Ndërlidhjet

Çmimet e naftës, sipas tekave


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Autoritetet përgjegjëse në Kosovë kanë filluar hulumtimet në industrinë e naftës, për shkak të dyshimeve se disa kompani të derivateve të naftës kanë bërë ca marrëveshje të pashkruara, ku kanë fiksuar çmimet dhe kanë ndarë tregun.


Komisioni Kosovar i Konkurrencës ka filluar hulumtimin ndaj kompanive, të cilat importojnë derivate të naftës në Kosovë.

Ky hap ka ardhur pas dyshimeve që kompanitë në fjalë kanë arritur marrëveshje për fiksim çmimesh dhe ndarje të tregut të naftës, thotë kryetari i këtij komisioni, Osman Ejupi.

“Në hetimin e parë kemi hulumtuar pjesën e tregut të Anomaravës, apo rajonin e Gjilanit. Atje kemi hasur në një marrëveshje të ndaluar - në gjuhën e konkurrencës quhet kartelë - në mes të shitëseve të derivateve të naftës me pakicë”.

“Në atë marrëveshje, ata kanë fiksuar çmimin dhe kanë ndarë tregun. Por, nuk kemi dhënë gjoba, për arsye se këta naftëtarë, në një farë forme, kanë qenë të varur nga importuesit e mëdhenj të naftës”,
shpjegon Ejupi.

Një inspektim të tillë, javën e kaluar, ky autoritetet e ka realizuar edhe në Komunën e Vushtrrisë, në 15 pika të shitjes së derivateve të naftës. Edhe këtu ka ekzistuar praktika e bashkërenduar për fiksimin e çmimeve të benzinës, naftës dhe gazit.

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka ndërmarrë masa ligjore, por ka marrë zotimet e naftëtarëve se tregu do të liberalizohet dhe se ata nuk do të jenë pjesë e prishjes së konkurrencës.

Nga hulumtimet e bëra, Osman Ejupi thotë se origjina e marrëveshjes rrjedh nga importuesit e mëdhenj të naftës.

“Në bazë të Ligjit të konkurrencës kemi filluar hulumtimin e importuesve të mëdhenj të derivateve të naftës në nivel vendi. Kemi bërë një pyetësor dhe kemi intervistuar rreth 30 importues, që janë të regjistruar për derivate të naftës”.

“Ne do të organizojmë një seancë dëgjimore me ta dhe do të marrim vendim konform Ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”,
thotë Ejupi.

Por, udhëheqësit e Shoqatës së Naftëtarëve nuk pranojnë se ka fiksim çmimesh në mes të kompanive të naftës. Kryetari Nazmi Bytyqi thotë se nuk mund të ekzistojnë dyshimet e tilla, pasi çmimet e derivateve të naftës caktohen nga vetë menaxherët e kompanive përkatëse.

"Duhet të ketë argumente të bazuara që ka marrëveshje. Ne si shoqatë nuk kemi hasur në ato marrëveshje”.

“Dy pika të karburantit mund të merren vesh për të mos i bërë konkurrencë njëra-tjetrës dhe e bëjnë çmimin e njëjtë. Por, aty nuk ka marrëveshje të shkruar”,
thotë Bytyqi.

Në bazë të ligjit që tani është në fuqi, Komisioni kosovar i Konkurrencës parasheh gjoba. Ejupi shpjegon më shumë:
Janë gjoba që mund të vënë në pikëpyetje aktivitetin e atyre që sillen jashtëligjshëm në treg.

Për devijimin e çmimeve të këtyre importuesve, masa ndëshkimore është deri në 10 për qind nga bruto realizimi vjetor i kompanive”.

“Kjo do të thotë se janë gjoba shumë të larta. Janë gjoba që mund të vënë në pikëpyetje aktivitetin e atyre që sillen jashtëligjshëm në treg”,
thekson Ejupi.

Pikat e karburantit në Kosovë shesin derivatet e naftës me çmime të ndryshme, madje edhe nëse i takojnë së njëjtës kompani. Sipas njohësve të kësaj fushe, tregtarët e kompanive që i importojnë këto derivate, i caktojnë çmimet në bazë të lokacionit ku ata i kanë pompat e tyre.
XS
SM
MD
LG