Ndërlidhjet

Beogradi t’i kthejë eksponatet e Kosovës


Ekspozitat e ndryshme, kryevlerat e artit dhe eksponatet e ndryshme arkeologjike në Muzeun e Kosovës, bëjnë që brenda një viti atë ta vizitojnë rreth 60 mijë qytetarë të ndryshëm nga vendi dhe bota.

Drejtuesit e këtij institucioni thonë se muzeu ofron mundësi të shumta që vizitorët vendorë dhe ata ndërkombëtarë të dinë më shumë për të kaluarën e lashtë të Kosovës.

Sali Arifi është njëri nga vizitorët e këtij muzeu. Ai thotë se shpeshherë e viziton këtë institucion, duke treguar se sheh eksponate shumë interesante.

”Muzeun e vizitoj shumë shpesh. Sa herë që ka ekspozita jam i rregullt. Më pëlqen shumë. Do të kisha veçuar gjëra shumë interesante të arkeologjisë, gjëra shumë të lashta dhe me vlerë, pastaj ekspozita tematike etj.”
, tregon Arifi.

Arbër Hadri, drejtor i Muzeut të Kosovës, thotë se përpos eksponateve të ekspozuara, këtij muzeu i mungojnë edhe 676 eksponate arkeologjike dhe 571 eksponate etnologjike, që gjenden në Beograd, të cilat janë rrëmbyer gjatë luftës dhe nuk janë kthyer më.

Zoti Hadri shpreh shqetësimin e tij lidhur me vonesat që këto eksponate ende gjenden në Serbi, derisa shton se është arritur që vetëm Hyjnesha në Fron të kthehet nga Beogradi në vitin 2002.

”Është kthyer vetëm Hyjnesha në Fron, në vitin 2002. Kemi bërë kërkesa të pareshtura në kontekstin e negociatave që ka pasur Kosova me Serbinë në Vjenë dhe kjo ka hyrë në Pakon e Ahtisarit, që këto eksponate duhet të kthehen dhe presim që të hiqet petku politik, sa i përket trashëgimisë kulturore”,
thekson Hadri.

Në anën tjetër, Haxhi Mehmetaj, arkeolog, njëherësh drejtor i Institutit të Monumenteve dhe Muzeut rajonal të Prishtinës, thotë se çështja e eksponateve është më shumë politike dhe kthimi i tyre duhet të bëhet sa më shpejtë që është e mundur, duke e marrë parasysh, siç thotë ai, vlerën e tyre kulturore dhe peshën që kanë ato eksponate.

”Në vitin 1999 është marrë thesari arkeologjik i Kosovës që tregon trashëgiminë arkeologjike që nga mijëvjeçari i shtatë para epokës sonë, e deri para epokës sonë të shekullit XII - XIII. Thuhet se janë 677 eksponate, por duhet pasur parasysh se aty është bërë përzgjedhja e eksponateve arkeologjike që nga periudha e neolitit, mijëvjeçarit të gjashtë-shtatë para Krishtit dhe ato eksponate prezantojnë kulturat tona dhe paraqesin vlera tipike nëpër shekuj”, thotë Mehmetaj.

Ndërkaq, zoti Hadri thotë se eksponatet që janë të ekspozuara në muze, janë shumë atraktive dhe datojnë nga periudha e neolitit, 6 mijë vjet para erës së re, derisa tregon se aty gjenden edhe gjëra nga bronzi e hekuri të periudhës dardane, të shekullit IV para erës së re.

Hadri shton se disa herë kanë marrë pjesë edhe në ekspozita ndërkombëtare, me eksponatet arkeologjike.

”Muzeu ka realizuar rreth 10 ekspozita muzeore. Në punën kërkimore realizojmë një sërë projektesh të natyrës arkeologjike në Kosovë, punës kërkimorë historike, artit, si dhe studimin e koleksionit. Si partner me muzeun e Londrës, kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe kemi mbajtur ekspozitë atje. Tani jem në negociata dhe pritet të kemi një bashkëpunim me Muzeun arkeologjik të Francës në Paris, ku shpresojmë ta realizojmë edhe atje një ekspozitë”,
shpjegon Hadri.

Ndërkaq, zoti Mehmetaj shpreh shqetësimin e tij duke thënë se që nga paslufta janë ndërmarrë shumë veprime që ky thesar që gjendet në Serbi, të kthehet në Kosovë, mirëpo kanë rezultuar pa sukses.

Sipas Mehmetajt, kjo çështje duhet të sensibilizohet edhe ndërkombëtarisht dhe t’u bëhet presion vendimmarrësve në Serbi, në mënyrë që eksponatet të kthehen në Muzeun e Kosovës, aty ku edhe e kanë vendin.

* * * * *
Video: Edona Peci

Përfaqësues të Muzeut të Kosovës kërkojnë kthimin e menjëhershëm të qindra eksponateve etnologjike e arkeologjike, të cilat, siç thonë ata, po mbahen peng nga Beogradi. Ata u bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse në Serbi të zhvishen nga petku politik dhe të kthejnë prapa pjesë të trashëgimisë kulturore të Kosovës, ndërsa shfaqin shpresën se kjo çështje mund të zgjidhet në kuadër të dialogut të ardhshëm ndërmjet palës serbe e asaj kosovare.

Muzeu i Kosovës
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:01:41 0:00

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG