Ndërlidhjet

EULEX: Marti ende s'ka ofruar prova


Shtëpia e Verdhë
Shtëpia e Verdhë
Më shumë se një muaj pasi që ka nisur hetimet preliminare, EULEX-i ende nuk ka siguruar prova që të kthejë në zyrtar hetimin mbi pretendimet për trafikim organesh nga ana e ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të ngritura në raportin e senatorit Dik Marti.

Në raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, që u shndërrua edhe në rezolutë të këtij këshilli, thuhet se i ashtuquajturi “Grupi i Drenicës”, në të cilin përmendet edhe kryeministri Hashim Thaci, ishte marrë me trafikim organesh, por edhe me trafikun ilegal të drogës dhe armëve.

Megjithatë, zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi, thotë se me gjithë korrespondencat me senatorin zviceran, Dik Marti, ai nuk i ka siguruar misionit ende asnjë provë.

“Kemi kërkuar disa herë që të na sjellin dëshmitë, por deri më sot nuk kemi marrë asnjë dëshmi. Për momentin, nuk ka asnjë të pandehur e as të dyshuar”, thekson Krasniqi.

Ai thotë se hetimet ende mbesin në fazën preliminare, meqë nuk janë gjetur prova se në Kosovë dhe në veriun e Shqipërisë ishin dërguar të burgosurit e UÇK-së, siç pretendon Marti, për t’iu marrë organet.
Kemi pasur korrespondencë me zotin Marti, kemi shkëmbyer letra. Deri më tani nuk kemi marrë dëshmi as nga zoti Marti, as nga askush tjetër.

“Faktikisht, hetimet janë në fazën preliminare. Pra, arsyet pse janë nisur këto hetime, janë që të shihet se a ka ndonjë dyshim të arsyeshëm se një krim serioz është kryer, si dhe a ka të pandehur, të cilët do të identifikohen”.

“Kemi pasur korrespondencë me zotin Marti, kemi shkëmbyer letra. Deri më tani nuk kemi marrë dëshmi as nga zoti Marti, as nga askush tjetër, edhe pse EULEX-i ka bërë thirrje shumë herë që çdokush që ka ndonjë dëshmi lidhur me këto pohime, t’i sjellë ato tek autoritetet prokuroriale”,
thotë Krasniqi.

Autoritetet në Kosovë, miratimin e rezolutës që ka për bazë raportin e Dik Martit, e kanë parë si një hap që dëmton Kosovën. Megjithatë, ekziston bindja se përmbyllja e këtij rasti nga ana e drejtësisë është në të mirë të Kosovës.

Kreytari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Musa Dragusha, thotë se për të treguar se vendi do bashkëpunojë plotësisht në këto hetime, duhet të ndërmarrë disa hapa.
Parlamenti i ri e ka për detyrë të adaptojë një kornizë gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e dëshmitarëve, për të dëshmuar besueshmërinë e zotimeve në mbështetje të hetimeve.

“Tash është e qartë se institucionet e reja, e në veçanti Parlamenti i ri e ka për detyrë të adaptojë një kornizë gjithëpërfshirëse për mbrojtjen e dëshmitarëve, për të dëshmuar besueshmërinë e zotimeve në mbështetje të hetimeve”.

“Më tutje, duhet adaptuar e tërë korniza ligjore që garanton besueshmërinë e hetimeve sipas standardeve ndërkombëtare. Dhe, përfundimisht është momenti kur drejtësia kosovare duhet të dëshmojë aftësinë për t’u përballur me përgjegjësitë që shtrohen para saj”,
thotë Dragusha.

Senatori Dik Marti përpiloi raportin e tij pas publikimit të librit të ish-kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Karla Del Ponte, e cila e para pretendoi se gjatë luftës së Kosovës ishte kryer tregti me organe njerëzore.

Vetë Del Ponte, e cila është kthyer në Zvicër pas përfundimit të mandatit si ambasadore në Argjentinë, është shprehur se dëshiron t’i kryejë hetimet.

“Duhet të krijohet një institucion i pavarur ndërkombëtar, i cili do të ishte përgjegjës për hetime dhe për mbrojtjen e dëshmitarëve. Personalisht do të më pëlqente t’i bëja këto hetime në Kosovë. Unë e njoh mirë lëndën dhe kam lidhje të mira dhe këto hetime do t’i kryej shpejt”, ka thënë Del Ponte, për gazetën “Neue Zurcher Zeitung”.

Ajo ka pranuar se gjatë kohës sa ishte kryeprokurore nuk ka pasur prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë në lidhje me dyshimet.

Në anën tjetër, misioni evropian për sundimin e ligjit është shprehur i gatshëm t’i kryejë hetimet, duke hedhur poshtë pretendimet e Martit dhe Del Pontes se EULEX-i nuk mund të bëjë hetime të pavarura.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG