Ndërlidhjet

Dilema për mbarëvajtjen e votimeve


Në një qendër votimi në Prishtinë, 12 dhjetor 2010.
Në një qendër votimi në Prishtinë, 12 dhjetor 2010.
Ankesat e disa partive politike rreth ecurisë së procesit zgjedhor në Skenderaj dhe Drenas, mund të vënë në pikëpyetje mbarëvajtjen e votimeve të 12 dhjetorit, thonë analistët politikë.

Partitë politike kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me, siç thuhet, votimet e shumëfishta që mund të kenë ndodhur në këto dy komuna, për shkak të mosfunksionimit të baterive ultra-vjollce.

Nëse nuk adresohen këto ankesa, Agron Bajrami thotë se procesi i zgjedhjeve nuk mund të quhet i përmbyllur.

“Kemi një proces, i cili është i komplikuar. Kemi një situatë, ku në vend që të dimë se cili ka qenë rezultati edhe zyrtarisht, jemi ende në pritje të numërimit të votave dhe në pritje të adresimit të ankesave për manipulim e vjedhje në disa vendvotime nëpër Kosovë”.

“Kjo tregon se politika në Kosovë përsëri e prish një proces, për të cilin qytetarët gjithmonë kanë qenë të gatshëm ta nxjerrin maksimalisht të mirë. Pra, problemi qëndron te politika dhe jo te votuesit”
, shprehet Bajrami.

Edhe Krenar Gashi, nga Instituti për Politika Zhvillimore KIPRED, thotë se përqindja e lartë e votuesve në komunën e Drenasit dhe atë të Skenderajt, krijon hapësirë për dyshime, se në këto rajone kanë ndodhur manipulime me vota.

Se sa e dëmton kjo çështje procesin zgjedhor, Gashi thotë se u mbetet autoriteteve përgjegjëse të japin vlerësimin përfundimtar.

“Në këto dy komuna kemi pasur një dalje enorme të popullatës në zgjedhje, gjë që automatikisht krijon dyshime se në këto komuna ka pasur manipulime me votën e lirë. Për këtë, u mbetet autoriteteve përgjegjëse që të japin fjalën e tyre të fundit, të vlerësojnë nëse këto parregullsi e dëmtojnë gjithë procesin apo e dëmtojnë vetëm në disa pjesë apo disa komuna”, thotë Gashi.

Analisti Agron Bajrami hedh një dozë faji edhe në drejtim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për parregullsitë e përfolura. KQZ-ja, sipas tij, ka dështuar në proceset që pasojnë votimet.

“Unë mendoj se KQZ-ja e ka lëshuar procesin prej kontrollit të vet, ka krijuar një vakuum tepër të madh, i cili pastaj është plotësuar nga partitë politike, nga segmente të ndryshme, të cilat e kanë marrë rolin dhe e kanë drejtuar procesin në drejtime që u kanë konvenuar atyre. Mendoj se ky është dështimi më i madh i KQZ-së”, thekson Bajrami.

Kritika në adresë të KQZ-së drejton edhe analisti Ismail Hasani. Sipas tij, ky institucion nuk është dashur të vonohet me publikimin e rezultateve preliminare.

”Konsideroj se është një sjellje e papërgjegjshme e KQZ-së në raport me atë që do të duhej. Në momentin kur ka marrë përsipër publikimin e rezultateve preliminare në një afat më të shkurtër, është dashur ta bëjë atë”, thotë Hasani.

Sidoqoftë, përderisa nuk sqarohen ankesat në lidhje me dyshimet për parregullsi në Drenas, Skenderaj dhe komuna të tjera, procesi zgjedhor mund të mbetet i papërmbyllur. Një gjë e tillë thuhet se ndikon edhe te nisja e periudhës së krijimit të institucioneve të reja.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG