Ndërlidhjet

Policia nuk arreston dot gardistët


Pamje nga protesta e 21 janarit në Tiranë.
Pamje nga protesta e 21 janarit në Tiranë.
Protesta e 21 janarit dhe dhuna që e shoqëroi atë nuk përfaqësojnë Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare. Së paku, ky është mendimi që formulohet nga një numër analistësh.

“Ata që ishin aty, nuk përfaqësonin qytetarët e Tiranës, nuk përfaqësonin vullnetin e Tiranës. Qytetari shqiptar ka shumë arsye për të protestuar ndaj kësaj qeverisjeje. Por, ju garantoj se dilema e fundit e qytetarit shqiptar është nëse duhet të djegim apo jo makina, të djegim institucionet e vendit tonë, apo nëse duhet të djegim apo jo pronën publike. Ky është vandalizëm që nuk mund të quhet protestë qytetare dhe civile”, thotë për Radion Evropa e Lirë Ilir Kulla, doktor i shkencave të sigurisë.

Në këto kushte, edhe pyetja e dëgjuar shpesh pas së premtes së fundit se ku po shkon Shqipëria, sipas analistit Henri Çili, nga Universiteti Evropian i Tiranës, nuk është e përshtatshme.

Tiranë, 21 janar.
Ende nuk mendoj se bëhet fjalë për pyetjen se ku po shkon Shqipëria. Shqipëria është një vend stabël, me një qeveri të ligjshme, me institucione dhe tërësi aktorësh që veprojnë brenda një kuadri të një loje demokratike; është vend me miq dhe partnerë ndërkombëtarë, është vend anëtar i NATO-s”, thotë Çili.

Ndonëse nuk e justifikon dhunën, sipas Çilit, zhvillimet e fundit janë rezultat i faktit se opozita po ndihet e izoluar.

Kjo ndjesi është forcuar pas dështimit të dhjetorit në Parlament, ku me gjithë tërheqjen e opozitës nga kërkesa kryesore, shumica nuk tregoi vullnet politik që do të çonte drejt zgjidhjes së ngërçit politik, me të cilin po jeton Shqipëria që nga 28 qershori i 2009-ës.

“Mendoj se ka qenë gabim i mazhorancës që e mbylli çështjen e zgjedhjeve pa asnjë rezultat, me fuqinë e kartonit të shumicës, duke mos parë qoftë dhe një pjesë të kërkesave të arsyeshme të opozitës, të cilat ishin me natyrë garantuese”, thotë Çili për Radion Evropa e Lirë.

Shumica në pushtet duhet të japë garanci për shqetësimet e opozitës, por kurrsesi nuk duhen shpërblyer politikisht autorët e 21 janarit. Sërish Çili:

“Është e paparanueshme të shpërblehen politikisht veprimet si ky i 21 janarit i opozitës, kur një grup i pajisur minimumi me mjete të forta, kërcënon e shantazhon forcat e policisë dhe krijon një tension të kësaj natyre”.

Në kushtet e gjuhës së ashpër që po mbizotëron mes përfaqësuesve të shumicës dhe opozitës, eksperti i shkencave të sigurisë, Ilir Kulla, tërheq vërejtjen se vazhdimi i një retorike të tillë dhe mungesa e dialogut rrezikojnë “libanizimin e Shqipërisë”.

Kur them libanizim i Shqipërisë, kam parasysh se kur anashkalohen institucionet dhe partitë marrin revanshin duke krijuar ato ligjin e tyre, prokuroritë e tyre, ushtritë e tyre, falangat e tyre, atëherë ky është ogur i keq jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjitha sistemet në tranzicion”, thotë Kulla.

Ai thekson se përkatësia e tij politike i takon së majtës, por nënvizon se ajo që u pa të premten, nuk është në traditën e Partisë Socialiste.

Me gjithë tensionet, Henri Çili, nga Universiteti Evropian i Tiranës, pohon se nuk pret ndonjë ndarje të Partisë Socialiste në një të ardhme të afërt, si pasojë e zhvillimeve të 21 janarit.

Pozita, sipas Çilit, duhet të adresojë dhe të japë garanci për shqetësimet e opozitës.

“Qeveria ka nevojë të japë mesazhe të forta të ridimensionimit politik, të luftës kundër korrupsionit si dhe një lloj përfaqësimi më të drejtë në sistemin e sotëm qeverisës”,
deklaron Çili.

Tiranë, 21 janar.
Duke mbetur te 21 janari, një tjetër zhvillim kundërthënës ka të bëjë me urdhërarrestet e nxjerra nga Prokuroria për disa prej drejtuesve të Gardës së Shqipërisë.

Policia ende nuk i ka zbatuar urdhrat e Prokurorsië, për çfarë opozita e ka akuzuar si të anshme politikisht. Për Ilir Kullën, policia nuk ka fuqi ligjore për arrestimin e gardistëve.

“Policia është forcë civile. Garda e Republikës është pjesë e forcave të armatosura. I vetmi organ që mund të arrestojë dikë nga drejtuesit e lartë të institucioneve ushtarake, është policia ushtarake, e cila merr urdhra nga Prokuroria ushtarake. Kjo e fundit nuk ekziston më, për shkak të vandalizmave institucionalë, të bëra ndër vite”,
thekson Kulla.

Dhuna dhe pamjet televizive që kanë ardhur së fundi nga Shqipëria, sipas Çilit, nuk paraqesin realitetin.

“Shqipëria është shumë më e ekuilibruar si shoqëri sesa duket në deklaratat e dy liderëve politikë”, thotë ai.

Pikërisht ky ekuilibër i shoqërisë dhe ndikimi i faktorit ndërkombëtar i japin shpresë Çilit se zgjidhja e krizës do të shihet së shpejti.

“Kriza do të zgjidhet në dhjetë ditët ose dy javët e ardhshme”, thekson Çili.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG