Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shqyrtuar të martën në një takim të mbajtur me dyer të mbyllura, opsionet dhe rrugëdaljet politike pas dorëheqjes së presidentit Fatmir Sejdiu.
Ishte pikërisht Sejdiu ai, i cili të martën i është kthyer zyrtarisht kreut të partisë, e cila tashmë është futur edhe në procesin e brendshëm zgjedhor.
Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka thënë se Kryesia e partisë nuk kishte biseduar për emrin që kjo parti politike mund t’i propozojë Kuvendit për postin e presidentit.
Sidoqoftë, sipas tij, LDK-ja aktualisht po i shqyrton të gjitha opsionet dhe se ajo nuk do të jetë shkaktare e ndonjë krize institucionale.
“Me të vërtetë nuk kemi biseduar. Ishte vetëm një takim i kryetarit të LDK-së me Kryesinë. Asgjë tjetër, tema tjera nuk kemi biseduar. Ne i dëshiruam mirëseardhje dhe natyrisht dhamë opinionet tona se duhet një mobilizim i madh që ta rikthejmë LDK-në atje ku ka qenë ose edhe më lart”, ka thënë Kryeziu.
Ndërkohë, i kandiduari për kryetar të LDK-së, Bujar Bukoshi, ka ftuar Kryesinë e partisë që të mos nxitohet dhe të marrë vendime në emër të LDK-së, pasi që kjo kryesi ndodhet në fund të mandatit.
Bukoshi ka theksuar se zgjidhjet që LDK-ja do t’i ofrojë pas rastit Sejdiu, i takojnë përbërjes së ardhshme të kryesisë dhe organeve të partisë që do të dalin pas zgjedhjeve partiake, të parapara për fundin e nëntorit apo fillimin e muajit dhjetor.
“Do të ishin shumë veprime të nxituara që nuk kanë kurrfarë arsye, kurrfarë baze, sepse kjo nuk është një urgjencë. Urgjencë janë punët në LDK. E LDK-ja do të dalë në një formë tjetër shumë më e konsoliduar dhe atëherë do të jetë në gjendje që ta bëjë edhe një seleksionim më të mirë dhe në qetësi t’i vazhdojë veprimet dhe përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme”, është shprehur Bukoshi.
Bukoshi ka thënë, po ashtu, se një pjesë e Kryesisë aktuale të LDK-së po luan rolin e një politbyroje politike dhe e ka ftuar atë që të mos marrë asnjë vendim të rëndësishëm para se të përmbyllen zgjedhjet në parti.
Ndërsa janë hapur dilemat nëse Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, do të rinovojnë apo vazhdojnë marrëveshjen dhe ta procedojnë në Kuvend kandidatin për president të Kosovës, apo në të kundërtën vendi do të shkojë kah zgjedhjet e parakohshme, opozita ka shprehur qëndrime të ndryshme në lidhje me hapat që duhet ndërmarrë pas dorëheqjes së Sejdiut.
Përderisa një pjesë e spektrit opozitar ka kërkuar zgjedhje të parakohshme, subjekti më i zëshëm opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se zgjedhjet, edhe nëse organizohen, duhet të shkojnë me procedura të rregullta dhe jo të ngutshme.
Naim Maloku, anëtar i Kryesisë së AAK-së, ka thënë se pohimet dhe pritjet që zgjedhjet të thirren qysh në nëntorin e këtij viti, janë të parealizueshme.
Ndër arsyet që Maloku ka përmendur pse zgjedhjet nuk mund të thirren brenda 45 ditësh, siç janë paraqitur disa opsione, ai ka veçuar procedurat e domosdoshme ligjore që marrin kohë, si dhe arsyet politike që ndërlidhet pikërisht me AAK-në, e që kanë të bëjnë me mungesën e kryetarit të saj, Ramush Haradinaj.
“Për t’u mbajtur zgjedhjet ne ende nuk e kemi të proceduar në Kuvend Ligjin për zgjedhjet, i cili është në hartim e sipër. Duhet të pyetet edhe KQZ-ja a është e gatshme t’i mbajë zgjedhjet dhe kur”.
“Sipas Kushtetutës, duhet që koalicioni qeverisës ta propozojë kandidatin për president në Kosovës, të vijë në Kuvend dhe në qoftë se nuk kalon në tre rrathë, pastaj mund të flasim për procedura tjera të parapara me Kushtetutë dhe ligje të Kosovës”, ka sqaruar Maloku.
Në bazë të procedurave ligjore, LDK-ja nëse arrin të rinovojë apo vazhdojë marrëveshjen me PDK-në si koalicion, duhet të paraqesë kandidatin për president brenda tre muajve.
Në rast të dështimit, ushtruesi i funksioneve të presidentit, aktualisht kryetari i Kuvendit, thërret partitë politike në konsultime dhe fillon përgatitjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme.