, të cilën për shkak të tensionimit të situatës, e shtyu për paraditen e sotme.

Gjatë kësaj mbledhjeje do të disktonte mbi fletet e kontestuara, fletë këto që i takonin kryetarit të bashkisë, por që janë gjetur në kuti të tjera, të hedhura gabimisht. Më pas, KQZ-ja do të vendoste për rinumërimin e tyre dhe ato do t’i bashkëngjiteshin rezultatit përfundimtar për Tiranën. Vetëm atëherë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikonte rezultatin për kryeqytetin.

Kjo gjë është konsideruar e papranueshme nga ana e përfaqësuesve të opozitës. Ata e kanë cilësuar si tendencë të mazhorancës për manuipulim të rezultatit për Tiranën.

Megjithatë, mbledhja e sotme e KQZ-së ka nisur me diskutimin me përfaqësuesit politikë të Partisë Demokratike, lidhur me fletët e kontestuara dhe mënyrën se si do ta trajtojë KQZ-ja çështjen. Po ashtu u diskutua lidhur me situataën që po zhvillohet jashtë ambienteve të Komisionit, nëse deputetët duhet të hyjnë ose jo në këtë mbledhje.

Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, tha se deputetët nuk mund të marrin pjesë, pasi KQZ-ja nuk është një Komision Zonal i Administrimit Zgjedhor, duke iu referuar nenit 121 të Kodit Zgjedhor.

Në anën tjetër, kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha, ka akuzuar kryesocialistin Rama se “po bën përpjekje të paralizojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në tentim për të imponuar rezultatin paraprak si rezultat përfundimtar dhe që ai të mbetet jashtë procedurave normale të shqyrtimit dhe vlerësimit”.

Zoti Berisha ka konfirmuar se me rezultatin preliminar, zoti Rama qëndron për 10 vota para kandidatit demokrat, Basha, por, sipas tij, janë ankesat ato që duhet shqyrtuar dhe votat që duhet numëruar.

Këto komente, zoti Berisha i ka bërë në mbledhjen e sotme të Qeverisë shqiptare, në kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po mban mbledhjen e tij.

Shefi i Qeverisë shqiptare është takuar edhe me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Etore Sekui, ndonëse nuk janë zbardhur ende temat e këtij takimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG