Ndërlidhjet

Serbët rrezikojnë regjistrimin


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Pas 30 vjetësh, në Kosovë do të bëhet regjistrimi i popullsisë dhe i ekonomive familjare, proces ky që do të fillojë më një prill dhe do të përfundojë pas dy javësh.

Kreu i Komisionit Qendror për regjistrimin e popullsisë, Rifat Blaku, thotë se përgatitjet për organizimin dhe mbajtjen e këtij procesi janë duke u zhvilluar sipas dinamikës dhe agjendës së paraparë.

Blaku pohon se projekti dhe operacioni i regjistrimit është "tepër kompleks", pasi do të zhvillohet në gjithë territorin e Kosovës.

“Nga terreni kemi informata të rregullta. Aty-këtu ka ndonjë vështirësi... Më 1 prill, ne presim që të startojmë me realizimin e këtij projekti aq të pritshëm”, thotë Blaku.

Disa përfaqësues të komunitetit serb thonë se nuk ka kushte për regjistrim të popullsisë. Rangjell Nojkiq është i sigurt se serbët në veri nuk do të marrin pjesë në këtë proces. Ndërkaq, në pjesën qendrore të vendit, shton ai, regjistrimi do të shënojë një sukses gjysmak.

“Ligji për regjistrim në shumë aspekte është i kufizuar, kështu që serbët frikësohen që ky regjistrim do të keqpërdoret, meqë ligji i pengon ata persona që për vite nuk kanë qenë të pranishëm në Kosovë, të kenë të drejtë në regjistrim. Prandaj, serbët presin që Qeveria në Beograd ta sqarojë këtë çështje”, thotë Nojkiq.

Por, Rifat Blaku thotë se për këtë proces, serbët janë të manipuluar nga Beogradi zyrtar. Sipas tij, problem paraqesin vetëm serbët, të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës, ndërsa serbët e pjesës qendrore, thotë ai, tashmë janë duke bërë përgatitjet për regjistrim sikurse në komunat tjera me shumicë shqiptare.

Ne në Komisionin Zgjedhor kemi përfaqësues të ICO-së, të Bashkimit Evropian, por edhe të tjerë, të cilët e ndihmojnë këtë projekt. Shpresojmë që brenda këtyre ditëve do të ketë angazhim që kjo çështje të menaxhohet, administrohet edhe në atë pjesë (veri)... ndoshta edhe me ndihmën e ICO-së dhe BE-së”, thotë Blaku.

Rezultatet preliminare të regjistrimit, sipas Blakut, do të publikohen në muajin maj, eventualisht qershor, kurse përfundimtaret do të shpallen në vitin 2013.

Për këtë projekt tashmë janë ndarë 11 milionë euro: 30 për qind janë siguruar nga buxheti i Kosovës, ndërsa 70 për qind do të mbështeten nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë ka ndodhur në vitin 1981, nga pushteti i atëhershëm serb.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG