Ndërlidhjet

Herët që FSK-ja t’i ruajë kufijtë


Paqeruajtësit në Kosovë
Paqeruajtësit në Kosovë

Komiteti ushtarak i NATO-s ka lavdëruar FSK-në, por ka thënë se është herët të flitet nëse ajo është e gatshme që t’i ruaje vetë kufijtë.


Kreu i komitetit ushtarak të NATO-s, admirali Xhanpaolo Di Paola, e ka vlerësuar me notën më të lartë Forcën e Sigurisë së Kosovës për ngritjen e kapaciteteve të saj.

Kjo forcë, e cila po ngrit kapacitete nën mbikëqyrjen e oficerëve të NATO-s, ka demonstruar aftësitë e saj përmes disa ushtrimeve të kryera në termocentralin e KEK-ut në Obiliq, para komitetit ushtarak të aleancës veri-atlantike.

“Ne ishim shumë të kënaqur që të shohim kapacitetet e FSK-së. Ata po bëjnë një punë të shkëlqyeshme dhe jemi shumë të lumtur me atë që kemi parë deri tash”,
ka thënë admirali Xhanpaolo Di Paola.

Megjithatë, admirali Di Paola ka qenë më i matur në deklaratën mbi të ardhmen e FSK-së. Një ditë më parë, ministri çek i Mbrojtjes, Aleksandër Vondra, tha se tash është koha që kufijtë e Kosovës të mbrohen nga vetë forcat kosovare, pra nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Mendoj se ky nuk është momenti që të flitet për të ardhmen. Realiteti është që FSK-ja po shfaq detyrat e saj në mënyrë të shkëlqyeshme, siç e pamë edhe sot në terren. Kështu që, nuk mendoj se ky është momenti, në të cilin unë do të spekuloja për të ardhmen”, ka theksuar Di Paola, i cili në Kosovë ka qëndruar i shoqëruar edhe nga komandanti i krahut jugor të NATO-së, admirali Mark Ficxherald.

Ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, ka thënë se po synohet arritja e kapaciteteve të plota operacionale në vitin 2012. As Mujota nuk foli për të ardhmen.

“Këtë punë po e bëjmë bashkërisht me NATO-n, sipas kritereve e standardeve të caktuara. Jemi në rrugën e duhur për t’i arritur kapacitetet në kohën e duhur dhe çështjet e së ardhmes t’i takojnë asaj që nuk është vendosur pikë në asnjë gjë në vitin 2012. Por, do të merren vendime të rëndësishme politiko-ushtarake mes institucioneve të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare”, është shprehur Mujota.

Ushtarakët e NATO-s e kanë vlerësuar situatën në Kosovë si të qetë. Një gjendje të tillë ata presin se do të mbretërojë edhe më 3 tetor, ku KFOR-i, së bashku me Policinë e Kosovës dhe atë të EULEX-it, do të kujdesen për sigurinë gjatë kohës së përurimit të patrikut serb, Irinej, në Patrikanën e Pejës.

“Kemi pasur shumë takime planifikuese me Policinë e Kosovës, me Policinë e EULEX-it dhe Kishën Ortodokse Serbe në lidhje me këtë çështje. Është ngjarje shumë e rëndësishme për kishën, por edhe për vetë Kosovën. Mendoj se shumë njerëz në Evropë dhe në botë do të shikojnë kah Peja dhe është mirë për imazhin e Pejës dhe Kosovës”.

“Unë e di që kryetari i Pejës mendon sikur unë, se ngjarja do të jetë e qetë dhe në kuadër të një ngjarjeje religjioze. Nuk pres incidente, por jemi të përgatitur”
, ka deklaruar komandanti i KFOR-it, gjenerali Erhard Byhler.

Ende nuk dihet se cilët nga politikanët e Beogradit zyrtar do të hyjnë në Kosovë më 3 tetor dhe nëse kanë kërkuar, ose jo, leje nga institucionet e Kosovës.

Komandanti i KFOR-it ka bërë të ditur se ka një listë me emrat e të ftuarve. Ai ka thënë se përgjegjësit politikë në Beograd e Prishtinë po punojnë që ta zgjidhin këtë çështje përmes ndërmjetësimit të ambasadorit grek në Kosovë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG