Ndërlidhjet

DV: EULEX-i të mos përfshihet në zgjedhje


Driton Selmanaj
Driton Selmanaj

”Demokracia në Veprim” mendon se institucionet vendore duhen të jenë përgjegjëse për sigurimin e votimeve të 12 dhjetorit, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Driton Selmanaj, nga rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.


RADIO EVROPA E LIRË
Më 12 dhjetor do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë. Rrjeti i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim” do t’i monitorojë këto zgjedhje. Keni diku 5000 vëzhgues që do të jenë të angazhuar, mirëpo a mund të na jepni detaje për strategjinë apo agjendën e veprimit në ditën e zgjedhjeve dhe në ditët pas asaj?

DRITON SELMANAJ

Ne, sikurse edhe në zgjedhjet e kaluara, kemi vendosur që t’i monitorojmë edhe zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen këtë vit. Në fakt, ne kishim filluar përgatitjet për zgjedhjet, të cilat do të mbaheshin në shkurt, po ja që situata politike e solli kohën shumë më afër dhe ne tani jemi në vlugun më të madh të punëve që të monitorojmë me këtë proces zgjedhor.

Në zgjedhjet e kaluara kemi pasur rreth 2400 vëzhgues, ndërsa në këto zgjedhje kemi vendosur që ta kemi dyfishin, domethënë 5000 vëzhgues. 2400 vëzhgues do të jenë gjatë procesit të votimit, ndërsa 2400 të tjerë do të jenë gjatë procesit të numërimit.

Gjithashtu do t’i kemi edhe 70 monitorues, të cilët do ta përcjellin procesin parazgjedhor deri në datën e votimit. Më me rëndësi është se për herë të parë do të kemi edhe 70 monitorues të tjerë, të cilët do ta përcjellin në mënyrë specifike vetëm koston financiare të fushatës elektorale.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të bëhet shpërndarja e vëzhguesve nëpër zonat zgjedhore? A do t'i vëzhgojnë vëzhguesit zonat prej nga vijnë, apo do të shpërndahen në zona të tjera?

DRITON SELMANAJ

Janë 11 organizata joqeveritare që e përbëjnë bordin e “Demokracisë në Veprim”, ndërkohë 60 organizata të tjera i kemi partnere që janë kryesisht organizata lokale. Ne, nëpërmjet tyre, kontaktojmë edhe me vëzhguesit, edhe pagesa nuk është aq e madhe saqë njerëzve t’u mundësojmë tani edhe transportin, për shembull nga Prishtina t’i dërgojmë në Prizren, apo në ndonjë qendër tjetër, atëherë provojmë t’i gjejmë vëzhguesit nga ato vende në mënyrë që t’i kemi sa më afër vendvotimet, apo qendrat e votimit.

Ju e dini që qysh në orën 7 të mëngjesit fillon votimi dhe ne në bazë të punës sonë dhe të planit operacional, në orën 6 e 15 minuta monitoruesi duhet të jetë aty për të parë nëse janë krijuar kushtet për votim.

Duke pasur parasysh edhe kohën - jemi gjatë dimrit, besoj se do të kishim probleme sikur t’i merrnim disa vëzhgues, për shembull, nga Prishtina t’i dërgojmë në Prizren apo nga Mitrovica në Dragash, domethënë edhe për shkak të kohës, edhe për shkak të pagesës financiare.

RADIO EVROPA E LIRË
Kritikuesit thonë se me këtë veprim lihet hapësirë për mundësinë e votimit familjar dhe manipulime të tjera. Si e vlerësoni ju?

DRITON SELMANAJ

Ne nuk besojmë që kjo mund të jetë një prej atyre kushteve, që mund të derivojë parregullsi, të cilat kanë qenë evidente. Përpos vëzhguesve që i kemi në vendvotime, kemi edhe ekipet mobile, që vazhdimisht shkojnë dhe vizitojnë nëse janë aty, nëse ka ndonjë problem, nëse tërë procesi po shkon në rregull.

Mund të ketë edhe raste kur ndonjëri nga vëzhguesit mund të mos jetë në krye të detyrës. Ne po mundohemi që t’i zgjedhim njerëzit, që t’i filtrojmë në njëfarë forme njerëzit, t’i edukojmë ata, t’i trajnojmë ata në mënyrë që të ndikojmë sadopak në zhvillimin e një procesi shumë normal dhe të drejtë në përgjithësi.

RADIO EVROPA E LIRË
Autoritetet kosovare synojnë që zgjedhjet t’i mbajnë edhe në veri të Kosovës, do të keni monitorues edhe në veri të vendit?

DRITON SELMANAJ

Fatmirësisht, edhe në zgjedhjet e kaluara kemi pasur partneritet me disa organizata joqeveritare lokale, si në Graçanicë, në Mitrovicë dhe në pjesë tjera ku jetojnë grupe tjera etnike. Edhe kësaj radhe do të kemi monitorues edhe në pjesët veriore të Kosovës, në Zubin - Potok, Zveçan, Leposaviq dhe në të gjithë territorin e Kosovës.

Duke iu falënderuar bashkëpunimit shumë të mirë me organizatat lokale, të cilat i takojnë komunitetit serb. Ata kanë shprehur gatishmëri jashtëzakonisht të lartë; ata vijnë në takimet e rregullta që i mbajmë, kanë ardhur edhe në trajnimet që ne i kemi organizuar. Pra, shihet një gatishmëri gjithnjë e më e shtuar që edhe ata të jenë pjesë e proceseve të përgjithshme në Kosovë, përfshirë këtu procesin zgjedhor, si një nga proceset shumë të rëndësishme.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri tani “Demokracia në Veprim” ka pasur mbështetjen edhe të ambasadave të huaja që veprojnë në Kosovë. Përfaqësues të këtyre ambasadave thuhet se do të marrin pjesë në monitorim. Si do të duket puna e tyre?

DRITON SELMANAJ

Ne kemi informata se ata do të jenë pjesë e monitorimit, ata angazhojnë stafin e vet diplomatik që kanë, të dalin në terren, domethënë që të kenë vizita sporadike nëpër qendrat e votimit.

Gjithashtu, ne kemi informacione që ambasadat në Kosovë do ta mbështesin edhe rrjetin e organizatave evropiane ENEMO, siç ka qenë edhe në zgjedhjet e kaluara, që ky rrjet të jetë i pranishëm, në mënyrë që procesi zgjedhor të shkojë shumë drejt dhe të jetë sa më transparent.

RADIO EVROPA E LIRË
Përveç këtyre mekanizmave, disa parti politike kanë kërkuar edhe përfshirjen e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, në aspektin e sigurisë së, siç thuhet, kutive të votimit për ditën e zgjedhjeve. E vlerësoni të nevojshëm një hap të tillë?

DRITON SELMANAJ

Ne konsiderojmë që institucionet tona do të jenë ato, të cilat e bartin këtë proces, sepse janë zgjedhjet e para parlamentare, që i organizojmë ne në Kosovën e pavarur. Policia e Kosovës do të ishte ajo, e cila ndoshta do të duhej ta bartte rolin kryesor në tërë proces.

Kërkesat e tilla ndoshta do të dukeshin të arsyeshme, por megjithatë vlerësimi ynë është që më mirë do të ishte që ne vetë t’i bartim të gjitha proceset, sepse jemi shtet i pavarur dhe duhet të tregojmë pjekurinë tonë politike, edhe në kuptimin e sigurisë dhe në të gjitha aspektet tjera.

RADIO EVROPA E LIRË
”Demokracia në Veprim” ka monitoruar edhe zgjedhjet lokale të 2009-ës në Kosovë. Bazuar në përvojën e deritashme, si e vlerësoni nivelin e demokracisë në Kosovë?

DRITON SELMANAJ

Në fakt, ne jemi një demokraci e re dhe e brishtë. Fatmirësisht, po mësohemi çdo ditë e më tepër edhe për formën e organizimit, edhe për formën e zhvillimit demokratik në tërësi.

Kosova është në rrugë të mbarë, është në rrugë të mirë. Mendoj që subjektet politike, spektri politik, ndoshta duhet të jetë një hap më përpara, sepse ajo çka po shohim realisht po del si konkluzion që niveli i shoqërisë civile dhe niveli i popullatës është një hap para subjekteve politike, apo para mentalitetit të përgjithshëm politik.

Kështu që ndoshta më mirë do të ishte që si prijëse apo avangarde e proceseve në Kosovë, të ishin subjektet politike, sepse ato bartin edhe përgjegjësi politike edhe përgjegjësi tjera, sesa të jetë qytetaria në ballë të atyre proceseve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Selmanaj, të dielën do të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës në Rahovec. “Demokracia në Veprim” do të monitorojë procesin zgjedhor edhe atje. Mund të na jepni detaje për punën e së dielës?

DRITON SELMANAJ

Ne do të jemi atje gjithsesi. I kemi 71 vëzhgues në të gjitha vendvotimet, po ashtu do të kemi edhe ekipet mobile, të cilat, si zakonisht, ne i dërgojmë për t’i verifikuar nëse monitoruesit janë aty, apo për të ndihmuar në forma tjera.

Gjithashtu, do të kemi edhe një qendër atje, ku do të vendoset një pjesë e bordit të “Demokracisë në Veprim”, që të kemi kontakt të vazhdueshëm me mediat, qoftë përmes konferencave për media, qoftë përmes komunikatave, në mënyrë që të përshkruajmë tërë rrjedhën e procesit të votimit deri në kohën kur do t'i kumtojmë rezultatet preliminare.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG