Ndërlidhjet

Euro-optimizëm (jo)real


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Njohësit e integrimeve evropiane dhe ata të shkencave shoqërore në Kosovë vlerësojnë se “propaganda mediale” e autoriteteve kosovare lidhur me integrimin e Kosovës në Bashkimit Evropian ka ndikuar në rritjen e optimizmit të qytetarëve të vendit për afatin kohor të anëtarësimit në BE. Ekspertët theksojnë se, deri në ditën kur Kosova do të mund të jetë pjesë e BE-së, do të duhet të përmbushen edhe shumë kritere të kërkuara nga ky mekanizëm.


Mbetja e Kosovës jashtë procesit të liberalizimit të vizave, kritikat e Komisionit Evropian drejtuar institucioneve kosovare në Raportin e fundit të Progresit, kritikat e mekanizmave ndërkombëtarë lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ato që flasin për një sundim të dobët të ligjit dhe të tjera, dëshmojnë se Kosova nuk do të mund të jetë anëtare e Bashkimit Evropian në të paktën gjashtë - shtatë vitet e ardhshme, thonë njohësit e integrimeve evropiane në Prishtinë.

Eksperti Shenoll Muharremi, thotë se parimisht Kosova ka perspektivë evropiane, por thekson se autoritetet kosovare duhet të përmbushin edhe shumë kritere deri në ditën kur Kosova do të mund të jetë anëtare e BE-së.
...mendoj se është tepër optimiste të mendohet që në vitin 2016 apo 2017 Kosova do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian.


“Kosova duhet ta fitojë këtë perspektivë dhe kjo nuk do të vjen falas, por do të duhet një punë shumë e madhe e kosovarëve: reforma, harmonizim, aproksimim të politikave dhe shumë gjëra të tjera. Andaj, si parim, mund të jenë optimistë për të ardhmen e tyre”.

“Nëse bazohemi në eksperiencën momentale, sidomos në dhjetë vitet e fundit, mendoj se është tepër optimiste të mendohet që në vitin 2016 apo 2017 Kosova do të anëtarësohet në Bashkimin Evropian”,
thotë Muharremi.

Rëndësinë për përmbushjen e kritereve për integrim në BE dhe, siç thuhet, “mposhtjen e korrupsionit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave”, e theksoi gjatë ditës Komisionari për Zgjerimin i BE-së, Shtefan Fyle, në një takim mbi Ballkanin Perëndimor në Parlamentin Evropian.

Megjithatë, rezultatet e anketës “Monitorimi i Ballkanit 2010 të zhvilluar nga organizata “Gallup” dhe “Fondi Evropian i Ballkanit” vënë në pah se kosovarët mbesin ende optimistë për integrimin në Bashkimin Evropian.

Sipas të dhënave të këtij dokumenti, për dallim nga viti i kaluar, ku në mesin e qytetarëve të Kosovës mbizotëronte ideja se Kosova do të jetë pjesë e BE-së në vitin 2016, këtë vit shumica e kosovarëve janë shprehur optimistë se anëtarësimi në BE do të mund të ndodhë më 2017-ën.

Antropologia Nita Luci thekson se optimizmi i kosovarëve lidhur me afatin kohor për anëtarësim në Bashkimin Evropian vjen si pasojë e ndikimit të politikanëve mbi mediat e, siç thotë ajo, rrjedhimisht, opinionin publik.
Ka një uzurpim të madh të të drejtave në Kosovë, një uzurpim të së drejtës për qasje në informata...


“Ka një uzurpim të madh të të drejtave në Kosovë, një uzurpim të së drejtës për qasje në informata, por edhe të së drejtës së gazetarëve që të ofrojnë informata. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt në bindjen se ne do t’i bashkohemi Evropës, sepse mënyra se si është shpërndarë informata, ka qenë e kontrolluar nga ata që u kanë hedhur hi syve (të qytetarëve)”,
deklaron Nita Luci.

Ajo shpjegon se optimizmi i kosovarëve lidhur me integrimin në BE reflekton më shumë dëshirën e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian - gjë që pastaj, sipas saj, shndërrohet në optimizëm.

Mirëpo, në mesin e banorëve të Kosovës ka dhe të tillë që nuk duan të besojnë në një proces shumë të shpejtë të integrimit të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Mendoj se në vitin 2020 Kosova do të jetë përfundimisht pjesë e BE-së me të gjitha kriteret e përmbushura.

Dren Hoti, student i Shkencave Politike dhe Administratës Publike në Universitetin e Prishtinës, shpreh bindjen se ka ende punë që duhet kryer nga institucionet përgjegjëse dhe nga Bashkimi Evropian në mënyrë që Kosova një ditë të marrë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE.

“Unë mendoj se në vitin 2020 Kosova do të jetë përfundimisht pjesë e Bashkimit Evropian me të gjitha kriteret e përmbushura. Fillimisht, mendoj se duhet të bëhet diçka për liberalizimin e vizave, pastaj dhe kriteret tjera, si tregtia e lirë dhe disa zhvillime për t’u integruar në Bashkimin Evropian”
, shprehet Hoti.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG