Ajo që do të cenojë standardin në mënyrë hipotetike, do të jetë vullneti i partive politike, i cili për fat të keq edhe në momentin që po flasim, po paraqitet i shtrembëruar, duke pasur parasysh që partitë politike të spektrit të majtë të Parlamentit shqiptar nuk kanë sjellë propozimet për komisionarët e nivelit të dytë, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Komisonit Qendror të zgjedhjeve në Shqipëri, Arben Ristani.
RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Ristani, janë tejkaluar afatet në dispozicion të partive politike për t’i dorëzuar emrat në komisionet e nivelit të dytë të administrimit të zgjedhjeve te KZAZ-të. A janë në rrezik standardet e zgjedhjeve lokale për këtë arsye?
ARBEN RISTANI
Në bazë të Kodit Zgjedhor, partitë politike duhet të sillnin propozimet
për Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor deri më datë 24 janar dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhej t’i kishte të konstatuara komisionet e nivelit të dytë deri më datën 8 shkurt.
Partitë politike i sollën një pjesë me vonesë dhe një pjesë nuk i sollën fare propozimet për anëtarët e komisionit të nivelit të dytë. Konkretisht, jemi në gjendjen që Partia Demokratike i ka plotësuar të gjitha propozimet e saj, duke e respektuar në detaje ligjin.
Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka sjellë pjesën më të madhe, ka ende një pjesë të vogël pa e sjellë, ndërkohë që Partia Socialiste dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut nuk i kanë paraqitur propozimet e tyre, duke shkelur në mënyrë flagrante ligjin dhe duke e penguar punën korrekte të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo mangësi ligjore me siguri do të sjellë cenim të standardeve në zgjedhjet që vijnë.
RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë do të bëjë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në këto kushte kur përfaqësues të opozitës kanë lënë të kuptohet se mund edhe të bojkotojnë procesin zgjedhor?
ARBEN RISTANI
Ju kemi bërë thirrje herë pas here partive politike, qoftë me shkrim, qoftë nëpërmjet mediave, që ta respektojnë ligjin. OSBE-ja ka pasur dy deklarata në këtë drejtim. Por, duke qenë se Kodi Zgjedhor është i ndërtuar mbi baza mbipartizane, përgjegjësia kryesore ngelet te partitë politike për të zbatuar ligjin.
Megjithatë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po merr të gjitha masat për të shkuar në zgjedhje edhe në rast se partitë politike nuk do t’i realizojnë detyrimet e tyre ligjore. Pra, ne po i shikojmë mundësitë për ta plotësuar administratën zgjedhore mbi bazën e mundësive që na i jep Kodi Zgjedhor.
RADIO EVROPA E LIRË
A mund të zhvillohen zgjedhjet me këtë Kod elektoral, duke pasur parasysh se raporti i OSBE-ODIR-it për zgjedhje të përgjithshme të qershorit 2009, bëri një sërë rekomandimesh duke theksuar nevojën për ndryshim të Ligjit zgjedhor, me qëllim zhvillimin e zgjedhjeve sipas standardeve më të larta demokratike?
ARBEN RISTANI
Cenimi i standardeve në zgjedhjet e kaluara, ka ardhur nga vullneti i shtrembëruar i partive politike. Rekomandimet e OSBE-ODIR-it, për ndryshimet ligjore, synonin pikërisht kanalizimin apo kornizimin e vullnetit të partive politike në mënyrë që ai të mos shfaqej i shtrembëruar në zgjedhje.
Aktualisht, po kalon koha për ndryshimet e mundshme ligjore, por Kodi zgjedhor garanton mundësinë e arritjes së standardeve. Ajo që do të cenojë standardin në mënyrë hipotetike, do të jetë vullneti i partive politike, i cili për fat të keq edhe në momentin që po flasim, po paraqitet i shtrembëruar duke pasur parasysh që partitë politike të spektrit të majtë të Parlamentit shqiptar nuk kanë sjellë propozimet për komisionarët e nivelit të dytë.
Kjo do të thotë kufizim i kohës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të trajnuar komisionarët dhe për të pasur një administratë zgjedhore profesionale.
RADIO EVROPA E LIRË
Megjithatë, në zgjedhjet e 2009-s u vu re një problematikë e madhe në procesin e numërimit të votave, që si procedurë shkoi të paktën 10 ditë. A duhej të ishte përmirësuar të paktën ky proces në kod për këto zgjedhje?
ARBEN RISTANI
Procesi i numërimit, sidomos në zgjedhjet lokale, është më i vështirë sesa procesi i numërimit në zgjedhjet e përgjithshme, duke pasur parasysh që në zgjedhjet e përgjithshme kemi një fletë votimi, ndërsa në zgjedhjet lokale në Tiranë do të kemi 4 fletë votimi dhe në pjesën tjetër të Shqipërisë dy fletëvotimi.
Megjithatë, ky numërim do kohë, është e sigurt se afati ligjor nuk kapet, sepse, për mendimin tim, është i ngushtë si afat. Por, gjithsesi ajo që sjell probleme në numërim është përsëri vullneti i partive politike, të cilat ashtu si në zgjedhjet e kaluara, nuk do të duhej ta bllokonin procesin e numërimit, nuk do të duhej të futeshin njerëz të paautorizuar në vendet e numërimit në mënyrë që të lihet procesi i lirë dhe në rrjedhën e vet normale.
RADIO EVROPA E LIRË
Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka edhe një ngërç tjetër të fortë, pasi që prej disa javësh po zhvillon punën pa praninë e tre anëtarëve të saj të propozuar nga opozita. Si do të ndikojë kjo në procesin zgjedhor?
ARBEN RISTANI
Ajo që më duhet ta theksoj me forcë është fakti që këta tre anëtarë vërtet janë të propozuar nga opozita, por ata nuk i përkasin opozitës. Ata, në bazë të ligjit, janë profesionistë të lirë, të cilët nga që momenti që janë emëruar, kanë bërë betimin përpara Kuvendit të Shqipërisë për të qenë të paanshëm në punën e tyre, për të mos mbajtur krah politik dhe mosardhja e tyre në KQZ si pasojë e politikës së propozuesve të tyre, tregon haptazi që ata shkelin ligjin dhe betimin që kanë bërë në Kuvend.
Kjo është një gjendje për të ardhur keq, por jo një gjendje pa zgjidhje pasi KQZ-ja ka kuorumin e mjaftueshëm për t’u mbledhur dhe ka votat e mjaftueshme për të administruar procesin.
RADIO EVROPA E LIRË
Së fundmi, zoti Ristani, a do të kemi zgjedhje lokale brenda të gjitha standardeve më 8 maj?
ARBEN RISTANI
Do të shpresoja shumë që të kishim një proces brenda standardeve më 8 maj, por nga mënyra se si ka nisur procesi, më vjen keq të them që nuk do të arrihen dot standardet, në rast se forcat e majta të vazhdojnë të sillen në mënyrë bojkotuese ndaj zgjedhjeve.