Ndërlidhjet

Prioritetet e pakicës serbe


Serbët në legjislativin e ri kanë arritur të sigurojnë 13 ulëse, tri më shumë sesa në mandatin e kaluar. Por, cilat janë prioritetet e tyre? Ndërsa Partia Liberale Serbe, e cila ishte në koalicionin qeverisës mandatin e kaluar, u mbetet besnike institucioneve të Kosovës, partia që hyri e re në këtë mandat, Lista e Bashkuar Serbe, prioritet ka bashkëpunimin edhe me Prishtinën edhe me Beogradin.

Pikësynim i subjekteve politike serbe, që kanë siguruar ulëse në Kuvendin e Kosovës, është mbetja e serbëve në Kosovë. Por, dallon mënyra se si të arrihet që serbëve t’u sigurohet një jetë e dinjitetshme.

Partia Liberale Serbe, e cila në këtë mandat ka 8 deputetë, u mbetet besnike institucioneve të Kosovës, ndërsa synon që sërish të jetë në koalicionin qeverisës. Deputeti i ri i kësaj partie, Goran Marinkoviq, rendit disa nga prioritetet në qeverisjen e ardhshme.

“Do të kemi prioritet përmirësimin e jetës së komunitetit serb, infrastrukturë më të mirë, shkolla më të mira. Po ashtu, për t’i jetësuar këto presim ndihmën e komunitetit ndërkombëtar”
, thotë Marinkoviq.

Partia Liberale Serbe qe kritikuar nga disa politikanë serbë për vendosmërinë e tyre që të hyjnë në institucionet e Kosovës në mandatin e kaluar. Por, në këtë mandat, është edhe një subjekt tjetër politik serb, që nuk i ka marrë parasysh thirrjet e Beogradit për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e organizuara për herë të parë në Kosovën e pavarur.

Lista e Bashkuar Serbe, e udhëhequr nga Rada Trajkoviq, ka fituar 4 ulëse në Kuvend. Por, Trajkoviq, ka një strategji tjetër të funksionimit, nga ajo e serbëve liberalë. Ajo dëshiron të ruajë bashkëpunimin me Beogradin.

“Me të vërtetë dëshiroj që të bëj përpjekje që institucionet që e kanë mundësuar mbetjen e serbëve në Kosovë dhe që direkt e kanë mbështetur multi-etnicitetin në këto hapësira, mendoj në arsim dhe shëndetësi, të jenë pjesë e sistemit sikur deri tani, në fakt të jenë pjesë e sistemit të Beogradit me marrëveshje me institucionet e Prishtinës. Gjithsesi lëvizja e lirë e të gjithë njerëzve, shqiptarëve e serbëve, është diçka që duhet të jetë reale, dhe mendoj edhe në lëvizjen e shqiptarëve në veri të Kosovës”, thekson Trajkoviq.

Për një lëvizje të lirë shprehet edhe Marinkoviq.

“Lëvizja e lirë për komunitetin serb është një nga çështjet më të rëndësishme, edhe pse në kohët e fundit kjo çështje është përmirësuar shumë”,
shprehet Marinkoviq.

Subjektet politike serbe që garuan për zgjedhjet e 12 dhjetorit kanë shkëmbyer më herët akuza për manipulim votash. Kritikuesja më e madhe ka qenë Rada Trajkoviq, e cila ka akuzuar Partinë Liberale për këtë, parti kjo, që tashmë udhëheq me disa nga komunat e reja serbe në Kosovë.

Por, Trajkoviq, nuk beson në përpjekjet e tyre për të ofruar më të mirën qytetarëve serbë.

“Disa serbë, fatkeqësisht, apo një pjesë e mirë e serbëve janë zgjedhur me mbështetjen direkte të Hashim Thaçit. Se sa do të jetë ai program i njëjtë për serbët me programin e atyre që kanë mbajtur qëndrim të balancuar, sa i përket zgjidhjes së problemit dhe bashkëpunimit me Beogradin dhe Prishtinën, meqë Beogradi mbetet punëdhënësi më i madh i serbëve në Kosovë, unë nuk e di. Por, Lista e Bashkuar Serbe do të punojë në këtë drejtim”, thotë Trajkoviq.

Edhe në këtë mandat, 20 vende në Kuvendin e Kosovës kanë qenë të rezervuara për minoritetet. Por, meqë pjesëmarrja në zgjedhje nga ana e tyre ka qenë më e madhe, ata kanë arritur të fitojnë edhe 5 vende shtesë. Tash 13 vende iu takojnë deputetëve serbë, ndërsa 12 minoriteve tjera joserbe.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG