Ndërlidhjet

Pse nuk po zbatohet Ligji për duhanin?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Ligji për duhanin, i cili ka hyrë në fuqi në shkurt të këtij viti, nuk po gjen zbatim në vendin tonë. Sipas zyrtarëve institucionalë, Ligji për duhanin së shpejti do të futet në funksion, por ende nuk ka ndonjë afat të caktuar kohor.

Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se duhet të ketë një lloj ultimatumi në çdo institucion të Kosovës, si dhe në hapësirat publike në përgjithësi, e po ashtu të zbatohen edhe masat e parapara me ligj, në mënyrë që Ligji për duhanin të jetësohet.

“Ligji për duhanin, pas procedurave të amendamentimit, ka filluar të zbatohet, por në mënyrë të pjesshme. Ka disa institucione që e zbatojnë ligjin, por ka edhe shumë të tjera që ende nuk kanë filluar ta zbatojnë Ligjin për duhanin"
, thotë Hoti.

Mirëpo, aktualisht, nuk ka asnjë ndëshkim për përdorim të duhanit në vendet publike. Qytetarët mendojnë se kjo shkon në dëm të shëndetit publik.
Vjollca Gashi, qytetare, shprehet:

“Mendoj se Ligji për duhanin duhet të zbatohet në Kosovë. Njerëzit ende konsumojnë duhan në vendet publike. Kjo u shkakton dëm duhanpirësve aktivë, por edhe atyre pasivë dhe unë mendoj se duhet të ndahen hapësirat nëpër lokale, kthinat, ose ndonjë hapësirë për duhanpirësit”.


Ndërkaq, Skënder Syla, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, thotë se tymosja e duhanit paraqet një problem mjaft të rëndë për shëndetin publik global, duke e marrë parasysh që çdo vit vdesin me miliona njerëz nga pirja e duhanit, si dhe miliona të tjerë sëmuren nga kanceri.

Prandaj, sipas Sylës, është domosdoshmëri që ligjet e aprovuara dhe të miratuara, të zbatohen në praktikë.

“Në Kosovë ekziston Ligji i tymosjes së duhanit në vendet publike. Fatkeqësisht, ky ligj nuk po zbatohet, ashtu si do të duhej dhe për zbatim duhet të ekzistojë një vullnet i mirë i të gjitha dikastereve institucionale. Çdo vonesë e zbatimit të Ligjit të duhanit, do të thotë marrje e jetës së njerëzve, sepse tymosja nuk i dëmton vetëm ata që e konsumojnë duhanin në mënyrë aktive, por edhe ata që ekspozohen në mënyrë pasive”,
shpjegon Syla.

Ndryshe, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duhani është shkaktari i dytë i vdekjeve në botë. Çdo vit në botë vdesin rreth 5 milionë njerëz si pasojë e pirjes së duhanit.
XS
SM
MD
LG