Në Manastir është shënuar 102-vjetori i Kongresit të Alfabetit të gjuhës shqipe, në një manifestim të organizuar nga Qeveria e Maqedonisë.
Pjesëmarrësit theksuan se “Kongresi i Manastirit” shënon një nga ngjarjet më të rëndësishme të gjuhës shqipe dhe identitetit kombëtar.
“Jo vetëm për shqiptarët e Maqedonisë, por, në përgjithësi për të gjithë shqiptarët, Manastiri dhe vendi ku është mbajtur Kongresi, ku është sjellë vendimi për alfabetin, të cilin ne sot e shfrytëzojmë është i shenjtë për të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh nga cilat vende vijnë”, ka deklaruar Muzafer Bislimi nga Instituti i Trashëgimisë Kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë.
Pjesëmarrësi e kësaj tribune, përfaqësues të Qeverisë, gjuhëtarë dhe studiues vizituan shtëpinë e “Kongresit të Manastirit”.
Ndërkohë, me rastin e shënimit të përvjetorit të këtij kongresi të rëndësishëm, shqiptarët janë përshëndetur edhe nga ambasadori amerikan në Shkup, Philip Riker, i cili vizitoi Institutin për Trashëgimi Kulturore të shqiptarëve të Maqedonisë. Ndërkaq, mesazhe urimi me rastin e festës përcollën edhe presidenti Ivanov dhe kryeministri Gruevski.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Abylaqim Ademi, ka paralajmëruar se manifestimet, me mbështetjen e Qeverisë, do të vazhdojnë deri më 28 Nëntor, Ditën e Flamurit.
Dita e Alfabetit shqip, 22 nëntori është festë kombëtare dhe ditë pushimi për shqiptarët e Maqedonisë.