Ndërlidhjet

Knaus: Dialogu rrezikohet nga mosmarrëveshjet në BE


Gerald Knaus
Gerald Knaus
“Pyetja kryesore është se a do të jetë në gjendje Bashkimi Evropian ta bëjë më të qartë vizionin që, sikurse Serbia, ashtu dhe Prishtina, do ta gjejnë në një të ardhme të afërt veten së bashku nën kulmin e përbashkët të integrimit evropian. Kjo është mënyra themelore për afrimin e Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse ky vizion mund të bëhet i qartë nga ndërmjetësuesit evropianë, atëherë mendoj se mund të dalë diçka nga ky dialog - jo vetëm sa i përket atmosferës, por sa u përket rezultateve konkrete”, u shpreh në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Gerald Knaus.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus, raundi i parë i dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit përfundoi të mërkurën - të gjitha palët thanë se ishte një fillim konstruktiv. Cila është pikëpamja e juaj për qëndrimet aktuale të Prishtinës dhe Beogradit?

GERALD KNAUS
Mendoj se çështja kryesore në këto bisedime është që negociatat, vërtet të rëndësishme, nuk po bëhen ndërmjet Prishtinës e Beogradit, por ndërmjet Bashkimit Evropian dhe secilës nga të dyja palët. Realisht, është Bashkimi Evropian ai që mund t’i ofrojë Serbisë diçka që është tërheqëse për të, si për shembull avancimi drejt anëtarësimit në BE, në rast se ajo dëshmon fleksibilitet në disa çështje që kanë të bëjnë me Kosovën.

I takon, po ashtu, Bashkimit Evropian që t’ia ofrojë Prishtinës dhe Qeverisë së Kosovës një perspektivë më konkrete nga ajo që ekziston aktualisht. Në njëfarë mënyrë, pyetja kryesore është se a do të jetë në gjendje Bashkimi Evropian ta bëjë më të qartë vizionin që, sikurse Serbia, ashtu dhe Prishtina, do ta gjejnë në një të ardhme të afërt veten së bashku nën kulmin e përbashkët të integrimit evropian?!

Kjo është mënyra themelore për afrimin e Prishtinës dhe Beogradit dhe nëse ky vizion mund të bëhet i qartë nga ndërmjetësuesit evropianë, atëherë mendoj se mund të dalë diçka nga ky dialog - jo vetëm sa i përket atmosferës, por sa u përket rezultateve konkrete.

RADIO EVROPA E LIRË
Ashtu siç e përmendët ju, zyrtarët evropianë e shohin dialogun si mundësi për integrimin e të dyja vendeve në BE. Por, cilat mendoni se janë përfitimet nga ky proces dhe kush do të përfitojë më shumë?

GERALD KNAUS
Mendoj se përfitimet themelore do të ishin për Serbinë nëse ajo konsiderohet të ketë qenë konstruktive, ndihmon që në fillim në zgjidhjen e disa çështjeve konkrete, si për shembull ato që ndërlidhen me tregtinë e transportin, mosmarrëveshjet që kanë të bëjnë me funksionalizimin e integrimit - siç është lejimi i hyrjes së auto-targave kosovare apo edhe mallrave nga Kosova në Serbi.

Nëse qeveria në Serbi është e gatshme për të dëshmuar një qasje pragmatike për këto çështje, atëherë shpërblimi më i madh që do të ishte tërheqës për qeverinë, do të ishte përshpejtimi i nisjes së bisedimeve për anëtarësim. Kjo do të ishte e mirë për Serbinë, për rajonin, madje edhe për Kosovën.

Sa i përket Kosovës, çështja është pak më e ndërlikuar, sepse aktualisht për shkak të përçarjeve të brendshme brenda BE-së, Kosova është e izoluar. Sfida e madhe për Bashkimin Evropian qëndron këtu - pra, në gjetjen e mënyrës për t’ia ofruar Kosovës udhërrëfyesin për viza, integrimin tregtar me Evropën.

Kërcënimi më i madh për këto bisedime del nga mosmarrëveshjet e brendshme në BE lidhur me atë se çka mund dhe çka do të duhej BE-ja t’i ofronte Prishtinës në drejtim të integrimit evropian. Nëse nuk bëhet ndonjë ofertë, atëherë shumë shpejt do të zvogëlohen interesat e Qeverisë së Kosovës për këtë dialog.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju thatë që Kosova është e izoluar. A mendoni se Prishtina është në pozicion për të pasur kërkesa konkrete ndaj BE-së lidhur me çështje të caktuara, si liberalizimi i vizave dhe të tjera?

GERALD KNAUS
Mendoj se pyetja kryesore për kosovarët është se a do të ofrojë BE-ja një proces të anëtarësimit, i cili do të ishte neutral karshi statusit. Kjo, në parim, do të thotë se Kosova do të trajtohej si pjesë e ardhshme e Bashkimit Evropian.

Për këtë gjë do të vendosej në të ardhmen e largët, por tani ajo do të trajtohej si pjesë e ardhshme e BE-së, sikurse nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj, ashtu dhe nga ato që nuk e kanë njohur atë. Kjo do të thotë, se në njëfarë mënyre, Kosova do të ishte e përfshirë në një proces të ekzaminimit të institucioneve, legjislacionit, ndërtimit të kapaciteteve - një proces të para-anëtarësimit, edhe pse nuk ka ndonjë marrëveshje lidhur me statusin e saj.

Testi më i madh për këtë është çështja e vizave, sepse këtu statusi madje nuk është as problem legal. Tajvani ka negociuar liberalizimin e vizave me BE-në, edhe pse nuk është njohur nga dikush. Nëse BE-ja dëshiron të dërgojë një sinjal të fuqishëm e të besueshëm për qasjen e saj pragmatike, atëherë dhënia e një udhërrëfyesi për viza do t’i jepte me të vërtetë shumë energji procesit të bisedimeve me Serbinë.

Atëherë do t’u tregohej kosovarëve që Bashkimi Evropian është vërtet në gjendje t’u ofrojë diçka që është ekonomikisht e rëndësishme dhe politikisht e kërkuar.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Knaus, ende nuk ka ndonjë afat kohor sa i përket procesit të dialogut, në përgjithësi. Askush, në fakt, nuk e di se sa do të zgjasin këto bisedime, por askush nuk e përjashton mundësinë që do të nevojiten vite derisa Prishtina e Beogradi të arrijnë kompromise mbi disa çështje. Një proces i gjatë i dialogimit a do ta vinte në rrezik perspektivën evropiane të të dyja vendeve?

GERALD KNAUS
Në njëfarë mënyre, dialogu nuk do të duhej ndalur asnjëherë. Që të dyja - Serbia e dhe Kosova, janë të interesuara të lëvizin drejt BE-së, në njëfarë mënyre. Pra, sikurse të gjithë fqinjët në Ballkan, ato duhet të nisin diskutimet mbi një varg çështjesh.

Ekzistojnë, përveç mosmarrëveshjeve të thella lidhur me statusin, shumë çështje konkrete mbi kompromiset dhe zgjidhjet e së cilave, të dyja palët do të përfitonin.

Vetëm në fushën ekonomike, Kosova është një treg potencial shumë i rëndësishëm për Serbinë. Sa më shumë që zhvillohet ekonomia e Kosovës, aq më shumë bëhet tërheqëse për kompanitë veçanërisht në lindje të Serbisë - që është një rajon ekonomikisht i brishtë. Pra, ka shumë përfitime reciproke nga këto raporte dhe në të gjitha sferat shoqërore.

Në këtë aspekt, dialogu nuk do të duhej të përfundonte kurrë, por nëse nuk jep rezultate të besueshme sa më parë, kam frikë se asnjëra palë nuk do ta marrë atë seriozisht.

Me rezultate të besueshme nuk e kam fjalën për marrëveshje vetëm në mes të dyja palëve, por e kam fjalën edhe për sinjale të fuqishme të Bashkimit Evropian për të treguar se e ka me një mend kur thotë që Kosova e Serbia kanë një të ardhme evropiane nën kulmin e përbashkët evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG