Ndërlidhjet

Kryeqyteti me mbeturina


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Kryeqytetit të Kosovës në prag të festës së ndërrimit të moteve, edhe atyre pak dekorimeve në rrugët kryesore, po ua humbin shkëlqimin grumbujt e mbeturinave që mund të shihen pothuajse në çdo cep të rrugëve.

Autoritetet kompetente për mirëmbajtjen e tyre thonë se rrugët pastrohen në bazë të planeve.

Kadri Ratkoceri, drejtor i kompanisë “Pastrimi”, thotë se shoqëria në përgjithësi nuk është duke i kushtuar një kujdes të merituar ambientit ku jetojnë.

“Ajo po shihet edhe nga pamjet që i kemi. Kryeqyteti nuk duket ashtu siç do të duhej të ishte dhe siç është përcaktuar edhe me ligj. Me gjithë mundin dhe lutjet që u bëjmë qytetarëve për pagesa, mezi arrijmë t’i mbledhim 50 për qind të pagesave”.

“Asnjë institucion deri më tash nuk na ka dalë në ndihmë dhe ne, si ndërmarrje shërbyese që jemi, nuk kemi kompetenca që të veprojmë me ndonjë mekanizëm detyrues”
, thotë Ratkoceri.

Edhe qytetarët shprehin mendimet e tyre lidhur me pastërtinë në kryeqytet. Linda Bala nga Prishtina, thotë se kompanitë e pastrimit duhet të jenë më të angazhuara, ndërsa qytetarët më të vetëdijshëm, në mënyrë që të mirëmbahet kryeqyteti.

“Kompanitë që janë të kontraktuara prej Kuvendit Komunal për mirëmbajtjen e qytetit, nuk mendoj se po japin maksimumin, duke pasur parasysh që vende -vende shohim grumbuj të tërë të mbeturinave”.


“Mendoj se problemi nuk është vetëm tek ata, por edhe te qytetarët, sepse mendoj që duhet të jenë më të vetëdijshëm se ku duhet të hidhen mbeturinat, po ashtu edhe komuna duhet vendosur më shumë kontejnerë në kryeqytet, ngase mendoj që ka mungesë”,
shprehet Bala.

Në anën tjetër, Muhamet Gashi, zëdhënës në Kuvendin Komunal të Prishtinës, thotë se problemi i papastërtisë së kryeqytetit nuk qëndron vetëm tek angazhimi ose jo i duhur i kompanive të pastrimit, por edhe te mosvetëdijesimi i qytetarëve, duke mos i shfrytëzuar kontejnerët, por duke hedhur mbeturina vend e pa vend.

“Sa i përket hedhurinave, është kompetente kompania e pastrimit ‘Pastrimi’, e cila bën pastrimin e shportave nëpër qytet, largimin e mbeturinave të amvisërisë, kontejnerëve dhe kjo paguhet nga qytetarët. Mirëpo, çdo kompani për çdo rrugë të kontraktuar nga komuna, ka organe mbikëqyrëse, që i përcjellin punët e kompanisë dhe në bazë të pranisë së punëve që ka kryer ajo kompani, bëhet edhe pagesa nga ana e komunës”,
bën të ditur Gashi.

Sidoqoftë, Kadri Ratkoceri shton se me ndihmën e institucioneve, bizneseve si dhe të qytetarëve, këtë kompani detyrimisht ka për ta shtyrë të tregojë një përkujdesje më të madhe për mirëmbajtjen e kryeqytetit, meqë është edhe një nga standardet që kërkohet si kryeqytet, por edhe si shtet.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG