Mekanizmat përgjegjës për ndryshimin e legjislacionit për zgjedhje në Kosovë synojnë që ta kenë të gatshëm draftin e parë të Ligjit të modifikuar për zgjedhjet e përgjithshme para mbajtjes së seancës së radhës së Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar për të enjten.
Anëtari i Grupit Punues për Zgjedhjet, njëherazi drejtor ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, tha se u takon institucioneve politike në vend të vendosin nëse zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Kosovë do të mbahen me ligjin në fuqi apo me ligjin e modifikuar, i cili duhet të miratohet fillimisht nga Kuvendi i Kosovës.
Ai, megjithatë, theksoi se një draft i parë i Ligjit të ndryshuar për zgjedhjet e përgjithshme do të jetë gati për shqyrtim eventual në Kuvend këtë javë.
“Draftin e parë besoj se do ta kemi sot ose nesër. Në bazë të organizimeve teknike e ekspertëve që kanë punuar dhe në bazë të rekomandimeve që janë bërë nga Grupi Punues për Zgjedhje, pritet që sot ta marrim draftin e parë”, njoftoi ai.
Në vitin 2008, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Pas kritikave të mekanizmave monitorues ndërkombëtarë për legjislacionin zgjedhor që iu drejtuan institucioneve vendore pas zgjedhjeve të fundit lokale në vend, Grupi Punues për Zgjedhje nisi reformimin e legjislacionit për zgjedhje.
Dalja e Lidhjes Demokratike të Kosovës nga koalicioni qeverisës me Partinë Demokratike intensifikoi punën në reforma, me qëllim që vendi të jetë i gatshëm për zgjedhjet e ardhshme parlamentare - data zyrtare për mbajtjen e të cilave vazhdon të jetë 13 shkurti.
Partia Fryma e Re e quajti jodemokratik procesin e ndryshimeve në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Anëtari i FER-it, Qëndrim Gashi, e cilësoi të përshpejtuar ecurinë e reformave zgjedhore.
“Ajo që e shohim që një kohë, kur një ligj i rëndësisë më të lartë po kërkohet të miratohet në procedurë tejet të përshpejtuar, nuk përkon me praktikat e shteteve demokratike. Këtu, në fakt, nuk bëhet fjalë vetëm për praktika e burime njerëzore, por këto kërkojnë kohë për t’u përgatitur”, u shpreh ai.
Në kohën kur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë duhet të dijë se me çfarë legjislacioni t’i përgatisë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Partia Aleanca Kosova e Re synon që t’i mbledhë 40 votat e nevojshme për të paraqitur mocionin e votëbesimit për qeverinë aktuale.
Rënia eventuale e Qeverisë së Kosovës dhe shpërndarja e Parlamentit, sipas Kushtetutës, do ta çonin vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat do të duhej të zhvilloheshin “jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes”.
Analisti Behlul Beqaj tha se edhe në rast të rënies së qeverisë, deputetët do të duhej të vazhdonin punën për të miratuar ligjet, të cilat vlerësohen të jenë të rëndësishme për proceset e ardhshme në vend.
“Pikërisht neni 64, pika 4 thotë se mund të vazhdohet puna e Kuvendit për aq sa zgjat gjendja e jashtëzakonshme. Do të thotë, është një situatë krejtësisht e re, por hipotetikisht dhe formalisht e mundshme. Në këtë kuptim mund të zgjidhen problemet, të cilat mund të paraqiten, qoftë me buxhetin, qoftë me ndryshimin e Ligjit zgjedhor e kështu me radhë”, theksoi Beqaj.