Ndërlidhjet

Votuesi dhe zgjedhjet


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Analistët Ramush Tahiri e Driton Lajçi ndajnë mendime të ndryshme për mundësinë e rritjes së përqindjes së daljes së votuesve në zgjedhjet e 12 dhjetorit. Përderisa Ramush Tahiri pret që të ketë rritje dhe dalje më masive, Driton Lajçi thotë se partitë kanë mbetur ende të lidhura për liderë dhe klane partiake dhe nuk pret që numri i votuesve të shtohet në këto zgjedhje.


Analistët politikë në Prishtinë ndajnë mendime të ndryshme rreth asaj se do të ketë apo jo një dalje më masive të votuesve kosovar në zgjedhjet e 12 dhjetorit.

Analisti Driton Lajçi shpreh mendimin se elektorati kosovar nuk është bindur ende se ka alternativa të mira nga programet e këtyre partive politike, të cilat, sipas tij, janë të lidhura me liderin dhe klanet brenda partiake.

Përderisa Ramush Tahiri shpreh besimin se votuesi sivjet ka më shumë mundësi dhe në vend të bojkotit, do të zgjedhë daljen në votime. Tahiri beson se edhe ndryshimet brenda partive ekzistuese, si dhe paraqitja e partive të reja në skenën politike e rrisin sado pak mobilizimin e elektoratit për të dalë në votime.

“Është fakt që këto ndryshime do ta mobilizojnë elektoratin dhe do të dalë më shumë sesa herëve tjera, sepse interesimi është rritur. Gjithashtu, këto ndryshime që janë bërë, nuk konsideroj se ishin aksidentale dhe të rastësishme, por ato do të sjellin ndryshime edhe në skenën politike. Pra, po ndryshon skena politike, por po ndryshon edhe elektorati se ka filluar që të vetëdijesohet për rëndësinë e votës së vet”,
thotë Tahiri.

Ndryshe nga Tahiri vlerëson Driton Lajçi. Ai nuk pret një rritje të përqindjes së daljes në votime, duke besuar se partitë politike po dëshmojnë se kanë mbetur ende të lidhura për liderët dhe grupet e interesit. Kurse, pjesa tjetër pasive e elektoratit që nuk voton, sipas Lajçit, nuk ka ende para vetes një program që do ta bindte atë të dalë në zgjedhje.
Nuk mund të jemi fort shpresëdhënës dhe optimistë se do të rritet përqindja e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e dhjetorit.


“Nuk mund të jemi fort shpresëdhënës dhe optimistë se do të rritet përqindja e pjesëmarrjes së votuesve në zgjedhjet e dhjetorit. Partitë akoma janë të përqendruara kah individët dhe akoma nuk është në plan të parë menyja, programi i partive politike. Nuk kemi ndonjë risi substanciale apo ndonjë ndryshim substancial që do t’i tërhiqte qytetarët e Kosovës”
, vlerëson Lajçi.

Sipas Driton Lajçit, edhe zhvillimet e fundit që çuan vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme, irritojnë elektoratin dhe nuk e nxisin atë të dalë masivisht në zgjedhje.

Gjithashtu, Lajçi vlerëson se spektri politik mbetet ende i paprofilizuar dhe se partitë ekzistuese në rend të parë ende kanë si qëllim përfitimet personale e klanore dhe jo ofrimin e programeve zhvillimore të vendit.

“Partitë politike akoma nuk janë të profilizuara sa duhet dhe ky profilizim edhe nëse ekziston teorikisht në letër, nuk kanë arritur që ta transmetojnë konceptin e partive politike, nuk kanë arritur që të komunikojnë me elektoratin për konceptin, profilin e partisë së vet”.


“Por, partitë politike më tepër janë të përqendruara në raporte subjektive, personale, miqësore, rajonale sesa në program dhe koncept partiak”,
shprehet Lajçi.

Ndërkohë, analisti Ramush Tahiri thotë se ka shembuj që mund të jenë tregues për rritjen numrit të votuesve kosovarë më 12 dhjetor.

Rasti i fundit i zgjedhjeve në Rahovec ka dëshmuar se vjedhja dhe abuzimi me votat gati se po bëhet i pamundur, thotë ai. Kështu që, sipas Tahirit, tani votuesi mund të llogarisë së vota e tij nuk do të keqpërdoret si në të kaluarën dhe kjo, mendon Tahiri, është edhe një arsye shtesë që njerëzit të dalin në votime.
...do të shkojmë në zgjedhje nëse ka nevojë edhe çdo 6 muaj.


“Kosova po kalon në atë fazën që zgjedhjet dhe mandati më nuk janë të garantuara dhe do të shkojmë në zgjedhje nëse ka nevojë edhe çdo 6 muaj, por do të zgjidhen dhe do të mund të rrinë në pushtet ata që e zbatojnë programin, me të cilin janë prezantuar para elektoratit dhe ata që u japin llogari dhe transparencë, edhe opinionit, edhe strukturave, përmes Kuvendit të Kosovës”
, thekson Tahiri.

Bazuar në zgjedhjet e fundit lokale dhe ato të përgjithshme, dalja e elektoratit kosovar në zgjedhje shkon nga 42 deri në mbi 44 për qind. Por, këto përqindje nuk konsiderohen krejtësisht të sakta, pasi që në Kosovë mungon një regjistër i saktë i personave me të drejtë vote.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG