Ndërlidhjet

PDK, AAK: Të nxirren mësime nga Rahoveci


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte kundërshtuar ashpër rezultatet preliminare të KQZ-së dhe "Demokracisë në Veprim", sipas të cilave në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Rahovecit do të dilnin kandidatët e LDK-së dhe PDK-së.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kishte kundërshtuar ashpër rezultatet preliminare të KQZ-së dhe "Demokracisë në Veprim", sipas të cilave në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Rahovecit do të dilnin kandidatët e LDK-së dhe PDK-së.
Rregullim “të lajthitjes së mëhershme” e ka cilësuar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendimin e së mërkurës të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku në balotazh për kreun e komunës së Rahovecit do të jenë kandidati i Lidhjes Demokratike me atë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve në Rahovec.

“Tani, këto janë rezultatet. Ne jemi parti me përgjegjësi dhe një parti e përgjegjshme. Normalisht që i pranojmë rezultatet”, tha për Radion Evropa e Lirë Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Në fillimjavë, KQZ-ja, por dhe rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”, kishin vlerësuar se në raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Rahovecit do të dilnin kandidatët e LDK-së dhe PDK-së. Vendimi ishte kundërshtuar menjëherë nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Përfaqësuesit e të dyja partive, si PDK-së dhe AAK-së, ndajnë mendimin se nga rasti i Rahovecit duhen nxjerrë mësime para zgjedhjeve të përgjithshme.

Rasti i Rahovecit duhet të shërbejë si shembull për të mos lejuar keqpërdorimin e votës më 12 dhjetor, tha mëngjesin e sotëm për Radion Evropa e Lirë Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Ne besojmë se KQZ-ja do të ketë shumë kujdes sa u përket zgjedhjeve të 12 dhjetorit. Shembulli i Rahovecit është treguesi më i mirë se nuk guxon të ketë manipulime në vendvotime, e sidomos në raportimin në bazë të të dhënave nga terreni”.

“Gjithashtu duhet një vëzhgim më i madh i përfaqësuesve, edhe ndërkombëtarë, edhe vendorë, që duhet të mbikëqyrin zgjedhjet. Ky është një mësim i mirë për KQZ-në, por edhe për partitë politike që mund të tentojnë të manipulojnë”,
tha Ahmet Isufi.

Qeveria e Kosovës
Për Memli Krasniqin i rëndësishëm është procesi, i cili ka qenë i hapur dhe në dobi të qytetarëve.

“Është një shembull i mirë se si duhet të zhvillohen edhe zgjedhjet e 12 dhjetorit. Ka treguar edhe kapacitetet, edhe ndonjë dobësi eventuale të KQZ-së, që duhet të përmirësohet para datës 12 dhjetor”, pohoi Krasniqi.

Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, duke u nisur nga mënyra se si ka qeverisur deri tani PDK-ja, përpjekjet për manipulim nga kjo parti nuk do ishin të papritura.

“Një parti në pushtet që ka abuzuar me të gjitha institucionet e Kosovës, me buxhetin e Kosovës, me mënyrën se si ka qeverisur, nuk është çudi që në Rahovec, por edhe në zgjedhjet e 12 dhjetorit, të jetë krijuese e një klime të tillë që nuk i shkon në favor demokracisë në Kosovë”,
theksoi Isufi.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar 19 dhjetorin si datë kur do të zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Rahovecit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG