Ndërlidhjet

Biserko: EULEX-i t’i heqë dyshimet e raportit të Martit


 Sonja Biserko
Sonja Biserko
“Në javët e fundit shumë njerëz këtu dhe në tërë botën vlerësonin se Kosova nuk do të duhej të ishte e pavarur. Ky (raporti i Dik Martit) natyrisht se do ta godasë edhe procesin e njohjeve për shkak të tregimit të pakëndshëm dhe pa prova të mjaftueshme. Pra, nëse nuk zbatohet ndonjë hetim nga EULEX-i, ai do të jetojë përgjithmonë”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko.


RADIO EVROPA E LIRË
EULEX-i ka nisur hetimet mbi akuzat e bëra në raportin e fundit të përfaqësuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti. Çfarë prisni nga këto hetime?

SONJA BISERKO
Shpresoj dhe jam mjaft e bindur se ata do ta zhvillojnë këtë hetim, por ka një problem tjetër prapa tërë këtij tregimi. Po qe se EULEX-i do ta kishte kryer këtë hetim disa vite më parë dhe po t’ia kishte dërguar raportin e tij Karla Del Pontes, nuk kishte pasur prova apo indikacione të mjaftueshme për ta ngritur akuzën në atë kohë. Sidoqoftë, Karla Del Ponte e vendosi këtë tregim në librin e saj dhe krijoi një atmosferë kinse gjërat kanë mbetur të pandëshkuara dhe të patrajtuara.

Tani, në dy-tre muajt e fundit Dik Marti përsëriti akuzat e njëjta, pa ofruar asnjë provë apo dëshmitar - gjë e cila, bazuar në rezolutën e Këshillit të Evropës, tani i takon EULEX-it. Pra, ata do ta bëjnë të njëjtin hetim siç e kanë bërë vite më parë; provat që i ishin dërguar Tribunalit të Hagës janë shkatërruar disa vite më parë. Kam frikën se nuk do të ketë ndonjë rezultat nga këto hetime, sepse i tërë tregimi është bazuar në diçka që është më tepër sensacionale, sesa në diçka që ka ndodhur me të vërtetë.

Kjo nuk do të thotë se gjëra të tilla nuk kanë ndodhur në tërë zonën dhe ndoshta një rrjet ndërkombëtar qëndron prapa kësaj. Në javët e kaluara Dik Marti ka ndryshuar deklaratën e tij që fliste për 500 raste dhe tani bëhet fjalë për disa raste lidhur me trafikimin me organe njerëzore.

Mendoj se e gjithë kjo çështje ka pasur për qëllim ta diskreditojë bashkësinë shqiptare. Ndonëse Dik Marti dhe disa të tjerë thoshin se ky nuk ka qenë qëllimi - kjo ka ndodhur në realitet. Ky tregim e ka dëmtuar komunitetin shqiptar.

Këtu, në Serbi, thonë se ai ka krijuar një atmosferë, e cila është pozitive për Serbinë, për shkak se, siç thonë ata, jo vetëm serbët janë të këqijtë, por tani edhe shqiptarët. Krejt çështja nuk duket të jetë bindëse, për shkak të deklaratave që ndryshonin dhe për shkak se ishte aq sensacionale.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Marti, ditë më parë, tha se EULEX-i nuk ka kapacitete të mjaftueshme, kur bëhet fjalë për mbrojtjen e dëshmitarëve. Pra, ai shprehu dyshimin e tij se EULEX-i do të jetë në gjendje ta zhvillojë një hetim të tillë. Çfarë mendoni ju?

SONJA BISERKO
Mendoj se EULEX-i mund ta bëjë këtë. Mbrojtja e dëshmitarëve ka qenë një problem edhe për Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi dhe për të gjitha gjykatat ndërkombëtare në rajon. Pra, ky nuk është problem vetëm në rastin e Kosovës, por edhe për Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, e edhe për Serbinë.

Mund ta përmend rastin e Sheshelit, i cili arriti t’i ndryshojë deklaratat e tre dëshmitarëve të Prokurorisë përmes kërcënimeve ndaj familjeve të tyre. Ky nuk është një problem i ri, sidoqoftë situata ka ndryshuar në rajon. Shumë njerëz duan të flasin, e në rastin e Kosovës mendoj se asnjë shqiptar normal nuk dëshiron të identifikohet me akuza, si ato për trafikim me organe njerëzore.

Mendoj se është shumë e rëndësishme të zhvillohet ky hetim, të dilet me numrin real të rasteve - nëse ka pasur dhe, gjithashtu, të normalizohet e tërë çështja dhe të futet në binarët e duhur. Në javët e fundit shumë njerëz këtu dhe në tërë botën vlerësonin se Kosova nuk do të duhej të ishte e pavarur. Kjo, natyrisht se do ta godasë edhe procesin e njohjeve, për shkak të tregimit të pakëndshëm dhe pa prova të mjaftueshme. Pra, nëse nuk zbatohet ndonjë hetim nga EULEX-i, ai do të jetojë përgjithmonë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni se ky hetim do ta rindërtojë imazhin e Kosovës, i cili vlerësohet të jetë dëmtuar?

SONJA BISERKO
Natyrisht se është dëmtuar imazhi i Kosovës, sepse ky ka qenë qëllimi i tërë kësaj çështjeje. Mediat serbe rrotullonin këtë tregim me qëllim të kriminalizimit të komunitetit shqiptar. Kjo duhet të vendoset në binarët e duhur. Nëse është realitet dhe ka ndodhur, duhet të trajtohet si çdo lloj tjetër i krimeve të luftës.

Nëse ia mohojmë shtetësinë Kosovës, atëherë do të duhej të mohohej shtetësia e çdo vendi në rajon, për shkak se shumë nga to ende kanë raste të pezulluara si Serbia, e cila e ka rastin e Mlladiqit dhe Haxhiqit. Ky tregim mendoj se është fryrë në atë masë, sa që nuk e pasqyron realitetin në prapavijë.

RADIO EVROPA E LIRË
Një tjetër i ashtuquajtur test për imazhin e Kosovës ka qenë dhe procesi i fundit zgjedhor, i cili u kritikua nga organizatat vendore e ndërkombëtare. A mendoni se institucionet e reja që do të dalin nga ky proces, do ta kenë nivelin e nevojshëm të legjitimitetit?

SONJA BISERKO
Fillimisht, Kosova tani e tri vite është e pavarur; është nën mbikëqyrjen e bashkësisë ndërkombëtare. Pra, është ende herët të flitet nëse ajo do të jetë në gjendje të ndërtojë institucione legjitime apo me një shkallë të caktuar të kredibilitetit. Nëse i merrni shtetet e tjera në rajon, e shihni se ka situata të ngjashme.

Nuk duhet të harrojmë se Kosova nuk ka qenë pjesë e asnjë sistemi për 10 vite dhe se rreth 2000 njerëzit, që janë pjesë e ndonjë institucioni, nuk kanë pasur përvojë të mëhershme. Ky duhet të shihet si proces dhe atyre duhet t’u jepet besimi për t’u rritur dhe për të marrë përgjegjësinë për shoqërinë dhe shtetin e tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Ende nuk ka qeveri (të re) në Kosovë. Në Bruksel thonë se qeveria është pjesë kryesore për dialogun e ardhshëm me Beogradin. A mendoni se Bashkimi Evropian, por edhe Serbia do të jenë të gatshme të flasin me zotin Hashim Thaçi, i cili pritet të formojë qeverinë, pas raportit të Dik Martit dhe pas zhvillimeve të fundit?

SONJA BISERKO
Mendoj se është e rrezikshme të akuzohet zoti Thaçi nëse nuk ka prova kundër tij. Ai është dëmtuar dhe nuk e di se çfarë do të ndodhte në vitet e ardhshme, nëse ai nuk është kryeministër i Kosovës. Por, kjo është e dëmshme edhe për shoqërinë e Kosovës, sepse ai është një nga liderët kredibil, i cili i ka fituar këto zgjedhje.

Në këtë moment, Beogradi është më shumë i interesuar të ketë dialog, sepse ai do të ndikojë në shpejtësinë e marrjes së pozicionit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE. Andaj, Beogradi do të jetë i interesuar ta nisë këtë dialog - të paktën me disa çështje teknike, çështje jetike apo probleme të të dyja komuniteteve për të përfituar nga kjo situatë.

Dialogu do të fillojë së shpejti - brenda periudhës dymujore, kur të jetë formuar qeveria e Kosovës. Pra, do të nisë, por është e vështirë të thuhet se sa shpejt do të zhvillohet. Ky do të jetë një proces dhe do të mund të marrë kohë.

Problemet që kanë mbetur të pazgjidhura ndërmjet dy komuniteteve, nuk do të mund të zgjidhen shpejt dhe nuk është realiste të pritet që ato të zgjidhen në një periudhë një apo dyvjeçare. Pra, ky është një proces, i cili do të nisë në atmosferën e krijuar nga raporti i Martit që e ka dëmtuar shoqërinë dhe lidershipin kosovar. Megjithatë, dialogu do të fillojë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG