Zyrtarë të qeverisë në dorëheqje të Kosovës thonë se Raporti i sivjetmë i Progresit për Kosovën, që u publikua nga Komisioni Evropian, është më i mirë se ai i vitit të shkuar - gjë që, sipas tyre, dëshmon angazhimin e institucioneve kosovare në përmbushjen dhe eliminimin e vërejtjeve që dolën nga Raporti i Progresit i 2009-ës.
Edhe pse mungesa e vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, problemet lidhur me krimin e organizuar, mungesa e lirisë së shprehjes dhe ndërhyrjet politike në procesin e riemërimit të gjykatësve janë disa nga vërejtjet kryesore për Kosovën, të cilat u paraqitën gjatë së martës në Bruksel, ministri në dorëheqje i Integrimeve, Besim Beqaj, tha se Raporti i Progresit nuk flet për regresin e Kosovës.
“Ne kemi adresuar numrin më të madh të çështjeve, të cilat kanë qenë të ngritura. Ju e shihni në raportin e vitit të kaluar se flitet shumë më shumë për adaptimin e legjislacionit dhe flitet për sfida në adaptimin e legjislacionit. Këtë vit nuk flitet për sfida dhe vështirësi në adaptimin e legjislacionit, por flitet për pjesën e implementimit. Pra, kemi një progres të theksuar në këtë”, tha Beqaj.
Sipas tij, për të eliminuar problemet që ceken në Raportin e Progresit, ekzekutivi kosovar do të hartojë një plan të veprimit që do ta zbatojë gjatë vitit të ardhshëm.
“Nuk është Raporti i fundit i Progresit. Ne presim edhe raporte të tjera - sikurse që po ndodh për vendet e rajonit - dhe presim që në mënyrë substanciale, në mënyrë të vazhdueshme t’i adresojmë këto sfida, deri në momentin kur Kosova të marrë notën e përgjithshme maksimale, e cila nevojitet për të hyrë në Unionin Evropian”, tha Beqaj.
Krejt ndryshe nga vlerësimi zyrtar e kanë cilësuar Raportin e Progresit partitë politike dhe organizatat joqeveritare në Kosovë.
Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se autoritetet përgjegjëse në vend nuk kanë treguar përkushtim në përmirësimin e kritikave që dolën nga Raporti i Progresit i vitit të shkuar. Kurti vlerësoi se këtë vit është rritur vëllimi i kritikave që Komisioni Evropian ua ka adresuar institucioneve kosovare.
“Ndërmjet këtyre dy raporteve të progresit, Qeveria e Kosovës më parë ka qenë pjesë e problemeve sesa pjesë e zgjidhjes së tyre”, theksoi ai.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) shprehu shqetësimin lidhur me kritikat që flasin për mungesën e vullnetit politik në luftën kundër korrupsionit.
Përfaqësues të KDI-së vlerësuan se puna e organizatave joqeveritare dhe e mediave në lidhje me avokimin mbi korrupsionin në Kosovë, është vënë në pikëpyetje nga mungesa e vullnetit politik të autoriteteve në vend.
Esat Mazreku, nga KDI-ja, shpjegoi:
“E tërë puna e OJQ-ve dhe e mediave në avokim për përmirësimin e mekanizmave në luftën kundër korrupsionit ka hasur në vesh të shurdhër këtë vit. Kjo, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik - një fakt ky që përmendet gjatë gjithë Raportit të Progresit dhe në shumicën e fushave”.