Ndërlidhjet

Thaçi: BE t'i tejkalojë paqartësitë për Kosovën


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi

Brukseli është vonuar me agjendën për Kosovën evropiane, thotë në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë Hashim Thaçi, kryeministër në dorëheqje dhe njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, fillimisht, cila është oferta zgjedhore e partisë suaj? Pse duhet qytetari i Kosovës të votojë për ju?

HASHIM THAÇI
Partia Demokratike e Kosovës është partia e konsolidimit dhe forcimit të shtetit të Kosovës, është partia e qeverisjes reformatore, e qeverisjes me njerëzit më të mirë të këtij vendi, partia që ka programin më të qartë ekonomik, të ekonomisë së lirë të tregut, të mundësive të krijimit të vendeve të reja të punës, të fillimit të ndërtimeve të autostradave të shekullit XXI, të mijëra e mijëra kilometrave rrugë të reja, të ambulancave, shkollave, kanalizimeve, ujësjellësve.

Është partia e mundësive të reja në shtetin tonë, partia që po punon për konsolidimin dhe forcimin e Kosovës evropiane.

RADIO EVROPA E LIRË
A keni sfida në përmbushjen e këtyre zotimeve?

HASHIM THAÇI
Natyrisht se ka sfida, por ne do t’i realizojmë zotimet tona. Në vitin 2007, qytetarët kanë besuar në premtimet tona, ndërsa tani i besojnë punës sonë, të cilën e ndjen secili qytetar në të mirën e vetes, të familjes së tij dhe të shoqërisë kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Disa nga partitë politike kanë vënë “vija të kuqe”, thënë kushtimisht, në bërjen e koalicioneve të mundshme me partinë e juaj. Keni ju “vija të kuqe”?

HASHIM THAÇI
Unë dua të ndërtoj një qeveri reformatore, një qeveri integruese, shumëpërfshirëse, një qeveri që do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, që do të punojë për Kosovën evropiane.

Andaj, edhe mesazhi im është “Së pari Kosova – Partia Demokratike e Kosovës”. Koalicioni im është me vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Thaçi, një prej sfidave më të mëdha për qeverinë e ardhshme padyshim se do të jetë integrimi i pjesës veriore. Cilat janë planet e juaja konkrete në këtë drejtim?

HASHIM THAÇI
Ne do të vazhdojmë të respektojmë dokumentin e presidentit Ahtisari. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të punojmë në strategjinë për integrim – një strategji kjo që nënkupton sundimin e ligjit, formimin e komunës së re, organizimin e zgjedhjeve në tri komunat tjera, por edhe investime socio-ekonomike. Do të ndodhë integrimi edhe qytetar, edhe territorial.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa mendoni se do të jetë e vështirë kjo, duke marrë parasysh kundërshtimet që vijnë nga veriu i Kosovës? Kohëve të fundit, jemi dëshmitarë se kundërshtohet edhe mbajtja e zgjedhjeve të së dielës atje...

HASHIM THAÇI
Kutitë e votimit do të hapen edhe në veri dhe kjo do të ndodhë për herë të parë. Kam besim në sukses, kam besim në angazhimet tona të përbashkëta të politikës së shtetit të Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rrafshin e integrimeve evropiane, cilat mendoni se do të duhej të ishin rrugëtimet kryesore të Kosovës?

HASHIM THAÇI
Për 15 muaj, nga janari i viti të ardhshëm, do të ndodhë liberalizimi i vizave. Ne do ta meritojmë liberalizimin e vizave. Brukseli nuk do të vonohet si deri më tash për perspektiven evropiane të Kosovës.

Ndërsa, në mandatin katërvjeçar do ta integroj Kosovën në NATO dhe do ta ofroj për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Ka sfida, por këto sfida janë në të mirën e vendit – do të thotë, implementimi i kritereve demokratike në politikë, ekonomi dhe legjislacion.

RADIO EVROPA E LIRË
Zyrtarë të Bashkimit Evropian, megjithatë, thonë se përcaktimi i afatit prej 15 muajsh nuk është realist. Ju, si do të përgjigjeshit?

HASHIM THAÇI
Brukseli është vonuar me agjendën për Kosovën evropiane. Ne kemi merituar edhe udhërrëfyesin, edhe liberalizimin e vizave. Kemi implementuar shumë standarde demokratike - më tepër se disa vende të tjera të rajonit që kanë fituar të drejtën e liberalizimit të vizave.

Bashkimi Evropian duhet ta tejkalojë paqartësinë që ka për të ardhmen evropiane të Republikës së Kosovës. Unë besoj në Kosovën evropiane dhe kjo do të ndodhë. Kam kontakte të vazhdueshme me Brukselin. Brukseli ka konfirmuar liberalizimin e vizave.

RADIO EVROPA E LIRË
Një prej çështjeve që do ta presë qeverinë e ardhshme, janë edhe bisedimet e mundshme teknike me Beogradin. Mbi çfarë kornizash dhe rreth çfarë çështjesh pranoni të flisni me Beogradin?

HASHIM THAÇI
Takimet do të ndodhin në kohën e përshtatshme, në interesin e dy vendeve dhe të popujve tanë, ndërsa përfundimi i këtyre takimeve do të rezultojë me njohjen reciproke që do t’i ndodhë Kosovës dhe Serbisë mes vete, si dy shtete të pavarura, për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian, në fqinjësi të mirë.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni porosi për qytetarët e Kosovës për ditën e së dielës?

HASHIM THAÇI
Mesazhi im është që të organizojmë fushatë të qetë, të ndershme, ta arrijmë standardin perëndimor në këto zgjedhje dhe të kemi një mobilizim për të ardhmen e Kosovës evropiane, zhvillimore, euroatlantike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG