Ndërlidhjet

Nevoja për programe të realizueshme


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Sigurimi i investimeve të huaja dhe përkrahja e sektorit privat duhet të jenë në krye të agjendës së programeve të partive politike për zgjedhjet e 12 dhjetorit, thonë njohës të çështjeve ekonomike.

Agron Demi, drejtor ekzekutiv në Institutin për Studime të Avancuara - GAP, thekson nevojën e krijimit të një ambienti më të përshtatshëm për investitorët e huaj, sidomos për ata që vijnë nga vendet që e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
Qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në diplomacinë ekonomike...

“Qeveria e ardhshme duhet të fokusohet në diplomacinë ekonomike. Vendet që na kanë njohur dhe janë të gatshme të na ndihmojnë ekonomikisht, të kenë një favor në Kosovë për të investuar dhe investimet e tyre të garantohen”.

“Drejtim tjetër, ku duhet të përqendrohen partitë politike, është edhe ulja e kamatave për biznese. Kamatat janë shumë të larta dhe ky është një prej fakteve, për të cilin Banka Botërore na rangon në vendin e 119-të në raportin ‘Të bërit biznes’”,
thotë Demi.

Isa Mulaj, nga Instituti për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, thotë se partitë politike duhet të shpalosin ide të realizueshme, e jo të premtojnë shuma marramendëse të investimeve.

Mulaj thotë se programi ekonomik i subjekteve politike është bazë për votuesit, duke marrë parasysh, sipas tij, gjendjen e rëndë socio-ekonomike të kosovarëve.

Qeveria e ardhshme, sipas Mulajt, fillimisht duhet të përqendrohet në stabilitetin e buxhetit të shtetit.
Prioritet i partive politike nëpër fushata duhet të jetë se si të bëhet konsolidimi i buxhetit...

Prioritet i partive politike nëpër fushata duhet të jetë se si të bëhet konsolidimi i buxhetit, e pastaj, në afat më të gjatë, të thonë se do t’i realizojnë projektet. Buxheti i shtetit ka ardhur në një lloji krize”, thotë Mulaj.

Qeveria e re, që do të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, duhet të kujdeset për përmirësimin e kushteve të sektorit privat, thotë Agron Demi. Ky sektor, sipas tij, konsiderohet motor i zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

“Kamata e lartë për biznese dhe politikat e gabuara fiskale kanë bërë që bizneset të jenë të pazhvilluara. Mbi 100 mijë biznese të regjistruara janë biznese të vogla, të cilat nuk gjenerojnë vende të mëdha të punës”.

“Qeveria e ardhshme duhet të angazhohet për t’iu krijuar klimë të favorshme për biznes këtyre ndërmarrjeve, fillimisht duke ndryshuar politikat fiskale”,
thotë Demi.

Sidoqoftë, sot edhe zyrtarisht ka filluar fushata parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 12 dhjetorit. Analistët shfaqin drojën se premtimet e krerëve politikë vështirë se do të gjejnë mbulesë për t’u realizuar.
XS
SM
MD
LG