Ndërlidhjet

Pak: Prishtina ka keqkuptuar dialogun teknik


Doris Pak
Doris Pak
"Dialogu teknik nuk nënkupton zgjidhjen e çështjeve politike e kushtetuese", thotë Doris Pak, deputete e Parlamentit Evropian, në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pak, së shpejti delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit do të takohen sërish në Bruksel për të vazhduar bisedimet për të ashtuquajturat çështje teknike. Ende nuk dihet se a kanë përfunduar me ndonjë rezultat takimet e para të mbajtura më 8 dhe 9 mars. Kur mendoni se duhet të shihen rezultatet e zbatuara në terren të këtij procesi?

DORIS PAK
Fillimisht, duhet të ketë një rezultat. Nuk jam e sigurt nëse ka deri më tani ndonjë rezultat, sepse ekzistojnë probleme teknike. Ju e dini se librat kadastralë janë ende në Beograd - gjë që krijon probleme për investime dhe shitjen e pronave, e kështu me radhë.

Nuk e di se a është zgjidhur ky problem. Është, gjithashtu, çështja e lëvizjes së lirë dhe e kufijve - nuk mendoj se është zgjidhur diçka. Mendoj se kanë qenë bisedimet e para, tani do të kemi sërish bisedime dhe vetëm mund të shpresojmë që të dalë diçka nga to.

RADIO EVROPA E LIRË
Por, në Bruksel thanë se takimet ishin konstruktive...

DORIS PAK
Fjalë të mira! Unë gjithmonë mendoj se gjithçka është konstruktive, por nëse nuk ka ndonjë rezultat, nuk shoh konstruktivitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Pak, dialogu është cilësuar të jetë teknik, por ende ka probleme politike ndërmjet Prishtinës e Beogradit, si për shembull veriu i Kosovës. A mendoni se do të përmendet edhe kjo çështje dhe, nëse po, cili do të ishte momenti i duhur për ta bërë këtë?

DORIS PAK
Problemet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, të cilat mund të zgjidhen në nivel teknik, do të duhej të zgjidheshin. I përmenda një apo dy të tilla. Ka shumë mundësi për ta bërë këtë - për të mos i penguar më serbët e Kosovës që të jenë qytetarë të rëndomtë të Kosovës.

Ka shumë mënyra që Beogradi të tregojë sjellje miqësore karshi fqinjëve - gjë që duhet ta bëjë po qe se dëshiron të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Çështjet tjera, si ajo e statusit të Kosovës, nuk janë çështje e dialogut aktual. Mendoj se çështjet teknike janë një pjesë e tyre dhe ato politike një tjetër.

Kur të jenë zgjidhur çështjet teknike, mendoj se duhet të ketë një përpjekje të re për t’i zgjidhur problemet e tjera - për të nisur zgjidhjen e problemeve të tjera. Nuk besoj se ato mund të zgjidhen shpejt, e kam fjalën për çështjen e statusit. E njihni kushtetutën e Serbisë, e cila është shumë e qartë, andaj duket se kjo do të marrë më shumë kohë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka, gjithashtu, shumë diskutime lidhur me përfitimet e dialogut, sikurse për Kosovën, ashtu dhe për Serbinë. Beogradi pret që, deri në fund të këtij viti, ta marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Zyrtarët kosovarë kanë thënë se do të kërkojnë hapa konkretë lidhur me liberalizimin e vizave dhe marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. A mund të ndërlidhen këto çështje, në fakt, me dialogun teknik?

DORIS PAK
Ju e dini shumë mirë se struktura e këtij dialogu është rezultat i diskutimeve ndërmjet bashkësisë ndërkombëtare, Bashkimit Evropian dhe Beogradit, që do të thotë se duhet treguar një lloj vullneti para se të sigurohet një hap më shumë drejt BE-së.

Serbia e bëri këtë, duke thënë se po nis një dialog teknik. Mendoj se ia doli me këtë, por ende nuk ka ndonjë rezultat. Pra, shpresoj shumë që të ketë rezultate para vjeshtës, sepse vetëm diskutimet teknike pa ndonjë rezultat nuk mendoj se mund të shpërblehen me një qasje të re.

Çështja tjetër është se në momentin kur Prishtina nisi këtë dialog, ishte më shumë në interesin e qytetarëve të Kosovës që të ketë rezultate. Mendoj se nuk do të duhej ta ndërlidhnim këtë dialog me lehtësimin e regjimit të vizave. Lehtësimi i regjimit të vizave nuk ka të bëjë me Beogradin - ka të bëjë me Bashkimin Evropian e vendet e tij anëtare që duhet ta sigurojnë atë dhe me Prishtinën, e cila duhet të përmbushë kërkesat për liberalizimin e vizave.

Prishtinës i duhet një udhërrëfyes, por kjo nuk ka të bëjë me dialogun teknik. Ne duhet të avancojmë në dialogun tonë me Kosovën dhe t’i japim mbështetje. Për mua, është e qartë se duhet që, vendit të fundit në rajon, së paku t’ia japim një mundësi për të marrë udhërrëfyesin dhe për të nisur përmbushjen e kushteve për të hyrë në regjimin pa viza.

Nuk e di se kur do të ndodhë kjo, por nëse nuk niset kjo punë, as nuk mund të përfundohet.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarët në Bruksel kanë thënë se suksesi i dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të ishte shumë i rëndësishëm për politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. A është ky një proces i rëndësishëm vetëm për BE-në apo është i nevojshëm për të dyja palët?

DORIS PAK
Është i rëndësishëm për të dyja palët! Nëse nuk ke marrëdhënie të mira fqinjësore, si mund të hysh në Bashkimin Evropian?

Marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një nga parakushtet, sidomos për vendet që kanë pasur mosmarrëveshje në vitet '90, do të duhej të ishte e mundshme që të ulen së bashku dhe ta zhvillojnë një dialog në mes vete, të kenë marrëdhënie normale, edhe pse njëri nga ta nuk mund ta njohë Kosovën si shtet të pavarur në këtë moment.

Mendoj se ka shumë mundësi të tjera për të pasur marrëdhënie të mira. Kjo duhet të bëhet dhe kur të jetë bërë, atëherë krijohet një fillim i mirë për një hap të ri të Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Ne e kemi këtë interes, por Serbia duhet të përmbushë kushtet.

Kështu ka qenë me Kroacinë dhe me vende të tjera, e kështu do të jetë edhe me Serbinë.

Pa marrëdhënie të mira fqinjësore, ata nuk do të hyjnë në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Përmendët njohjen. Autoritetet kosovare kanë thënë që presin që në përfundim të këtij procesi, Pra të dialogut, Kosova të njihet nga Serbia. Ju si mendoni?

DORIS PAK
Jo, mendoj se ata e kanë keqkuptuar dialogun teknik. Dialogu teknik nuk nënkupton zgjidhjen e çështjeve politike e kushtetuese. Dialogu teknik është një gjë dhe Prishtina do të duhej të ishte e kënaqur nëse arrin rezultatet e nevojshme. Çështjet tjera duhet të zgjidhen me kohë - hap pas hapi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG