Ndërlidhjet

Projekt i ri Kosovë - Shqipëri


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Pas ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, në të ardhmen pritet ndërtimi i hekurudhës Prishtinë - Tiranë. Edhe pse për këtë projekt ende nuk kanë filluar studimet, autoritetet kosovare në Prishtinë, thonë se janë të gatshëm të fillojnë në momentin kur institucionet shqiptare matanë kufirit të përfundojnë pjesën e vet të hekurudhave.



Pas lidhjes përmes autostradës Durrës - Morinë - Merdar, Kosova dëshiron të ketë lidhje tjetër me Shqipërinë, nëpërmjet një linje hekurudhore, e cila do të nxisë zhvillimin e mëtejmë të ekonomisë kosovare, thonë përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të komunikacionit.

Xhevat Ramosaj, kryeshef ekzekutiv i Hekurudhave të Kosovës, institucion ky që funksionin në kuadër të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomit, tregon se në mesin e të ashtuquajturave, projekte të ardhmërisë, është edhe ndërtimi i linjës hekurudhore Kosovë - Shqipëri.

Sa i përket kësaj linje, Ramosaj thotë se në rend të parë duhet të përgatitet studimi i fizibilitetit, studim ky që pason përgatitjet për projektin.

Edhe pse Ramosaj nuk bën të ditur ndonjë afat kohor se kur do të fillojë studimi i fizibilitetit, ai thotë se hekurudhat e Kosovës do të jenë në kontakt më Hekurudhat e Shqipërisë, në mënyrë që bashkërisht të kërkojnë nga Komisioni Evropian financimin e këtij studimi.

“Sa i përket linjës hekurudhore Kosovë - Shqipëri, e cila do të lidhte Prizrenin me Shqipërinë, së pari duhet të kryhet studimi i fizibilitetit. Dhe, në qoftë se tregohet një arsyeshmëri ekonomike për linjën hekurudhore dhe unë besoj se një studim i fizibilitetit do të tregonte se kjo linjë hekurudhore do të ketë një arsyeshmëri të madhe ekonomike, që do të ndërtohej. Pas kësaj, do të shikohet mundësia për gjetjen e mjeteve dhe investimeve për ndërtimin e kësaj linje hekurudhore”, thotë Ramosaj.

Por, ministri i Transportit dhe Postë-Telekomit, Fatmir Limaj, tashmë ka deklaruar se autoritetet kosovare janë të gatshme për realizimin e këtij projekti, kur autoritetet shqiptare do të përfundojnë pjesën e vet të hekurudhave.

Sipas Limajt, Kosova ka për të ndërtuar vetëm 17 kilometra hekurudhë nga Prizreni për të shkuar në drejtim të kufirit shqiptar.

Në anën tjetër, ekspertë të komunikacionit shprehin domosdoshmërinë që iniciativa e nisur nga të dyja shtetet të bëhet realitet. Kaqusha Jashari, eksperte për këtë çështje, thekson se ndërtimi i kësaj linje hekurudhore është me interes për Kosovën, sepse do të këtë dalje më të shpejtë në portet shqiptare.

“Hekurudha Kosovë - Shqipëri, është e nevojshme sidomos për transportin e mallrave dhe transportin e rëndomtë, sepse lidhet direkt me Portin e Durrësit. Kjo do të ndikojë pozitivisht edhe në çmimin e mallrave dhe në standardin e njerëzve. Nga ky aspekt, mendoj se këto iniciativa të realizohen”,
shprehet Jashari

Edhe Xhevat Ramosaj pohon se hekurudha Kosovë – Shqipëri është bosht kurrizor për zhvillimin ekonomik të vendit, pasi me këtë linjë, thotë ai, do të lidhet korridori i tetë Pan-evropian me korridorin e dhjetë.

Me korridorin e dhjetë Pan-evropian, i cili kalon nga Austria, Sllovenia, Kroacia, pastaj e lidh Serbinë, duke e anashkaluar Kosovën, kuptohet dhe Maqedoninë me Greqinë. Dhe, me këtë linjë hekurudhore do të bëhej lidhja e këtyre dy korridoreve Pan-evropiane”.

“Unë mendoj se jo vetëm për transportin e mallrave që do të ishte shumë interesante dhe portit të Durrësit do t’i ngritej vlera në këtë rast, por njëkohësisht kjo linjë do të mund të përdorej edhe për transportin e udhëtarëve”,
vlerëson Ramosaj.

Ndërtimi i hekurudhës Prishtinë – Prizren – Tiranë - Durrës, i mundëson dalje më të lehtë Kosovës në portet shqiptare, sidomos në Portin e Shëngjinit, port ky që shërben kryesisht për Kosovën.

Ndryshe, në tetor të vitit të kaluar Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, kishin nënshkruar marrëveshje që ky port të jetë i lirë për Kosovën.
XS
SM
MD
LG