Ndërlidhjet

WikiLeaks: Arabët i tremben Iranit


Gjatë vizitës në Riad, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, ishte pritur nga mbreti Abdullah. Mars, 2007.
Gjatë vizitës në Riad, presidenti i Iranit, Mahmud Ahmadinexhad, ishte pritur nga mbreti Abdullah. Mars, 2007.
Disa shtete arabe, përfshirë Arabinë Saudite, u kanë bërë trysni Shteteve të Bashkuara që të kryejnë sulme kundër instalimeve bërthamore të Iranit, thuhet në dokumentet e publikuara nga faqja WikiLeaks.

Zbulimi tregon se aleatët arabë të Amerikës dhe Izraeli për çudi kanë pasur qëndrim të ngjashëm në vlerësimet e tyre mbi programin bërthamor të Iranit.

Duke u kërkuar Shteteve të Bashkuara që “t’ia këpusin kokën gjarprit” dhe “t’i japin fund programit bërthamor të Iranit, krerët e vendeve të Lindjes së Mesme nuk i kanë thënë Uashingtonit diçka të re që nuk ishte dëgjuar më parë.

Nga ana tjetër, Izraeli, vite të tëra, e përshkruan mundësinë e Iranit të pajisur me armë bërthamore si kërcënim të patolerueshëm ekzistencial, i cili duhet të parandalohet.

Përjashtim bën kur kërkesa për shkatërrimin e instalimeve bërthamore të Iranit nuk vjen nga Izraeli, por nga Mbreti Abdullah i Arabisë Saudite, shtet mysliman ku ndodhen vendet më të shenjta të Islamit dhe që ka marrëdhënie diplomatike me Teheranin, megjithëse të vakëta.

Pikëpamjet e monarkut saudit janë në mesin e zbulimeve të 250 mijë dokumenteve diplomatike që u publikuan nga faqja WikiLeaks.

Mbreti “shpesh u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara që ta sulmojnë Iranin dhe t’i japin fund programit bërthamor të tij”, thuhet në një dokument.

Pas takimit ndërmjet mbretit Abdullah dhe gjeneralit amerikan, Dejvid Petraus, në prill, 2008, ambasadori saudit në Uashington, Adul al-Xhuber, citohet të ketë thënë se “ai (mbreti) u ka thënë juve (amerikanëve) që t’ia këpusni kokën gjarprit”.

As mbreti nuk mund të akuzohet për dyfytyrësi. “Ju si persianë nuk keni punë të përziheni në çështjet arabe”, raportohet t’i ketë thënë ai ministrit të Jashtëm të Iranit, Manusher Motaki.

Rozmari Hollis, ligjëruese e studimeve për Lindjen e Mesme në Universitetin e Londrës, i tha Radios Evropa e Lirë se një Iran me armë bërthamore do të kishte duar të lira të dominojë në Irakun fqinj, ku sauditët dhe iranianët konkurrojnë për ndikimin e tyre dhe kjo garë shtrihet në tërë rajonin.

“Njëri nga dokumentet kryesore për të cilin diskutojmë, është nga prilli 2008 dhe gjithashtu i referohet edhe Irakut, jo vetëm Iranit. Ai bën të qartë se shqetësim kryesor i Saudisë ishte ndikimi i Iranit në Irak. Prandaj, duhet të kuptohet shqetësimi nga një Iran me armë bërthamore”, tha Hollis.

Thirrje të ngjashme për pengimin e Iranit që të zotërojë armatim bërthamor kanë bërë edhe Jordania dhe Bahreini.

Por, dyshime për dokumentet shprehu presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad. Ai tha se dokumentet nuk kanë rrjedhur rastësisht, por janë publikuar nga Qeveria amerikane për “përfitime” politike. Ai insistoi se Irani është “mik” me fqinjët arabë.

“Kjo informatë nuk ka rrjedhur. Dokumentet u publikuan në mënyrë të planifikuar për t’i realizuar qëllimet politike. Nga pikëpamja jonë, ato nuk kanë peshë. Disa sektorë të Qeverisë amerikane përgatisin dhe publikojnë dokumente të caktuara, që pastaj ta bëjnë gjykimin mbi bazën e këtyre dokumenteve”, tha Ahmadinexhad.

Hollis nuk pret që zbulimet e WikiLeaks ta transformojnë peizazhin e politikës amerikane ndaj Iranit. (v.p.)

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG