Ndërlidhjet

Krishtlindjet - simbol i paqes dhe unitetit


Ceremonia tradicionale e Krishtlindjes në Katedralen "Nënë Tereza" në Prishtinë.
Ceremonia tradicionale e Krishtlindjes në Katedralen "Nënë Tereza" në Prishtinë.
Mesazhet për një bashkëjetesë në paqe, solidarizim dhe unitet e kanë shënuar këtë vit ceremoninë tradicionale të meshës së Krishtlindjes. Gjatë shënimit të kësaj feste në Prishtinë ishte i pranishëm një numër i madh i kosovarëve - në mesin e të cilëve edhe myslimanë.


Të bashkuar nën kupolën e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, besimtarët e fesë katolike shënuan të premten pas mesnate festën e Krishtlindjes.

Në praninë e qindra të krishterëve kosovarë e ndërkombëtarë, por edhe të besimtarëve myslimanë u mbajt mesha tradicionale e Krishtlindjes, u kënduan këngë e lutje dhe u lexuan fragmente nga Bibla.

Pjesëmarrësit e ceremonisë thanë se Krishtlindjet, ndonëse figurojnë në kalendarin e festave katolike, dëshmojnë ekzistimin e tolerancës fetare në Kosovë dhe janë simbol i unitetit të shqiptarëve.

“Kjo festë tashmë është e të gjithë shqiptarëve, pa marrë parasysh ndarjet fetare. Unë nisem nga ajo: ‘Mos shikoni kisha e xhamia - fe e shqiptarit është Shqiptaria”, u shpreh Trëndëlinë Blakaj.

“Nuk shoh asgjë që na ndan... Përkundrazi, lidh dhe forcon unitetin tonë”, tha Ndue Ukaj.

“Më bën shumë të lumtur kur në meshë marrin pjesë shumë njerëz, pa marrë parasysh fenë - katolikë apo myslimanë; është një festë që e festojnë shumica e shqiptarëve
”, tha Rea Gjoni.

“Unë njoh shumë shokë të mi, të cilët janë katolikë dhe njoh më shumë të tjerë që janë të besimit mysliman. Megjithatë, vetë prania ime këtu bashkë me shokët e mi katolikë tregon se jemi në gjendje të jetojmë së bashku, pa marrë parasysh besimin dhe prejardhjen jetike”, tha Malësor Neziri.

“Ka dhe shumë myslimanë që vijnë - kjo është traditë në Prishtinë dhe në qendrat e tjera në Kosovë. Vërtet, në pikëpamje historike, ne jemi një popull, jemi një trung. Te shqiptarët ka qenë shumë pak e rëndësishme feja dhe kjo po vërtetohet e po provohet vazhdimisht në të gjitha ceremonitë fetare ku jemi së bashku”, u shpreh Nimza Berisha.

Mesazhe për paqe, solidarizim dhe unitet përcolli gjatë ceremonisë për Krishtlindjet e sivjetme Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Dodë Gjergji. Ai porositi meshtarët, rregulltarët, besimtarët katolikë dhe të gjithë shoqërinë për një kujdes të shtuar ndaj të tjerëve.

“Ftoj shoqërinë të jetë më e kujdesshme për njerëzit e tjerë, të cilët nuk duhen harruar atëherë kur lypset vullnet e sakrificë dhe për ruajtjen e vlerave të përbashkëta
”, tha ai.

Mesazhe urimi për Krishtlindje, të gjithë besimtarëve të krishterë u kanë përcjellë edhe udhëheqësit e institucioneve të Kosovës - ushtruesi i detyrës së presidentit të vendit, Jakup Krasniqi, dhe kryeministri në dorëheqje i Kosovës, Hashim Thaçi.

Krishtlindja është festë, përmes së cilës përkujtohet lindja e figurës qendrore të krishterimit - Jezu Krishtit. Edhe pse hyn në radhën e festave katolike, Krishtlindja gjithashtu festohet nga një numër në rritje i jo të krishterëve në mbarë botën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG