Ndërlidhjet

Shtohen masat e sigurisë në veri


Paqeruajtës të KFOR-it dhe policë të EULEX-it...
Paqeruajtës të KFOR-it dhe policë të EULEX-it...
Autoritetet ndërkombëtare dhe vendore të sigurisë kanë bërë të ditur se kanë shtuar masat e sigurisë në veriun e Kosovës. Ata kanë shtuar praninë e ushtarëve të KFOR-it, policëve, si dhe kanë ngritur disa pika kontrolli në veri dhe në jug të Mitrovicës.

Këto masa, sipas udhëheqësve të KFOR-it, EULEX-it dhe të Policisë së Kosovës, ndërmerren pas incidenteve të shtuara në veri në javët e fundit.

“Ju duhet të kujtoni se në muajin e fundit ka pasur disa shpërthime, granata dore, gjuajtje me armë, persona të lënduar në veri të Kosovës. Këto incidente janë rritur në muajt e kaluar”.

“Aktet kriminale, të kryera nga individë që duan të shkaktojnë trazira, apo grupe kriminale, kërcënojnë edhe pronat, edhe integritetin fizik të banorëve. Popullata mund të na ndihmojë neve që t’i identifikojmë dhe t’i zëmë ata”.

“Zhvillimet negative janë të bazuara në mungesën e ligjit dhe rendit në veri, duke kërcënuar kështu sigurinë, stabilitetin dhe lirinë e lëvizjes në veri të Kosovës”,
tha komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, në një konferencë të përbashkët me gazetarë me shefin e policisë së EULEX-it, Udo Karl-Hajnc Myller dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi.

“KFOR-i ka rritur dje praninë me pika të kontrollit dhe patrullime, me qëllim që të ofrojë stabilitet, siguri dhe liri të lëvizjes. Masat do të ndërmerren edhe në veri, edhe në jug”.

“Operacionet e përbashkëta, të kryera nga ne, kanë për qëllim që të tejkalohen këto situata sfiduese të sigurisë në veri”,
tha gjenerali Byler në konferencën e mbajtur në Mitrovicë .

Veriu vazhdon të kontrollohet nga strukturat paralele të financuara nga Beogradi zyrtar. Autoritetet kosovare kanë pranuar se veriu vazhdon të mbetet ‘oazë e krimit’.

Sidoqoftë, për masat e shtuara të sigurisë, sipas kreut të policisë së EULEX-it, Udo Karl-Hajnc Myller, është njoftuar edhe Beogradi zyrtar.

“Jam i kënaqur që Policia e Kosovës dhe EULEX-i, me mbështetjen e KFOR-it, do të bëjnë shumë për të rritur nivelin e sigurisë. Mbrëmë i kemi nisur këto masa së bashku, në veri dhe në jug”, tha Myller, duke shpresuar në bashkëpunimin e qytetarëve.

EULEX-i ka arrestuar, një ditë më parë, një serb të dyshuar për korrupsion, por edhe për tentim-vrasje. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka njoftuar se vetëm nga gjysma e muajit gusht deri në fund të shtatorit ka regjistruar 130 raste të kontrabandës në veri të Mitrovicës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Behar Selimi, tha se me masat e reja, kriminelëve do t’u ngushtohet hapësira e veprimit.

“Detyra jonë është të ofrojmë siguri dhe këtë do ta bëjmë. Të gjitha burimet njerëzore e materiale do t’i fokusojmë në ngritjen e nivelit të sigurisë. Në pjesën veriore, për rrethanat që dihen, do të përpiqemi të jemi katalizatorë të veprimeve të operacioneve përmes vendosmërisë sonë, gatishmërisë sonë dhe pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë në operacione”.

“Besoj se shumë shpejt, tw gjithë qytetarët, sidomos të kësaj pjese, do të na mbështesin dhe krimineleve do t’u ngushtohet rrethi”,
tha Selimi.

Në anën tjetër, edhe komandanti i KFOR-it, Erhard Byler, ka përçuar mesazhin se nuk do të tolerohet asnjë akt dhune në veri. Me gjithë incidentet e shumta që kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës në javët e fundit, përgjegjësit ende nuk kanë dalë para drejtësisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG