Ndërlidhjet

Çitaku: BE-ja po përdor standarde të dyfishta


Vlora Çitaku
Vlora Çitaku
BE-ja shpesh po përdor standarde të dyfishta kur po mat progresin e Kosovës dhe vendeve të rajonit, thotë për Radion Evropa e Lirë, ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku.


RADIO EVROPA E LIRË
Kosova shënon Ditën e Evropës, ndërsa mbetet vendi i vetëm në rajon që është më larg integrimeve. Ju keni thënë se keni vënë në prioritet dialogun për vizat si dhe marrëdhëniet tregtare me BE-në. Çka ka konkrete në këtë drejtim?

VLORA ÇITAKU
Është e vërtetë, që për fat të keq, Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor pa marrëdhënie kontraktuale me BE-në. E vërteta është se në BE në samitet e vazhdueshme që janë mbajtur në dekadën e fundit, nga Selaniku, Zagrebi dhe ai i fundit në Sarajevë, në vazhdimësi ka përsëritur perspektivën evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë kontekst është thënë shumë herë që edhe Kosova nuk do të përjashtohet nga kjo perspektivë.

Megjithatë, në sfondin konkret, Kosova mbetet vendi i vetëm pa një marrëdhënie kontraktuale me BE-në. Për më tepër, që nga një janari i këtij viti ne nuk përfitojmë nga masat autonome tregtare, nga të cilat Kosova ka përfituar që nga viti 2000, mirëpo kjo jo për shkak të Kosovës, por për shkak të ridefinimit të marrëdhënieve ndërmjet Këshillit dhe Komisionit Evropian tash pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës. Ndërkohë, fatkeqësisht, qytetarët tanë mbeten të vetmit në Evropë, të cilët kanë të drejtë që pa viza të udhëtojnë në vetëm 5 shtete nga 192.

Në tetor të vitit të kaluar, kur është publikuar Raporti i Progresit, komisionari për zgjerim, zoti Shtefan Fyle, ka deklaruar shumë qartë që shumë shpejt do të hapet dialogu i vizave edhe me Kosovën, por që nga atëherë kanë kaluar gati 7 muaj dhe ne ende nuk e kemi marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.

RADIO EVROPA E LIRË
Pse, cilat janë problemet?

VLORA ÇITAKU
Ne jemi duke i kryer punët tona njëanshëm. Para dy vjetësh, Qeveria e Republikës së Kosovës ka adaptuar udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, dhe në këtë fazë, Kosova njëanshëm ka përmbushur shumicën e kritereve. Dhe, nëse i krahasojmë përmbushjen e standardeve që i ka shënuar Kosova në raport me vendet e rajonit në këtë pikë të procesit, mund të them se jemi shumë hapa përpara.

Ne po punojmë në fuqizimin e zyrave për riintegrim në nivel komunal, ndërsa kah fundi i vitit shpresojmë se do të fillojmë edhe pajisjen e qytetarëve me pasaporta biometrike, kritere këto të cilat kërkohen nga vendet kandidate dhe pretenduese në një fazë shumë finale të procesit të liberalizimit të vizave. Ne nuk kemi opsion tjetër, përveç të atij të integrimit evropian dhe njëanshëm do t’i përmbushim kriteret.

Duhet ta kemi të qartë që integrimi evropian nuk është sfidues vetëm për ne, por edhe për BE-në, duke pasur parasysh kontekstin politik - pesë vende të BE-së nuk e kanë pranuar ende Republikën e Kosovës dhe çdo nënshkrim i marrëveshjes duhet miratuar nga parlamentet respektive të 27 vendeve dhe një çështje e tillë në këtë pikë është sfiduese për vetë strukturat e BE-së.

RADIO EVROPA E LIRË
E thatë se në të gjitha samitet e BE-së Kosova ka marrë premtime për integrim. Ndërkohë, shpeshherë nga zyrtarët e BE-së, integrimi përmendet më tepër si një proces teknik. Por, marrë parasysh problemet politike që i përmendët, me mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, a përkojnë me realitetin kërkesat për përmbushjen e kritereve teknike?

VLORA ÇITAKU
Procesi i integrimit në strukturat e BE-së është edhe proces politik, edhe teknik. Pa vullnet politik të vendeve anëtare të BE-së dhe të strukturave të BE-së nuk mund të fillohen proceset teknike.

Në esencë, Kosova i ka përmbushur të gjitha kërkesat teknike për të filluar dialogun për liberalizimin e vizave dhe për të avancuar në arritjen e marrëveshjeve tregtare. Megjithatë, për shkak të kontekstit politik, mund të them se Kosova ka pësuar dhe nuk e ka përfituar ende udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave...

RADIO EVROPA E LIRË
...është problem vetëm te mosnjohja nga pesë vendet anëtare?

VLORA ÇITAKU

Në fakt, për këtë çështje, në mënyrë më specifike për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, problematike nuk janë vendet, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën. Viti i fundit ka qenë vit shumë sfidues për vetë Bashkimin Evropian - ka pasur probleme me euron, me refugjatët nga Afrika Veriore dhe nga Lindja e Mesme dhe të gjitha këto e kanë rritur dozën e kujdesit, të themi kushtimisht, të BE-së, të Komisionit, për të hapur negociatat e reja për liberalizimin e vizave.

Megjithatë, Kosova është pjesë e Evropës, jo vetëm gjeografikisht, por edhe në sistemin e vlerave ne jemi evropianë dhe synojmë që edhe në kontekstin administrativ të bëhemi pjesë e kësaj familjeje të madhe.

RADIO EVROPA E LIRË
Në Raportin e vjetshëm të Progresit, Kosova mori kritika edhe për ca mangësi në fushën e sundimit të ligjit. Janë përmirësuar gjërat dhe sa mund të synojë liberalizimin e vizave, kur ende ka probleme edhe me kufijtë?

VLORA ÇITAKU

Duhet qartësuar që në rast se e krahasojmë Raportin e Progresit që Komisioni Evropian ka prodhuar për Kosovën, me Raportin e Progresit që KE-ja prodhon edhe për vendet tjera aspiruese, do të vini re që sfidat janë po ato. Normalisht, Kosova sot nuk mund të krahasohet me Suedinë, mirëpo mund të krahasohet shumë mirë me vendet në rajon dhe në fakt, në shumë pika ne jemi shumë hapa përpara edhe nga disa vende të rajonit.

Nuk mund të thuhet dhe nuk mund të ndëshkohet Kosova për mungesë të kontrollit të kufijve dhe këtu kemi parasysh në mënyrë specifike kufirin tonë verior, përderisa Serbia në pyetësorin e saj të deponuar në Komisionin Evropian as që i ka të definuar kufijtë. Këtu kemi të bëjmë me standarde të dyfishta.

Megjithatë, ju siguroj që edhe për vetë Komisionin Evropian, të cilët në këtë proces ne i kemi partnerë, Kosova i ka përmbushur kriteret edhe për marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, edhe për avancimin e marrëdhënieve tregtare - këtë nuk po e them unë, këtë e kanë thënë shumë publikisht të gjithë zyrtarët e Komisionit Evropian, edhe vetë komisionari Shtefan Fyle me publikimin e raportit në tetor të vitit të kaluar.

RADIO EVROPA E LIRË
A ua keni bërë të qartë zyrtarëve të BE-së këtë që po e thoni edhe në media, se po luhet me standarde të dyfishta?

VLORA ÇITAKU
Ne, Komisionin Evropian e kemi partner dhe dua të përsëris se fakti pse ende nuk e kemi udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, nuk është produkt i raportit, apo raporteve që janë hartuar nga Komisioni, por është produkt i skepticizmit të disa vendeve anëtare në raport me politikat e migracionit në përgjithësi, jo të ndërlidhura në mënyrë specifike me Kosovën.

Komisioni Evropian ka rekomanduar edhe dhënien e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, po ashtu KE-ja ka rekomanduar edhe avancimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet Kosovës dhe BE-së.

Në fund, iu takon vendeve anëtare të marrin vendimin e drejtë mbi bazën e rekomandimeve të dhëna nga ana e Komisionit dhe ne besojmë që këto rekomandime do të trajtohen dhe vendimi do të merret shpejt.

RADIO EVROPA E LIRË
Aktualisht, po zhvillohet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Është thënë, edhe pse jo zyrtarisht, që Serbia të paktën do të fitojë statusin e kandidatit, për shkak se pranoi të hyjë në këtë proces bisedimesh. Po Kosova çfarë përfiton në kuadër të integrimeve evropiane - është folur për liberalizim vizash?

VLORA ÇITAKU
Dialogu me Serbinë nuk ndërlidhet me marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Në fund të fundit, ne kemi thënë shumë qartë se me fillimin e dialogut me Serbinë ne përmbushim një kriter evropian, e ai është bashkëpunimi rajonal.

Bashkëpunimi rajonal është parakusht për çdo proces integrues dhe në këtë kontekst Kosova nuk po i bën shërbim askujt, pos vetes dhe perspektivës së saj euroatlantike.

RADIO EVROPA E LIRË
Konkretisht, keni marrë premtime se kur do të merret udhërrëfyesi apo jo?

VLORA ÇITAKU
Unë nuk do të doja të hyja në premtime që ndërlidhen me data, sepse nuk varet nga ne. Ajo çfarë varet nga ana jonë, tashmë është përmbushur. Ne na është kërkuar miratimi i Ligjit për riatdhesim, këtë e kemi bërë në shtator të vitit të kaluar.

Është kërkuar miratimi i strategjisë për riintegrim, këtë e kemi bërë vitin e kaluar; është kërkuar alokimi i një fondi të veçantë për riintegrimin e personave të riatdhesuar, që, po ashtu, është bërë vitin e kaluar. Është kërkuar funksionalizimi i zyrave për riintegrim në nivel komunal, që, gjithashtu, është bërë vitin e kaluar dhe tashmë zyrtarët për integrim në nivel komunal kanë kaluar fazën e tretë të trajnimit.

Kështu që ne i kemi përmbushur obligimet tona dhe për këto jam unë përgjegjëse së bashku me të gjithë kolegët e mi në Qeverinë e Republikës së Kosovës. E, marrja e udhërrëfyesit dhe përcaktimi i datës i takon Komisionit.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju pyeta për këtë, sepse edhe paraardhësit tuaj, si ministra, zakonisht kanë dhënë data se jo do të merret këtë vit, jo këtë muaj dhe askund nuk është udhërrëfyesi...

VLORA ÇITAKU
Unë mund t’ju them se sa i përket asaj që na takon neve, përgjegjësitë tona ne do t’i përmbushim, ndërkohë që pyetjen për dhënien e udhërrëfyesit duhet ta parashtrojmë në Bruksel. Ju siguroj që pas marrjes së udhërrëfyesit, ne do të punojmë me dinamikë të shtuar që t’i përmbushim të gjitha kriteret e parashtruara në udhërrëfyes. Për më tepër, siç e thashë edhe më parë, ne tashmë shumë prej tyre i kemi përmbushur dhe unë jam e bindur që në një afat rekord ne do të mund t’i kalojmë sfidat, të cilat do të derivojnë nga fillimi i dialogut për liberalizimin e vizave.

Qytetarët e Kosovës për një kohë të gjatë kanë qenë të trajtuar si qytetarë të rangut të dytë edhe në strukturën e ish-Jugosllavisë dhe nuk duhet të lejojmë që të trajtohen si evropianë të rangut të dytë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG