Ndërlidhjet

Thirrje për zgjedhje të lira


Bjorn Von Sydow
Bjorn Von Sydow
Përfaqësuesi i Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow, përfundoi vizitën e tij disaditore në Kosovë, gjatë së cilës hodhi një sy mbi përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 12 dhjetorit. Von Sydow u shpreh optimist për zhvillimin e një procesi të rregullt elektoral edhe në pjesën veriore të Kosovës, por shprehu shqetësimin e tij lidhur me anshmërinë e disa mediave vendore në periudhën parazgjedhore.


Raportuesi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow, u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin në votime më 12 dhjetor, kur do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në vend.

Ai theksoi rëndësinë që këto zgjedhje të jenë të drejta dhe në përputhje me standardet evropiane, në mënyrë që të mos vihet në pikëpyetje rezultati i tyre, nga i cili, sipas tij, do të përcaktohet qeveria e ardhshme legjitime, e cila do t’i zhvilloje bisedimet me Beogradin zyrtar.

Von Sydow, i cili qëndroi në Kosovë për të parë nga afër përgatitjet lidhur me procesin e ardhshëm elektoral, shprehu bindjen se janë marrë masat e duhura për t’iu mundësuar edhe serbëve të pjesës veriore të Kosovës pjesëmarrjen në zgjedhje.

Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë e tensioneve në veri në ditën e zhvillimit të këtij procesi.

“Mund të jetë kështu, por mendoj se autoritetet kosovare dhe ndërkombëtarët do të ndërmarrin masa për t’i zvogëluar rreziqet”, tha ai.

Në garën elektorale në dhjetor do të garojnë gjashtë parti politike dhe dy nisma qytetare serbe. Qeveria serbe u ka bërë thirrje banorëve serbë të vendit që të mos marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të organizuara nga institucionet e Kosovës, duke thënë se “nuk janë përmbushur kushtet për pjesëmarrjen e serbëve në këto zgjedhje”.

Mirëpo, nuk kanë munguar as thirrjet për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat u janë drejtuar serbëve kosovarë nga disa përfaqësues të skenës politike në Beograd.

Lidhur me këtë, Von Sydow tha se ekziston një ndryshim në qasjen e Beogradit dhe autoriteteve në Serbi dhe se deklaratat që vijnë nga Beogradi nuk janë më aq vendimtare siç kanë qenë në zgjedhjet e kaluara.

“Mund t’i interpretoni ato si, në të vërtetë, jo këshilla për të marrë pjesë në zgjedhje, por ato përbëjnë një pikëpamje, sipas së cilës, ata që duan të votojnë, kanë përgjegjësinë e tyre për këtë. Disa përfaqësues të serbëve madje kanë ecur më tej duke promovuar një pjesëmarrje të madhe”, u shpreh Von Sydow.

Përveç përfaqësuesve të serbëve në Kosovë, gjatë qëndrimit të tij në vend, Von Sydow ka takuar dhe përfaqësuesit e shtatë partive kryesore politike shqiptare që do të garojnë në zgjedhjet e 12 dhjetorit, ata të mekanizmave përgjegjës për administrimin e procesit zgjedhor dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

Pas diskutimeve të bëra me ta, raportuesi për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës foli edhe për përshtypjet e tij lidhur me monitorimin e procesit zgjedhor, fushatën elektorale dhe lirinë e mediave në periudhën parazgjedhore.

Ai bëri të ditur se nga autoritetet përgjegjëse është siguruar se do të ketë një strategji të bashkësisë ndërkombëtare për të vënë në rend të parë mbikëqyrjen e votimeve në zona të caktuara.

Mirëpo, Von Sydow shprehu shqetësimin e tij lidhur me, siç tha, "informatat që flasin për anshmërinë pro-qeveritare të Radio Televizionin Publik të Kosovës".

“Pasi që televizioni duket të jetë shumë i rëndësishëm në krijimin e opinionit publik këtu, është tejet e rëndësishme që pjesëmarrja në zgjedhje të mos jetë rezultat i një strategjie të anshme programore, qoftë implicite apo eksplicite, të burimit kryesor të informimit për publikun”, tha ai.

Këshilli i Evropës nuk e njeh unanimisht pavarësinë e Kosovës. Rrjedhimisht, raportet e përgatitura për Kosovën janë neutrale ndaj statusit të vendit.

Pavarësisht mospajtimeve lidhur me statusin e Kosovës në mesin e shteteve anëtare të këtij këshilli, ditë më parë, u bë e ditur se në të ardhmen do të ketë mundësi për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës në seancat ku flitet për Kosovën.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG