Ndërlidhjet

Serbia reagon ndaj Uashingtonit


Beograd
Beograd

Përfshirja e shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit mund të nxisë kërkesa për përfshirjen e aktorëve të tjerë ndërkombëtarë në këtë proces, vlerësojnë zyrtarët shtetërorë në Serbi. Përfaqësuesit e institucioneve kosovare, ndërkaq, thonë se vetëm Bashkimi Evropian nuk do të jetë në gjendje të ndërmjetësojë suksesshëm këto bisedime.



Autoritetet serbe vlerësojnë se përfshirja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në bisedimet e paralajmëruara ndërmjet Prishtinës e Beogradit, do të komplikonte procesin duke nxitur kërkesa për përfshirjen e faktorëve të tjerë ndërkombëtar.

Sekretari shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se ndërmjetësimi i bisedimeve ndërmjet palës serbe e asaj kosovare është një ‘detyrë tipike evropiane’.

Përveç BE-së, ai sugjeroi që në procesin e ndërmjetësimit, të luajnë rol edhe Kombet e Bashkuara.

“Nëse ata do të përfshihen drejtpërdrejt në dialog, do të shkaktohet menjëherë propozimi për përfshirjen edhe të Rusisë. Aq shumë aktorë në bordin ndërkombëtar vetëm se do ta komplikojnë situatën. Kemi pasur së fundi një përvojë të keqe me ‘Treshen’, ku kanë qenë të përfaqësuar Bashkimi Evropian, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara”,
u shpreh Ivanoviq.

Komenti i tij vjen në kohën kur janë shpeshtuar deklaratat e zyrtarëve amerikanë që flasin për gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të qenë pjesë e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit dhe kur autoritetet në Kosovë pritet të dalin me një dokument zyrtar që kërkon përfshirjen e Uashingtonit në këtë proces.

Kohë, më parë deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan hartimin e një rezolute që mbështet idenë që Shtetet e Bashkuara të jenë pjesë e bisedimeve ndërmjet Prishtinës e Beogradit.

Anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, njoftoi se kryesia e legjislativit kosovar ka pranuar kërkesën për këtë rezolutë, por tha se ende nuk është marrë ndonjë vendim se kur do të procedohet në Parlament kjo çështje.

Haliti theksoi se vetëm Bashkimi Evropian nuk mund ta zbatojë rolin e ndërmjetësuesit të duhur ndërmjet palëve.

“Edhe Bashkimi Evropian nuk ka të drejtë, sepse nuk e ka fuqinë e duhur që të jetë ndërmjetësues për faktin se pesë shtetet e Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur akoma pavarësinë e Kosovës”, theksoi Haliti.

Pavarësisht gatishmërisë për vendosjen e dialogut, faktorët që pritet të jenë pjesë e procesit, ende nuk kanë caktuar një datë zyrtare për nisjen e tij.

Për shkak të rrethanave të brendshme në Kosovë, e cila po përgatitet për zgjedhjet e parakohshme pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu, analistët kanë shfaqur idenë se bisedimet Prishtinë-Beograd mund të fillonin me takime formale në këtë vit, për të vazhduar pas përfundimit të procesit zgjedhor, diku në fillim të vitit të ardhshëm.

Ivanoviq theksoi rëndësinë që bisedimet për çështje teknike të nisin sa më parë, për të vazhduar pastaj në vitin e ardhshëm për temën kryesore, e cila, sipas tij, është statusi i Kosovës.

“Të fillojmë me çështje teknike dhe le t’ia lëmë kohës që në vitin apo në vitet e ardhshme të arrihet kompromisi në mes të palëve për të gjetur një zgjidhje
”, u shpreh Ivanoviq.

Sinjale më të qarta që ndërlidhen me dialogun ndërmjet Prishtinës e Beogradit thuhet se mund të sjellë sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, e cila do të qëndrojë në Serbi e Kosovën javën që vjen.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG