Ndërlidhjet

Shqetësime për lidhjet e Pacollit me Rusinë


Një nga dekoratat shtetërore ruse me të cilën është nderuar Behxhet Pacolli.
Një nga dekoratat shtetërore ruse me të cilën është nderuar Behxhet Pacolli.
Zgjedhja e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe e presidentit Behxhet Pacolli është përcjellë me kundërthënie.

Kryeministri Thaçi është akuzuar për trafikim organesh në raportin e Dik Martit, akuza këto që nga ai dhe institucionet e Kosovës janë hedhur poshtë.

Për presidentin e Kosovës, 59-vjeçarin Behxhet Pacolli, që u zgjodh para disa ditësh në seancën e Kuvendit të Kosovës, thuhet se është shqiptari më i pasur në botë. Ky multimilioner është pronar i firmës gjigante ndërtimore “Mabetex”, me seli në Zvicër.

Ai është i njohur për lidhje të mjegulluara me Rusinë, e cila ka lobuar kundër pavarësisë së Kosovës në nivel ndërkombëtar.

Lidhjet e Pacollit me Rusinë paraqesin shqetësim për pjesën më të madhe të vëzhguesve.

Anëtari i Kuvendit të Kosovës, Visar Ymeri, nga Lëvizja Vetëvendosje, ka shpjeguar se përse kjo lëvizje ka refuzuar ta mbështesë Pacollin.

“Suksesi më i madh i Pacollit ishte arritur për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë. Pacolli u bë i pasur në Rusi dhe njëherësh Rusia synon ta forcojë Serbinë. Serbia si shtet i ka borxh Rusisë për ekzistencën e saj politike dhe Rusia është kundërshtari kryesor i tashëm dhe historik i së drejtës së shqiptarëve për vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.

Biznesi ndërtimor i Pacollit filloi në vitet e hershme të të 90-tave, kur ai i realizoi projektet në qytetin e Lindjes së Largët Ruse, Irkutsk. Në atë kohë, prefekt i këtij qyteti ishte Pavel Borodin, i cili në vitin 1993 u bë udhëheqës i zyrës së Kremlinit për pasuri, nën presidentin e atëhershëm, Boris Jelcin.

Letër e kabinetit të Jelcinit drejtuar Pacollit.
Në mënyrë të shpejtuar kompanisë Mabetex të Pacollit iu dha kontrata për riparimin e Kremlinit, që është rezidencë presidenciale, dhe për punë në ndërtesat kryesore të qeverisë, pastaj në Duma, Këshillin e Federatës e të tjera.

Vladimir Ivanidze është gazetar rus, që ka zhvilluar hetime për punën e “Mabetex”-it në Rusi.

Behxhet Pacolli nuk ishte biznesmen i tillë i suksesshëm siç është tash. Ai ishte një person që ndihmonte në pastrimin e parave të njerëzve siç ishte Pavel Borodin dhe disa minsitra e zëvendësministra. Më kujtohet cinizmi i vetë Borodinit që premtoi se do të më fuste në burg për 5 vjet. Por, fati ishte i tillë që ai përfundoi në burg”, thotë gazetari Ivanidze.

Për Pacollin dhe “Mabetex”-in janë zhvilluar hetime nga prokurori i përgjithshëm rus, Juri Skuratov.

Borodini ishte arrestuar në Nju Jork, në vitin 2001, por ishte liruar pasi Qeveria e Rusisë pagoi 5 milionë franka zvicerane. Rasti kundër tij u mbyll në vitin 2002, pasi Rusia refuzoi t’i publikonte dokumentet kryesore. Prej vitit 2000, zoti Borodin ka shërbyer si udhëhqës i Unionit Rusi - Bjellorusi.

Pacolli është akuzuar se ka paguar kartelat bankare, që ishin përdorur nga vetë Boris Jelcini dhe dy vajzat e tij.

Rasti kundër Pacollit në Zvicër është mbyllur në vitin 2002.

Hetimet zvicerane i kishte udhëhequr Karla Del Ponte, e cila më vonë shërbeu si kryeprokurore e Tribunalit të Hagës, e që fillimisht i kishte hetuar akzuat për trafikim organesh kundër Hashim Thaçit.

Gazetari Vladimir Ivanidze e akuzon Moskën për mbrojtjen e Behxhet Pacollit.

“Pacolli ishte pjesë e skemës së korrupsionit në Rusi, nga e cila Zvicra nuk mori asnjë dokument. Për ta akzuar Pacollin për krime financiare, Zvicrës i duheshin dokumentet e Rusisë, të cilat natyrisht nuk ishin dërguar”, thotë gazetari rus, Vladimir Ivanidze.

Kompania “Mabetex” kishte projekte shtetërore edhe në Kazakistan, Uzbekistan dhe në Itali.

Në çfarë mase janë lidhjet aktuale të Pacollit me Rusinë, nuk dihet.

Ai është i martuar me 33-vjeçaren nga Shën Petersburgu, emri i vajzërisë i së cilës ishte Maria Shiçkova.

Analisti prishtinas, Ylli Hoxha, thotë se Pacolli mund të ketë pozicion të ndërvarur nga autoritetet e Rusisë.

“Zoti Pacolli domosdo do ta ketë brengën se çfarë politike udhëheq Rusia, sepse vetëvetiu ky është një relacion që e vendos Pacollin në pozitë të ndërvarësisë ndaj autoriteteve të Rusisë”.

“Duke pasur parasysh se Kosova është shtet i krijuar me mbështetjen e Perëndimit dhe se kjo është kontestuar kryesisht nga Rusia, kjo marrëdhënie është shumë shqetësuese”,
thotë Ylli Hoxha. (f.b.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG