Ndërlidhjet

Krasniqi: Raport me deklarata raciste


Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi
Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, nëpërmjet një komunikate për opinion, ka shprehur indinjatën e thellë për raportin e raportuesit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Dik Marti, duke e cilësuar si një “projekt-raport absurd, të mbushur me trillime të pastra, fakte dhe hamendësi të paqena dhe të pavërtetuara nga drejtësia ndërkombëtare”.

“Ky projekt-raport nuk është gjë tjetër, pos vazhdim i deklaratave shpifëse dhe të papërgjegjshme të librit të ish-kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, zonjës Karla del Ponte".

"Këto shpifje janë hedhur poshtë nga zëdhënësja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi, sipas së cilës hetuesit nuk kanë gjetur prova të bazuara për t'i vërtetuar këto akuza, si dhe nga ish-zëdhënësja e kryeprokurores del Ponte, e cila i quan deklaratat e saj të papërgjegjshme, si një inkurajim të ngatërrimit të fakteve me thashethemet dhe si një rrezik për t'i revizionuar ato që kanë ndodhur me të vërtetë”, thuhet në komunikatën e zotit Krasniqi.

Ai ka shprehur edhe indinjatë me “faktin që raportuesi i Këshillit të Evropës guxon të zëvendësojë Prokurorinë, e cila është shumë më e specializuar dhe ka shumë më tepër mjete ligjore për të vlerësuar rëndësinë e provave të mbledhura”.

Duke e cilësuar si raport “qartësisht të njëanshëm dhe që përmban edhe deklarata raciste, kur flet për ‘strukturën klanore’ të shoqërisë shqiptare të Kosovës dhe për ‘mungesën e një shoqërie civile të vërtetë’”, zoti Krasniqi vlerëson se raporti “përfaqëson përpjekjet e qarqeve të caktuara për të barazuar luftën e drejtë dhe heroike të popullit të Kosovës dhe të Ushtrisë së tij Çlirimtare me masakrat e regjimit serb të Milosheviqit”.

“Tentativat për t'i ngatërruar viktimat me xhelatin hedhin hije dyshimi për të gjithë aktivitetin dhe paanshmërinë e raportuesit të Këshillit të Evropës”, thuhet në komunikatën e presidencës, në të cilën njëkohësisht “përshëndeten të gjitha nismat ligjore dhe politike të ndërmarra si brenda dhe jashtë Kosovës, për t'i dënuar këto shpifje absurde dhe të padenja, të cilat nuk i kontribuojnë shndërrimit të Ballkanit në një rajon paqeje, stabiliteti dhe sigurie”.


Kritika për raportin e Martit

Përfaqësues të organizatave për të drejtat e njeriut në Prishtinë e Beograd vënë në pikëpyetje vërtetësinë e raportit të raportuesit të Komitetit për marrëdhënie ligjore dhe të drejta të njeriut, Dick Marty, që akuzon kryeministrin në dorëheqje të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kenë organizuar rrëmbimin e njerëzve, të cilëve në Shqipëri u janë marrë organet për trafikim në vitin 1999.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se raporti nuk saktëson burimet, mbi të cilat janë bazuar të dhënat.

“Është shumë e pazakontë që doli në këtë moment. Nuk po them se nuk duhet të hetohen gjërat, por nëse ai nuk definon në mënyrë precize se në cilat informata është bazuar dhe se a është i balancuar, nuk e di, është shumë e vështirë të komentohet”,
u shpreh Biserko.

Raporti i hartuar nga Marty, i cili thuhet se del nga hetimet dyvjeçare, ndërsa citon FBI-në dhe shërbimet tjera të fshehta, pritet të paraqitet para përfaqësuesve të 47 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës në një takim që mbahet në Paris këtë të enjte.

Ky mekanizëm mban një qëndrim neutral karshi statusit të Kosovës, për shkak të mosnjohjes së vendit nga një numër i shteteve anëtare. Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, tha se raporti është i motivuar politikisht.
Në qoftë se vërtet Dick Marty ka siguruar mbështetje faktike për pohimet e tij, atëherë është dashur të intervenojë menjëherë Interpoli...

Shala e quajti të papërgjegjshëm dhe paragjykues raportin në fjalë dhe tha se, po qe se do të ishin të sakta pohimet e hartuesit të tij, Interpoli do të kishte ndërmarrë masa shumë kohë më parë.

“Në qoftë se vërtet Dick Marty ka siguruar mbështetje faktike për pohimet e tij, atëherë është dashur të intervenojë menjëherë Interpoli, është dashur të intervenonin ndërkombëtarët, që janë këtu në Kosovë, e që kanë mundësi ta ekzekutojnë dyshimin apo aktakuzën, të cilën duket, pa asnjë të dhënë, Hashim Thaçit e Qeverisë së Kosovës ia ka ngritur Dick Marty”
, vlerësoi Shala.

E pyetur për prapavijën eventuale politike të raportit të Martyt, drejtorja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Biserko, u shpreh:
Duket sikur në vazhdimësi po synohet të shtyhet dhe të minohet potenciali i shtetit të Kosovës.

“Mund të jetë, natyrisht. Mendoj veçanërisht në këtë moment kur po përpiqet të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve. Momenti është shumë i rëndësishëm. Duket sikur në vazhdimësi po synohet të shtyhet dhe të minohet potenciali i shtetit të Kosovës”.

Qeveria e Kosovës hodhi poshtë raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës duke theksuar se "është e papranueshme që shpifjet e një anëtari të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të paraqiten si opinione të vetë institucionit, i cili nuk ka të bëjë me raportin e cituar”.

Mirëpo, Shala theksoi rëndësinë që për, siç i quan ai, shpifjet e raportuesit të Këshillit të Evropës, ekzekutivi i vendit të ndërmarrë masa ligjore.

“Ndaj zotit Marty duhet të ndërmerren veprime ligjore, në kuptimin që të ballafaqohet me gjyqin për shpifje dhe në qoftë se ai është në gjendje t’i faktojë pohimet e tij, atëherë le të përgjigjet pala tjetër. Por, deri më tash, ky ka mbetur në fazën e spekulimeve, ka mbetur në fazën e luftës politike dhe luftës patologjike që zoti Marty u bën shqiptarëve në përgjithësi”
, theksoi Shala.

Lexoni edhe këtë:

Qeveria e Kosovës hedh poshtë akuzat e Martit

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG