Ndërlidhjet

OKB: Këshilli i Sigurimit debatoi për Kosovën


Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit
Serbia kërkoi nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të zhvillojë hetime të pavarura lidhur me akuzat për trafikim të organeve ndaj kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Por, ambasadorët e shteteve perëndimore e hodhën poshtë këtë kërkesë, duke thënë se misioni i Bashkimit Evropian për polici dhe sundim të ligjit, EULEX, në Kosovë, që tashmë i ka filluar hetimet preliminare lidhur me këto akuza, mund ta hetojë këtë çështje.

Në këtë temë, në seancën e mbrëmshme, pos tjerash, foli edhe përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara, Rosemary DiCarlo.

“EULEX-i e ka juridiksionin dhe mandatin që të merret me krime të luftës. Është marrë me çështje të ngjashme në të kaluarën dhe do ta ketë peshën e plotë të Bashkimit Evropian dhe të partnerëve të tij për ta mbështetur këtë. Ne e përshëndesim mbështetjen e deklaruar nga qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë për hetim të këtillë. Ne nuk besojmë se një mekanizëm ad-hoc i Kombeve të Bashkuara, është i domosdoshëm ose është përkatës në dritën e mandatit të Bashkimit Evropian”
, theksoi Rosemary Di Carlo.

Ambasadorët e Britanisë dhe të Gjermanisë shprehën qëndrime të ngjashme me ato të Shteteve të Bashkuara, por kërkesa e Serbisë është mbështetur nga aleati i saj, Rusia.

Për ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, zgjidhja për këtë çështje është krijimi i një mekanizmi ad-hoc të krijuar nga OKB-ja.

“Është pozicion i Republikës së Serbisë, se zgjidhja qëndron në ndërtimin e një mekanizmi hetues ad-hoc, të krijuar dhe që i përgjigjet Këshillit të Sigurimit. Ky ishte rast në të gjitha instancat, që involvonin krimet e luftës në Ballkan, me ç’rast kryesit e secilës palë i takojnë atij, pavarësisht nga roli i tyre politik. Vetëm me aksion nëpërmjet të Këshillit të Sigurimit, ne mund të parandalojmë krijimin e perceptimit për standarde të dyfishta në administratën e drejtësisë ndërkombëtare”
, tha Vuk Jeremiq.

Në fjalimin e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, përfaqësuesja e Kosovës, Vlora Çitaku, e akuzoi raportin e Dik Martit për trafikim të organeve njerëzore, duke thënë se “deri tash nuk ka sjellë asnjë provë”.

Në këtë kuadër, Çitaku theksoi:

“Duke e liruar imagjinatën, por duke dështuar që të sjellë çfarëdo lloj prove, raporti i Martit më tutje, pretendon se zyrtarët e lartë të NATO-s, të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara, kanë pasur dijeni për këtë dhe e kanë toleruar këtë keqbërje të dyshuar. Qeveria e Kosovës në mënyrë të qartë dhe të ashpër i ka hedhur poshtë akuzat e këtilla në raportin e Martit. Me gjithë lëndimin e thellë të ndjenjave të secilit kosovar, raporti po ashtu, për fat të keq, e ka dëmtuar edhe reputacionin tonë ndërkombëtar”
.

Në seancën, që përfundoi mbrëmë vonë, disa ambasadorë të vendeve të ndryshme, i uruan Kosovës, trevjetorin e pavarësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG