Ndërlidhjet

Kosova kërkon kthimin e pronave


Gjiganti metalurgjik "Trepça", i cili ka 21 prona në republika të ndryshme të ish-Jugosllavisë.
Gjiganti metalurgjik "Trepça", i cili ka 21 prona në republika të ndryshme të ish-Jugosllavisë.
Kosova ka 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore në republikat e ish- Jugosllavisë. Autoritetet kompetente, tashmë i kanë identifikuar këto prona dhe kanë njoftuar se janë duke punuar në kthimin e tyre. Sipas, zyrtarëve të AKP-së, ky proces është i vështirë, sidomos në Serbi dhe Mali të Zi.


Autoritetet kosovare kanë njoftuar se do të kërkojnë kthimin e pronave të ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në republikat e ish-Jugosllavisë.

Sipas një dokumenti të Ministrisë së Punëve të Jashtme, në republikat e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të subjekteve ekonomike të Kosovës.

Po sipas këtij dokumenti, vetëm në territorin e Serbisë gjenden 104 prona të ndërmarrjeve shoqërore, në Mal të Zi 42, 15 në Bosnje e Hercegovinë, 6 në Kroaci, 4 në Maqedoni, ndërsa në Slloveni gjendet një objekt afarist.

Autoritetet përkatëse përveçse kanë identifikuar pronat, ende nuk kanë arritur që t'i identifikojnë të gjitha adresat se ku gjenden, për çka shfrytëzohen dhe kush është pronari i vërtetë i tyre.

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit (AKP), tregon se që nga fillimi i punës se kësaj agjencie, ka qenë e vështirë për të pasur qasje në ndërmarrjet kosovare që janë të vendosura jashtë Kosovës. Problem të theksuar në këtë kuadër, sipas tij, paraqet Serbia dhe Mali i Zi.
Në përgjithësi ka pasur probleme, por probleme të theksuara në qasjen në këto prona ka aktualisht në Serbi dhe Mal të Zi.


“Në përgjithësi ka pasur probleme, por probleme të theksuara në qasjen në këto prona ka aktualisht në Serbi dhe Mal të Zi. AKP-ja ka bërë përpjekje që të zbatojë ligjin e saj dhe të ketë qasje në pronat që gjenden në territorin jashtë Kosovë, por ka pasur probleme”, thotë Kaloshi.

Një çështje tjetër, me të cilën përballet AKP-ja, ka të bëjë me shndërrimin e këtyre pronave nga personat e paautorizuar, pasi, sipas tij, Agjencia Kosovare e Privatizimit të Serbisë, po shet asetet e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden në territorin e saj, siç është rasti i ndërmarrjes shoqërore “Jatex” nga Peja.

Ndërkaq, në gjykatat e Malit të Zi po zhvillohen konteste ligjore që nga viti 2001 lidhur me Ndërmarrjen Shërbyese “Rekreaturs-Prishtina”, e cila ka prona në Budva, si dhe Industrinë e Mishit me ngrirje nga Fushë Kosova.

Kaloshi thotë se pavarësisht përpjekjeve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, autoritetet gjyqësore të Malit të Zi refuzojnë të njohin AKP-në si palë në procedurën e ndërlidhur me këto subjekte dhe në të njëjtën kohë refuzojnë subjektivitetin e kësaj agjencie.

Javën e kaluar, agjencia ka formuar një komision të përbashkët me Qeverinë e vendit, ku është duke punuar në identifikimin dhe mundësinë e kthimit të pronave që gjenden jashtë territorit të saj.
Qeveria e Kosovës

Ekzekutivi është përgjegjës për aspektin politik, ndërsa agjencia bën zbatimin e marrëveshjeve të mundshme. Megjithatë, Kaloshi pohon se të gjitha ndërmarrjet kosovare që gjenden jashtë territorit të saj, janë pasuri e Kosovës, ndërsa me to duhet të menaxhojë AKP-ja.

“Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, pronat që gjenden jashtë territorit të Kosovës, janë pasuri e Kosovës edhe me Pakon e Ahtisarit është përcaktuar e drejta e Kosovës në këto prona. Duke pasur parasysh vështirësitë, në të cilat kalonte AKP-ja në qasje në këto prona, ka kërkuar në vazhdimësi ndihmë nga institucionet tjera për tejkalimin e këtyre problemeve”
, shpjegon Kaloshi.

Ndryshe, vetëm gjiganti metalurgjik “Trepça”, ka 21 prona në republika të ndryshme të ish-Jugosllavisë. Menaxheri i kompleksit “Trepça”, Ferat Shala, thotë se kthimi i subjekteve ekonomike është shumë i rëndësishëm për vendin dhe njëherësh kërkon nga autoritetet kompetente që urgjentisht të marrin hapa konkretë në këtë drejtim.

Në fazën që është aktualisht kompleksi ‘Trepça’, në përgatitjen e saj për ristrukturim dhe rivitalizim, është shumë e nevojshme të gjitha pronat dhe asetet e saj të jenë nën menaxhimin e institucioneve vendimmarrëse të Kosovës, gjegjësisht AKP-së dhe ‘Trepçës’ ”, thekson Shala.

Kërkesa e Qeverisë për kthimin e pronave është iniciativë e qëlluar, por e vonuar thonë njohës të çështjeve ekonomike. Mejdi Bektashi, profesor në Fakultetin Ekonomik, konsideron se një kërkesë e tillë është dashur të bëhet menjëherë pas shpalljes së pavarësisë se vendit, do të thotë në vitin 2008.

Megjithatë, ai thekson se duke pasur parasysh raportet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo çështje duhet të zgjidhet përmes një ndërmjetësuesi ndërkombëtar.
Ky është problem për shumë prona që Kosova ka jashtë territorit
të saj...

“Ky problem më së miri është të zgjidhet përmes negociatorëve të huaj, njëkohësisht përmes bisedave teknike që janë duke u zhvilluar në Bruksel. Ky është problem për shumë prona që Kosova ka jashtë territorit të saj, por edhe ish-republikat tjera që kanë në Kosovë, shumë nga ato prona janë shitur jo nga ish-Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, por janë shitur nga individë të paautorizuar”.

“Kështu që unë besoj se ky problem mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave dhe një mbledhje ku do të bëhej suksecioni pasuror ndërmjet këtyre dy shteteve”
, vlerëson Bektashi.

Ndryshe, në bazë të dokumentit të Ministrisë së Punëve të Jashtme, vetëm ndërmarrja shoqërore “Jatex” nga Peja, ka 31 objekte afariste në republikat e ish-Jugosllavisë. Pas kësaj vjen “Trepça” me 31 prona, pastaj “Eximkos”, ndërmarrja “Marketing- Export”, e të tjera.

Lexoni edhe këtë:

Çfarë po ndodh me pasurinë jashtë Kosovës?

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG