Ndërlidhjet

Vargas Llosa fituesi i Nobelit në letërsi


Mario Vargas Llosa
Mario Vargas Llosa
Shkrimtari peruan, Mario Vargas Llosa, është fituesi i çmimit Nobel për letërsi për vitin 2010.

“Në thelb, ai është një rrëfimtar, por një rrëfimtar shumë i veçantë që ka çuar përpara mënyrat e tregimit në letërsi. Veprat e tij janë shumë komplekse në kompozicion. Ai është shumë i zoti në dialogë, duke shkuar gjithmonë drejt një pamjeje të gjerë”, tha Peter Englund, sekretar i Akademisë së Nobelit.

Akademia suedeze e nderoi shkrimtarin 74-vjeçar për “përshkrimin e strukturës së pushtetit dhe imazhet e gjalla të rezistencës individuale, protestës dhe humbjes”.

“Shtëpia e gjelbër”, “Dialog në katedrale”, “Qyteti dhe qentë” ose i njohur ndryshe si “Koha e heroit” janë disa nga mbi 30 veprat e peruanit, i cili, përveç se si shkrimtar, njihet dhe si politikan, publicist, gazetar e eseist.

“Ai beson se mund të përmirësojë botën. Ai beson në fuqinë e rrëfimit dhe fuqinë e tregimit në ndryshimin e botës. E nëse ky është drejtimi i duhur, unë nuk e di”, tha Englund para mediave.

Ky nuk është çmimi i parë për shkrimtarin peruan. Në vitin 1995, ai është nderuar me çmimin Servantes, që është çmimi më i lartë për letërsinë në botën spanjishtfolëse. “Koha e heroit” është libri që e bëri atë të njohur ndërkombëtarisht në vitin 1960.

Vargas Llosa është shkrimtari i parë jug-amerikan që nderohet me Çmimin Nobel në Letërsi që nga viti 1982, kur çmimi në fjalë ka shkuar te kolumbiani Gabriel Garsia Markez.

Në vitin 1990 ai garoi për postin e presidentit të Perusë si kandidat i qendrës së djathë, por u mund keq nga Alberto Fuxhimori, presidenca e të cilit u prek nga shumë skandale.

I zhgënjyer nga sjelljet diktatoriale të Fuxhimorit, Vargas Llosa në vitin 1993 mori nënshtetësinë spanjolle, një hap që zemëroi shumë peruanë.

Vitin e kaluar ishte shkrimtarja rumune që shkruan në gjuhën gjermane, Herta Muller, ajo që mori Nobelin në Letërsi. Muller u vlerësua për punën e saj të frymëzuar nga jeta nën regjimin komunist të Nikolai Çausheskut.

Në vitin 2008, Çmimi Nobel për Letërsi shkoi te shkrimtari francez Le Clezio.

Çmimi Nobel për letërsinë është i katërti që jepet në sezonin e çmimeve Nobel. Deri tani janë publikuar fituesit në mjekësi, fizikë dhe kimi. Të premten do të ndahet Çmimi Nobel për Paqe, i cili vitin e kaluar iu dha presidentit amerikan, Barak Obama. Të hënën do të publikohet fituesi i Çmimit Nobel në Ekonomi.

Çmimi Nobel për Paqe do t’i dorëzohet fituesit më 10 dhjetor në Oslo, kurse ceremonia e dhënies së çmimeve të tjera bëhet në Stokholm në të njëjtën datë.

Për herë të parë, çmimi Nobel u dha në vitin 1901.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG