Policia e Kosovës nuk dëshiron të ketë policë të angazhuar në këtë mekanizëm, të cilët në të njëjtën kohë marrin paga nga Qeveria e Serbisë, thonë përfaqësues të këtij institucioni.
Megjithatë, në mungesë të të dhënave faktike që flasin për një angazhim të dyfishtë të pjesëtarëve serbë të policisë, Policia e Kosovës duket se nuk do të jetë në gjendje të ndërmarrë ndonjë hap konkret ndëshkues për këta policë.
Drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se ka zëra që flasin për ekzistimin e policëve serbë në radhët e pjesëtarëve të këtij mekanizmi, të cilët, siç thotë ai, fshehurazi figurojnë si të punësuar edhe në Beograd.
Por, Maliqi thekson se pa dëshmi konkrete, Policisë së Kosovës i pamundësohet të reagojë në çfarëdo mënyre.
“Nuk kemi një regjistër të qartë, nuk kemi një deklarim të tyre të hapur, përmes të cilit thuhet se ‘ne jemi në të njëjtën kohë edhe pjesëtarë të Policisë së Punëve të Brendshme'. Fjalë ka, por derisa nuk kemi diçka të saktë, të cilën mund ta dëshmojmë, është mjaft vështirë. Në të gjitha rastet ku kemi dëshmi të mjaftueshme se ata veprojnë ashtu, nuk jemi të interesuar t’i paguajmë ata dhe në fund të fundit edhe t’i mbajmë si anëtarë të organizatës sonë", thotë Maliqi.
Komenti i tij vjen pak ditë pasi Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg vendosi që Serbia duhet t'u paguajë kompensim prej 3 mijë eurove 30 policëve të Policisë së Kosovës, të cilët kishin paditur qeverinë serbe se nuk ua ka paguar pagat e dyfishta.
Përveç kësaj, shteti serb, sipas vendimit të Gjykatës, do të duhet t'u paguajë policëve edhe nga 225 euro për shpenzimet gjyqësore, si dhe kamatën.
E drejta e policëve serbë për të deponuar një ankesë të tillë në këtë gjykatë, sipas Avokatit të Popullit në Kosovë, Sami Kurteshi, nuk përjashtohet nga legjislacioni kosovar.
Kurteshi konfirmon për Radion Evropa e Lirë se e drejta për dyshtetësi u lejon qytetarëve serbë që të ankohen para Gjykatës në Strasburg.
“Ata janë ankuar kundër institucioneve të Republikës së Serbisë dhe janë ankuar si qytetarë të Republikës së Serbisë dhe kjo qëndron plotësisht. Meqenëse legjislacioni në Kosovë, e as ai serb nuk e përjashtojnë dyshtetësinë, ata mund të jenë qytetarë edhe të Republikës së Kosovës edhe qytetarë të Republikës së Serbisë”, shpjegon Kurteshi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Kurteshit, i takon Qeverisë së Kosovës të vendosë për hapat e mëtejmë lidhur me pagat e dyfishta të policëve serbë.
Mirëpo, lidhur me mundësinë që kjo çështje të zgjidhet përmes verifikimit dhe krahasimit të statistikave ndërmjet Policisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë, kreu i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, shprehet pesimistë.
Maliqi thotë se aktualisht nuk ka asnjë bashkëpunim të drejtpërdrejtë ndërmjet policive të të dyja vendeve dhe se çdo kontakt realizohet përmes policisë së misionit evropian për sundimin e ligjit në vend.
“Nuk ka ndonjë bashkëpunim, bashkëpunimi zyrtar me MUP-in e Serbisë është përmes Policisë së EULEX-it. Unë besoj se në një të ardhme të afërt është në interes të tyre, por edhe në interesin tonë që të kemi një bashkëpunim edhe në drejtim të luftës kundër krimit. Pres që ajo të ndodhë gjatë vitit të ardhshëm pasi që fillojnë dhe bisedimet zyrtare në mes të Kosovës e Serbisë”, thekson Maliqi.
Afro 10 për qind e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës i përkasin komunitetit serb. Ndërkohë, qytetarët e Kosovës thuhet se ende nuk mund të paraqesin ankesa para Gjykatës në Strasburg, për shkak se, siç thuhet, Kosova ende nuk është palë e Konventës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, e as anëtare e Këshillit të Evropës.