Ndërlidhjet

Ekspertët: Partitë e papërgjegjshme ndaj zgjedhjeve


Qendra e numërimit në Fushë Kosovë.
Qendra e numërimit në Fushë Kosovë.
Autoritetet përgjegjëse duhet sa më shpejt të mendojnë për metoda efikase, për t'i zvogëluar mundësitë për krijimin e parregullsive në zgjedhjet që do të mbahen në të ardhmen në Kosovë, thonë njohësit e proceseve zgjedhore në Prishtinë. Ish-udhëheqësit e institucioneve për administrimin e zgjedhjeve në Kosovë flasin për Radion Evropa e Lirë dhe japin sugjerimet e tyre për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmerren për të përmirësuar cilësinë e zgjedhjeve në vend.


Ndryshimi i mirëfilltë i legjislacionit për zgjedhje dhe zbatimi i tij, ndëshkimi i kryerësve të manipulimeve gjatë procesit zgjedhor dhe ngritja e përgjegjësisë politike të partive garuese në zgjedhje, janë disa nga veprimet e domosdoshme që duhet të ndërmerren në Kosovë, për t'i zvogëluar mundësitë për krijimin e parregullsive, thonë njohësit e proceseve zgjedhore në Prishtinë.

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zait Xhemajli, i cili kryesoi këtë mekanizëm deri në zgjedhjet lokale të 2009-ës, vlerësoi se, siç e quajti ai, papërgjegjësia e partive politike vazhdon të ndikojë në krijimin e parregullsive gjatë procesit zgjedhor në vend.

“Mendoj se partitë politike në rend të parë janë bërë të papërgjegjshme. Konsideroj se krejt këto manipulime që janë bërë, janë bërë me dirigjimin e partive politike".

"Komisionarët nuk i kanë bërë për vete; ata i ka shtyrë dikush, ata i ka nxitur dikush dhe ka qenë interes i dikujt - i ndonjë subjekti politik apo i ndonjë partie politike që me çdo kusht, pavarësisht se a është apo nuk është e ligjshme, t’i fitojë votat”,
u shpreh ai, duke theksuar se parregullsitë nuk janë shfaqur vetëm për shkak të mungesës së ligjeve të mirëfillta.

Pak kohë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare, Kuvendi i Kosovës pati miratuar ndryshimet në legjislacionin për zgjedhjet në vend. Mirëpo, Xhemajli theksoi rëndësinë që të bëhen reforma të mëtejme zgjedhore për të përmirësuar procesin zgjedhor në disa segmente.

“Së pari, Komisioni Qendror Zgjedhor nuk duhet të jetë i përbërë nga përfaqësuesit e partive politike, sepse ata nuk janë aty për të zbatuar vullnetin e partive politike, por janë aty për të zbatuar ligjin - gjë që nuk ka ndodhur deri më tani".

"Ne duhet patjetër të mendojmë për shumë zona zgjedhore, që Kosova të mos jetë vetëm një zonë zgjedhore. Parregullsitë që krijohen në Prizren nuk duhet t’i bartë elektorati, gjegjësisht zgjedhësit në Prishtinë”,
tha Xhemalji.

Rëndësinë për mënjanimin e, siç thuhet, defekteve serioze që vlerësohet se kanë karakterizuar procesin zgjedhor më 12 dhjetor dhe 9 janar, e kanë theksuar ditë më parë dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, që kanë vëzhguar zgjedhjet në vend.

Pa një vullnet të mjaftueshëm politik dhe pa i ndëshkuar kryerësit e parregullsive gjatë zgjedhjeve, siç kanë thënë ata, nuk do të mund të përmirësohet procesi i ardhshëm zgjedhor në vend.

Ish-kryetari i Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Tahir Rrecaj, theksoi rëndësinë që kryerësit e manipulimeve gjatë zgjedhjeve të vihen para ligjit.

Ai tha se prokuroria e shtetit duhet të procedojë mbi 130 raste që kanë të bëjnë me parregullsitë gjatë zgjedhjeve të fundit parlamentare, por edhe rreth 100 kallëzime penale që i janë dërguar asaj pas zgjedhjeve të fundit lokale.

“Unë mendoj se procedimi i këtyre lëndëve në gjykatë dhe shqiptimi i dënimeve do të kishin një ndikim parandalues, sidomos për zgjedhjet e ardhshme, sepse, në fund, dënimi përveçse ka qëllim represiv ndaj vetë kryerësit, ka dhe qëllimin preventiv -ndikimin te të tjerët që të mos kryhen vepra penale".

"Sigurisht që, sikur të kishin ndodhur gjykime dhe dënime në zgjedhjet e kaluara, në këto zgjedhje nuk do të kishte parregullsi të nivelit kaq të lartë”,
theksoi Rrecaj.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG