Ndërlidhjet

Thaçi rizgjidhet kryetar i PDK-së


Hashim Thaçi
Hashim Thaçi
Kosova është në krizë të thellë institucionale, tha sot Hashim Thaçi, i cili u rizgjodh edhe për një mandat kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, me unanimitet dhe pa kundër-kandidat. Gjatë punimeve të Kuvendit të Pestë Zgjedhor të PDK-së, Thaçi tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza, që, sipas tij, është shkaktuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, janë zgjedhjet e shpejta parlamentare.


Pa kundër-kandidat dhe me procedura të përshpejtuara, Hashim Thaçi u rizgjodh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës. Besimin për të udhëhequr partinë, Thaçi e mori nga Kuvendi i 5-të zgjedhor, i mbajtur sot në Prishtinë.

I ballafaquar me një qeveri që tashmë ka humbur mbështetjen e shumicës në Kuvendin e Kosovës, Thaçi akuzoi Lidhjen Demokratike të Kosovës për krizën institucionale, duke thënë se me marrjen e vendimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese se Fatmir Sejdiu ka shkelur Kushtetutën, ish-presidenti i vendit i kishte kërkuar Thaçit ta refuzonte vendimin e Gjykatës.

Sipas Thaçit, ky ka qenë momenti i parë që ka sjellë deri te prishja e koalicionit, ndërsa momenti tjetër ka qenë dalja e LDK-së nga institucionet, siç tha ai, “në mënyrë tinëzare, duke lënë bosh ministritë”.

Tani zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e shpejta, theksoi kryeministri i Kosovës.

Jemi të detyruar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimi i partnerit tonë për t’u larguar nga qeverisja, që të shkojmë në zgjedhje shpejt - në zgjedhje ku do të përcaktohet gjithçka me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. E, gjithçka që është në përputhshmëri me Kushtetutë dhe ligje, është situatë normale”, tha Thaçi.

Duke iu referuar shpalljes së pavarësisë gjatë mandatit të tij, lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, tha se Kosova tani duhet të vazhdojë me përparimin ekonomik dhe integrimet.

Ai shprehu besimin se do të udhëheqë sërish me Qeverinë e Kosovës edhe pas zgjedhjeve të ardhshme. Në planin e brendshëm, Thaçi premtoi ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re, kurse në planin e jashtëm integrimin në strukturat euroatlantike.

“Dy objektivat tona i kemi realizuar, çlirimin e Kosovës dhe pavarësinë. Objektiva jonë e tretë, e PDK-së, e vizionit tim, vizionit tuaj dhe e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, është integrimi i Kosovës në mandatin e ardhshëm katërvjeçar në NATO dhe në dhe Bashkimin Evropian. Jam i sigurt se do t’i arrijmë”, u shpreh Thaçi.

Në punimet e Kuvendit të 5-të të PDK-së, në cilësinë e mysafirëve kanë marrë pjesë dhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë, si dhe ata të partive politike nga Kosova. Kurse, kanë munguar përfaqësuesit e LDK-së, AAK-së dhe LDD-së.

Nga ky kuvend kanë dalë dhe mesazhe për partneritetet e partive tjera me PDK-në në prag të zgjedhjeve të ardhshme. Nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, u shpreh i gatshëm që kjo parti të bashkëpunojë me PDK-në.

“AKR-ja ka një kohë që bashkëpunon në mënyrë të suksesshme në formën e bashkëqeverisjes në nivelin lokal me PDK-në. Vazhdojmë të jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe në forma të tjera për të mirën e qytetarëve të Kosovës, për të mirën e vendit”, theksoi Gashi.

Partneritet PDK-së i kanë ofruar edhe partitë nga radhët e pakicave. Sllobodan Petroviq, kryetar i Partisë Liberale Serbe, tha se PDK-në e sheh si partneren më të mirë edhe për mandatin e ardhshëm.

“Fakti që unë jam këtu në këtë foltore paraqet një nderim për gjithë atë që keni bërë edhe për bashkësinë serbe”, tha Petroviq.

Po sot janë zgjedhur dhe 105 anëtarët e Këshillit Drejtues të PDK-së. Nga ky organ do të zgjidhet dhe kryesia e re e kësaj partie politike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG