Ndërlidhjet

Pacolli: Veri e jug, vetëm terma gjeografikë


Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli.
Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli.
Presidenti i Kosovës, Behxhet Pacolli, shprehu vendosmërinë për të shtrirë sundimin e ligjit edhe në pjesën veriore të vendit.

Në vizitën e parë që i bëri qytetit të Mitrovicës që nga emërimi i tij në postin e presidentit të vendit, Pacolli eci i shoqëruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, dhe nën masa të rrepta të sigurisë mbi urën e lumit Ibër për të arritur te “Tre Rrokaqiejt” në veri të qytetit.

Presidenti Pacolli e tha se për të nuk ekzistojnë termat “veri” dhe “jug”, ngase ato, siç tha ai, janë vetëm terma gjeografikë, e jo politikë apo administrativë.

Gjatë një bisede të shkurtër me qytetarë të pjesës veriore, Pacolli garantoi luftimin e “bandave kriminele” që, sipas tij, pengojnë jetën normale në veri.
Të gjitha bandat kriminale që e pengojnë jetën normale në këtë anë, ne do t’i luftojmë me vendosmëri.

Ju jeni pjesë e halleve tona. Ndjene veten gjithmonë si qytetarë të barabartë të Kosovës! Të gjitha bandat kriminale që e pengojnë jetën normale në këtë anë, ne do t’i luftojmë me vendosmëri dhe ju them se në të ardhmen askush nuk guxon ta çojë gishtin drejt asnjë banori, pa marrë parasysh i cilës etni është. Ju jeni pjesë e Kosovës dhe jeni të mbështetur me përkushtim nga institucionet e Kosovës”, u shpreh Pacolli.

Veriu i Kosovës ka kohë që është shpallur fokus i veprimeve të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në Kosovë, mirëpo përpjekjet e deritashme për ta integruar veriun në jetën institucionale të vendit vazhdojnë të hasin në kritika të shumta.

Megjithatë, ministri Rexhepi tha se synim i ekzekutivit të vendit do të jetë integrimi i tërësishëm i pjesës veriore.
Krejt territori i Kosovës do të jetë unik dhe do të vlejnë ligjet e Kosovës.

“Krejt territori i Kosovës do të jetë unik dhe do të vlejnë ligjet e Kosovës. Ky është një proces. Këto janë dy çështje: në rend të parë sundimi i rendit dhe i ligjit dhe zhvillimi ekonomik. Këto do të jenë si synime strategjike në të ardhmen, që të bëhet integrimi i mirëfilltë i qytetarëve, e jo vetëm integrimi administrativ”, tha Rexhepi.

Ndërkohë, i pyetur se a do të duhej veriu të jetë pjesë e dialogut të ardhshëm me shtetin serb, Pacolli tha se u takon mekanizmave përgjegjës të vendosin mbi këtë gjë.

“Grupi për bisedime është në formim e sipër. Ata kanë agjendën e vet - një agjendë e mbështetur nga miqtë tanë ndërkombëtarë, nga Qeveria e Kosovës dhe natyrisht edhe nga presidenca. T’i lëmë që ata të veprojnë me agjendën e tyre”, theksoi presidenti Pacolli.

Derisa autoritetet në Kosovë këmbëngulin në natyrën teknike të bisedimeve, në Serbi thonë se tema të diskutimit do të jenë statusi i Kosovës dhe çështja e veriut të vendit.

Sinjalet e fundit për kërkesa të tilla i dha, ditë më parë, shefi i diplomacisë serbe, Vuk Jeremiq, duke shprehur bindjen se në bashkësinë ndërkombëtare “ndarja e Kosovës” konsiderohet si një nga temat e kompromisit eventual ndërmjet palëve.

Brukseli zyrtar, ndërkaq, i vlerëson bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si një mundësi të mirë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet palëve në drejtim të integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG