Ndërlidhjet

Engel: Serbia mban të pushtuar veriun e Mitrovicës


Eliot Engel
Eliot Engel

Më shqetëson fakti se shoh një lloj tradite në sjelljen e BE-së që shpërblen Serbinë megjithë faktin se nuk ka bërë asgjë, thotë për Radion Evropa e Lirë kongresisti Eliot Engel.




RADIO EVROPA E LIRË
Bisedimet Kosovë-Serbi do të fillojnë brenda pak ditësh. I keni shkruar disa javë më parë presidentit Obama ku i keni kërkuar që Shtetet e Bashkuara të luajnë rol aktiv në këto bisedime. A mendoni se Uashingtoni da ta luajë këtë rol?
ELIOT ENGEL
Mendoj se është shumë e rëndësishme që SHBA-të të luajnë këtë rol, ndaj dhe i shkrova presidentit Obama. Ajo që kemi parë në të shkuarën në Kosovë është se nëse Shtetet e Bashkuara nuk kanë luajtuar rolin e duhur, gjërat që duhet të ndodhnin, nuk kanë ndodhur. Jam i bindur se pa rolin e Shteteve të Bashkuara, nuk do të kishin ndodhur bombardimet që u bënë për të ndaluar pastrimin etnik të Kosovës.

Besoj se kishim të njëjtën situatë edhe në Bosnjë. Pa rolin amerikan nuk do t’i kishim bombardimet që u dhanë fund vrasjeve atje.

Unë mendoj se kosovarët u besojnë SHBA-ve, prandaj ato duhet të jenë të pranishme në bisedime. Më shqetëson fakti se shoh një lloj tradite në sjelljen e Bashkimit Evropian që shpërblen Serbinë, me gjithë faktin se nuk ka bërë asgjë, apo thjesht nuk ka qenë penguese.

Në të njëjtën kohë, kosovarët e ndjejnë se ata kanë qenë bashkëpunues, por gjithmonë iu kërkohet të bëjnë më shumë. Në këto kushte, besoj se Shtetet e Bashkuara janë ndërmjetësuesi i ndershëm.

Mendoj se bisedimet Kosovë-Serbi janë shumë të rëndësishme dhe BE-ja duhet të jetë e kujdesshme, pasi unë personalisht mendoj se Serbia e Kosova duhet të hyjnë në Bashkimin Evropian së bashku.

Serbia e ka penguar anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe unë nuk dua që i njëjti skenar të përsëritet edhe në Bashkimin Evropian, nëse Serbia anëtarësohet para Kosovës.

Serbia ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe lëvizjen e lirë në hapësirën Shengen. Asnjë nga këta hapa nuk është marrë për Kosovën.

Kosova duhet të këtë një plan të përcaktuar drejt Bashkimit Evropian dhe është shumë e rëndësishmë që Kosova të nisë procesin e anëtarësimit sa më shpejt që të jetë e mundur.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se SHBA-të do ta luajnë rolin që ju do të donit ta shihnit?

ELIOT ENGEL
Pjesa kryesore në këtë proces i takon Bashkimit Evropian. Mendoj se është e rëndësishme që SHBA-të ta bëjnë të qartë se duan të jenë të pranishme në çdo hap të procesit.
Kam folur me zyrtarët e administratës Obama dhe të gjithë ata janë dakord se SHBA-të duhet të kenë një rol. Ne duhet të jemi atje për ta ndihmuar Bashkimin Evropian që ta trajtojë Kosovën të barabartë në raport me Serbinë.

Kam folur me zyrtarët e administratës Obama dhe të gjithë ata janë dakord se SHBA-të duhet të kenë një rol. Ne duhet të jemi atje për ta ndihmuar Bashkimin Evropian që ta trajtojë Kosovën të barabartë në raport me Serbinë. Unë mendoj se SHBA-të do jenë të pranishme.

Dua të përsëris faktin se Kosova u beson Shteteve të Bashkuara, ndaj nëse duam të kemi ndonjë lloj përparimi në këto biseda, duhet të ekzistojë besimi.

Nëse kërkohet nga Kosova dhe Serbia që të bëjnë konsesione, Kosova duhet të ketë bindjen se po trajtohet ndershmërisht. Vetëm me Shtetet e Bashkuara të pranishme në dialog, Kosova do ta ketë bindjen se po trajtohet si duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Në çfarë niveli mendoni se SHBA-të do të jenë të pranishme në dialog?

ELIOT ENGEL
Nuk e di, por është e rëndësishme që të jemi atje. Është e rëndësishme që të gjitha palët ta dinë se ne jemi aty dhe po e vëzhgojmë procesin. Ne duam të shohim përparim dhe duhet t’ua bëjmë me dije kosovarëve se nuk do t’i braktisim.

Do jemi aty për të shtyrë përpara përpjekjet për integrimin evropian si dhe të garantojmë se Kosova do të trajtohet ndershmërisht.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse mendoni se këto bisedime janë të rëndësishme, kur dihet se Kosova tashmë është shtet? Ju përmendët fjalën konsesione. Për çfarë konsesionesh bëhet fjalë në këto bisedime?

ELIOT ENGEL
Sinqerisht mendoj se Serbia nuk ka bërë asnjë hap përpara në njohjen e Kosovës si shtet i pavarur. Serbia vazhdon të mbajë të pushtuar veriun e Mitrovicës, ende është armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke punuar në këtë drejtim së bashku me Rusinë.
Serbia vazhdon të mbajë të pushtuar veriun e Mitrovicës, ende është armiqësore ndaj anëtarësimit të Kosovës në OKB, duke punuar në këtë drejtim së bashku me Rusinë.

Kosova duhet të anëtarësohet në Bankën Evropiane për Rindërtim e Zhvillim. Këta janë hapa të rëndësishëm nëse duam të luftojmë papunësinë.

Ka pasur përpjekje për të delegjitimiuar Kosovën. 75 vende e kanë njohur Kosovën, por shumë të tjera nuk e kanë marrë këtë hap pasi ka një presion të madh mbi to. Çështja u dërgua në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe u fitua nga Kosova.

Kam besuar se shumë më tepër shtete do ta njihnin Kosovën pas këtij hapi, por ka pasur përpjekje të shtuara për ta bllokuar procesin. E gjithë kjo nuk është e dobishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Thatë se Serbia e mban të pushtuar veriun e Mitrovicës duke prekur një nga temat më të dhimbshme dhe më shqetësuese për Kosovën sot. Në ç’frymë do të jetë diskutimi për veriun në bisedimet me Serbinë? A jeni të kënaqur me atë që kanë bërë institucionet kosovare për integrimin e veriut?

ELIOT ENGEL
Para së gjithash nuk i di detajet e bisedimeve. Di që ato nuk do të duhej të preknin çështjen e statusit. Fillimisht, do të kemi tema të përgjithshme, pasi, siç thuhet, duhet të ecësh njëherë, e pastaj të vraposh.

Është gjë e mirë që kemi bisedime të drejtpërdrejta. Serbia dhe Kosova duhet ta pranojnë njëra-tjetrën e të integrohen. Kur vendet të anëtarësohen në BE, kufijtë nuk do të jenë të rëndësishëm. Shpresojmë që këto bisedime do të ndihmojnë në ngritjen e besimit, në mënyrë që të kemi bisedime të mëtejshme.

Fola për veriun e pushtuar, pasi veriu i Mitrovicës është trajtuar nga Beogradi si pjesë e Serbisë, kur në realitet është pjesë e Kosovës. Aty ka policë e institucione të Serbisë dhe janë praktikisht të ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës.

Ironia është se shumica e serbëve nuk janë në veri të Mitrovicës, por në pjesë të tjera të Kosovës. Këta qytetarë serbë të Kosovës gjithmonë e më shumë po marrin pjesë në zgjedhjet e Kosovës.

Po të shohim Qeverinë e re të Kosovës, partitë serbe janë pjesë e rëndësishme e koalicionit qeveritar. Kjo është shumë e rëndësishme.

Personalisht kam qenë kampion i të drejtave të pakicave në Kosovë. Po shohim gjithmonë e më shumë pjesëmarrje të serbëve në zgjedhjet dhe institucionet vendore dhe në nivel vendi.

Serbët në veri të Kosovës, po të lejoheshin nga Beogradi, do të kishin marrë pjesë në zgjedhje dhe institucione njësoj si serbët nga pjesët e tjera të Kosovës. Kjo nuk ka ndodhur për shkak të rezistencës së Serbisë.

Përdora fjalën pushtim pasi Serbia e sheh veriun e Mitrovicës si pjesë të saj e jo të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Me afrimin e bisedimeve po dëgjojmë gjithmonë e më shpesh të flitet dhe për status special të veriut. Nga pikëpamja juaj, sa e pranueshme është një zgjidhje e tillë?

ELIOT ENGEL
Qasja ime gjithmonë ka qenë se pranoj gjithçka për të cilën bien dakord Kosova e Serbia. Janë njerëzit që jetojnë atje ata që duhet t’i gjejnë zgjidhjet.

Meraku im është që Kosova të trajtohet në mënyrë të barabartë me Serbinë. Të tjerat nuk paraqesin problem për mua. Çfarëdo që vendosin të dyja vendet, është e pranueshme për mua.

Jam takuar të enjten në Uashington me zëvendëskryeministren Edita Tahiri dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.
...është shumë e rëndësishme që të ndërtohet një lloj besimi dhe që Serbia të pranojë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka kthim pas.
Politikanët e Beogradit duhet t’i tregojnë të vërtetën popullit të tyre, në vend se ta lodhin me retorikën e vjetër nacionaliste
.

Qasja ime është se është shumë e rëndësishme që të ndërtohet një lloj besimi dhe që Serbia të pranojë se Kosova është shtet i pavarur dhe nuk ka kthim pas.

Politikanët e Beogradit duhet t’i tregojnë të vërtetën popullit të tyre, në vend se ta lodhin me retorikën e vjetër nacionaliste. Ata duhet t’iu thonë qytetarëve të tyre se Kosova është shtet i pavarur dhe qytetarët serbë të Kosovës duhet të kenë të drejta të mbrojtura.

E tepërt të thuhet se ndoshta rrjedha e ngjarjeve do të ishte e ndryshme nëse Millosheviqi do ta kishte qeverisur Kosovën me më pak ashpërsi. Në veçanti pas vitit 1999 askush me logjikë të shëndoshë nuk do të pranonte e besonte në një qeverisje të Kosovës nga Beogradi.

Të dyja palët duhet të shohin realitetin si është e ta pranojnë e trajtojnë njëra-tjetrën me respekt gjatë bisedimeve.

Një ditë shpresojmë që të dyja vendet do të jenë anëtare të BE-së, ku kufijtë nuk e kanë këtë rëndësi dhe lëvizja është e lirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Ekziston një drojë në opinionin e Kosovës, por jo vetëm se Prishtina në këto bisedime po shkon me një pozitë të dobësuar, duke pasur parasysh një sërë ngjarjesh. Do të përmendja këtu akuzat ndaj kryeministrit Thaçi, të bëra në një raport të Këshillit të Evropës, apo fakti se presidenti i sapozgjedhur i Kosovës është i përfolur për lidhje me Rusinë. A besoni se Kosova po futet në dialog me pozita të dobësuara?

ELIOT ENGEL
Nuk e di. I kam dëgjuar këto që përmendët. Ka pasur dhe do të ketë gjithmonë akuza, por ato duhen provuar. Fakti që një person shkruan një raport, nuk provon asgjë. Mund të shkruhen akuza për këdo.
Ka pasur dhe do të ketë gjithmonë akuza, por ato duhen provuar. Fakti që një person shkruan një raport, nuk provon asgjë... Sa i takon zotit Pacolli, ai u zgjodh si president me të drejtat kushtetuese.

Sa i takon zotit Pacolli, ai u zgjodh si president me të drejtat kushtetuese. Ka pasur debate nëse janë respektuar procedurat, por ato do të marrin përgjigje nga drejtësia. Sido që të jetë rezultati, kjo është demokracia, ku nuk përputheni në çdo gjë. Mendoj se kjo po ndodh aktualisht.

Nuk mund të komentoj se sa e fortë apo e dobët është pozita. Gjithmonë mund të gjesh momente ku ndihesh më i fortë, por bisedimet janë tani dhe ky është realiteti. Bisedimet në vetvete janë diçka pozitive, e shpresoj që edhe të sjellin rezultate pozitive.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni familjar me Kosovën... Nëse do mund të bëni një vlerësim të zhvillimit demokratik të Kosovës, të themi nga 1 në 10, çfarë note do t’i jepnit?

ELIOT ENGEL
Është shumë e vështirë të bëj një vlerësim të tillë. Ka gjëra që kanë ecur ashtu si kemi dëshiruar, ashtu si ka të tjera elemente për të cilat duhet punuar.

Kosova është një vend i pavarur, synim të cilin e kam mbrojtur për 23 vjet. Në veçanti pas vitit 1999, pas përpjekjes së Millosheviqit për pastrim etnik, pavarësia ishte opsioni i vetëm.

Me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë kam besuar se popujt e atij shteti duhej të kishin të drejtën për vetëvendosje. Kosova gjithashtu duhej të kishte të drejtën për të vetëvendosur, pavarësisht faktit se nuk ishte republikë, por vetëm krahinë autonome.

Nga ky këndvështrim, nëse shikoni Kushtetutën, institucionet, të cilat, mes të tjerash, theksojnë barazinë e qytetarëve serbë të Kosovës si dhe faktin se shteti i ri është njohur nga 75 vende, këto janë arritje shumë pozitive.

Nga ana tjetër, ka dhe plot çështje që duhen adresuar. Do të theksoja këtu papunësinë apo korupsionin. Kemi një shtet të ri dhe gjërat nuk ndryshohen brenda natës, marrin kohë. Kam besim se gjërat po ecin në drejtimin e duhur.

Me lidhjet e ngushta që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara, ne do të shtyjmë miqtë tanë në Kosovë që të kapërcejnë disa nga vështirësitë që kanë përpara.

Me gjithë faktin se kemi publikimin e raporteve shqetësuese, ato duhet të verifikohen. Le t’ia lëmë fjalën drejtësisë. Akuza mund të bëjë gjithkush, ato duhet të provohen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG