Ndërlidhjet

Soghom: Lindja e Mesme po ndryshon


Mardo Soghom, zëvendësdrejtor i programit në Radion Evropa e Lirë
Mardo Soghom, zëvendësdrejtor i programit në Radion Evropa e Lirë
Ndryshimet në Lindjen e Mesme kanë filluar, Egjipti nuk do të jetë si më parë, kurse bota arabe po hyn në një fazë të demokratizimit, thotë Mardo Soghom, zëvendësdrejtor i programit në Radion Evropa e Lirë.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Soghom, presidenti i Tunizisë e braktisi vendin pas protestave disaditëshe. Në këndin tjetër të Afrikës Veriore, Egjipti është në krizë të thellë. Sipas jush, çfarë e frymëzon revoltën arabe?

MARDO SOGHOM
Në Tunizi dhe në Egjipt revolta filloi nga njerëz të rinj të arsimuar, të cilët për shkak të gjendjes së tyre ekonomike dhe politikës autoritare në vend, thjesht janë të pashpresë për të ardhmen e tyre. Ata kanë aspirata personale, ata duan të kenë mundësi normale dhe të drejta për të qenë të suksesshëm në jetë. Ata duan të kenë mundësi për punë të mirë, për një të ardhme më të mirë.

Ata, gjithashtu, kanë aspirata kombëtare. Shumë arabë ndjejnë se vendet e tyre nuk janë respektuar sa duhet nga pushtetet autoritare që i kanë pasur. Prandaj, kjo nuk është domosdo një lëvizje fundamentaliste apo fetare, por bazohet në kërkesat themelore dhe shumë të thjeshta njerëzore dhe ekonomike.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ekstremistët mund ta shfrytëzojnë situatën në Egjipt për agjendën e tyre? Apo të themi ndryshe, çfarë janë gjasat që Vëllazëria Myslimane ta ndryshojë Egjiptin në një Iran të ri?

MARDO SOGHOM
Kuptohet, në rastin e Egjiptit gjithmonë ekziston mundësia e tillë. Por, mendoj se nuk janë aq të larta gjasat që Egjipti të bëhet një Iran tjetër. Arsyeja është se Vëllazëria Myslimane në Egjipt ka qenë në skenë për 80-85 vjet. Ata nuk ia kanë dalë mbanë më parë, prandaj mund të shtrohet pyetja përse duhet të kenë sukses tani?

Elita politike, ekonomike apo ushtarake e Egjiptit nuk është zhdukur. Ata janë aty dhe e kanë qëndrimin e njëjtë negativ ndaj Vëllazërisë Myslimane që e kishte Gamal Abdel Naseri, Anvar El Sadati apo Hosni Mubaraku. Të mos harrojmë se Egjipti ka një lloj elite politiko-ushtarake. Nuk është çështja vetëm te Mubaraku, madje edhe nëse ai largohet.

Faktori tjetër është se në lëvizjen aktuale rol të rëndësishëm luajnë njerëzit e rinj urbanë, për të cilët lëvizja fetare nuk do të thotë shumë. Nëse këta të rinj fitojnë një pjesë të pushtetit, ata nuk do të bëhen aq lehtë vegël në duart e ndonjë lëvizjeje ekstremiste.

RADIO EVROPA E LIRË
Presidenti Hosni Mubarak tha se do të largohet nga zyra kur t’i skadojë mandati. Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar që ndryshimet të bëhen tash. Sa hapësirë ka Mubaraku për të manovruar?

MARDO SOGHOM
Mendoj se gjithçka varet nga zhvillimet në ditët e ardhshme. Nga ngjarjet e së mërkurës, duket sikur Mubaraku po përpiqet të sjellë situatën para një akti të kryer dhe pastaj të thotë: Unë e mbajta fjalimin dhe një pjesë e konsiderueshme e njerëzve janë dakord me mua që të pritet deri në shtator.

Nëse arrin ta bëjë këtë, atëherë Amerika nuk mund të bëjë më shumë. Nëse ia del t’i shpërndajë demonstratat e mëdha, atëherë demonstratat e vogla mund të kontrollohen. Në atë situatë ai mund të thotë: Po, ka një pakicë që do të largohem tani, por ata janë pakicë dhe gjithçka është nën kontroll.

Nëse arrin t’i hapë bankat dhe tregjet, atëherë mund të thotë se gjërat po i kthehen normalitetit. Nëse nuk ia del, atëherë trysnia nga Amerika dhe nga vendi do ta nxjerrë nga zyra për një apo dy javë.

RADIO EVROPA E LIRË
Armata e Egjiptit deri tash ka qenë pak a shumë neutrale. A mendoni se oficerët mund të kenë rol vendimtar në ditët në vijim?

MARDO SOGHOM
Përfundimisht, armata dhe oficerët kanë rol kritik. Kur El Baradei doli për herë të parë në protesta, u tha mediave se periudha e tranzicionit duhet të formësohet në konsultim me armatën. Pra, edhe opozita e pranon se roli i armatës është kritik. Ata nuk duan ta shtyjnë ushtrinë që të ndërmarrë hapa drastikë, si për shembull grusht-shteti, i cili do të sillte në pushtet një Mubarak tjetër.

Nga ana tjetër, një opozitë e përgjegjshme është e shqetësuar për sigurinë kombëtare në vend, ata nuk duan kaos dhe paligjshmëri. Ata duan tranzicion të shëndoshë, revolucion të shëndoshë. Atyre u duhet ushtria për ta ruajtur paqen dhe rendin.

Unë mendoj se ushtria qëllimisht qëndron neutrale, sepse i duhet kredibiliteti në sytë e njerëzve për të ardhmen. Mendoj se as elita e Mubarakut nuk dëshiron ta humbë armatën, sepse nëse humb prestigji i ushtrisë, atëherë Mubaraku dhe njerëzit e tij do të jenë më në rrezik, sepse atëherë nuk do të ketë ligj në vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Po çfarë mendoni për ndikimin që ngjarjet në Egjipt mund të kenë në rajon?

MARDO SOGHOM
Në 50 vitet e fundit gjithmonë është thënë se Egjipti është shteti më i rëndësishëm arab. Është më i madhi, ka njerëz më të shkolluar. Kuptohet gjërat tash kanë ndryshuar, sepse vendet e pasura arabe - prodhuese të naftës, kanë një shtresë tejet arsimuar. Por, deri para dy-tre dekadave, Egjipti i furnizonte vendet tjera arabe me mësues, intelektualë, poetë, shkrimtarë.

Ndikimi i Egjiptit është i pamohueshëm. Prandaj, nëse Egjipti arrin të realizojë tranzicionin paqësor dhe demokratik drejt një shoqërie stabile e të hapur, ky do të ishte një zhvillim historik për botën arabe. Do të ishte një shembull fantastik për të ardhmen politike në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, nëse këto trazira çojnë në turbullira, kaos dhe gjakderdhje në Egjipt, apo i sjellin ekstremistët në pushtet, atëherë do të ishte një shembull shumë i keq për pjesën tjetër të botës arabe.

RADIO EVROPA E LIRË
A do të thotë se bota arabe po hyn në një fazë të demokratizimit?

MARDO SOGHOM
Nuk kam dyshim për këtë. Në Egjipt Mubaraku kurrë më nuk do të mund të kthehej aty ku ishte më parë. Kjo është përfundimtare. Po t’i kishte shtypur demonstrata në dy ditët e para dhe të kthehej aty ku ishte, ky do të ishte sinjal për Lindjen e Mesme se asgjë nuk ka ndryshuar. Por, gjërat kanë ndryshuar përfundimisht. Të paktën, regjimet autoritare do të duhet të jenë më të kujdesshme, do të duhet të gjejnë mënyra për t’i përfshirë grupet opozitare në politikë.

Është vështirë të parashikohen situatat revolucionare, sepse kjo është ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme. Por, nuk kam fije dyshimi se ndryshimet kanë filluar dhe do të ketë një lloj ndryshimi.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG