Tensionet po rriten në rajonin e Sanxhakut në Serbi, të banuar me shumicë myslimane, ku boshnjakët thonë se nevojat e tyre nuk po përfillen nga zyrtarët në Beograd.
Shqetësimet janë rritur edhe nga mospajtimet ndërmjet komuniteteve rivale myslimane.
Sporti ishte gjithçka në ish-Jugosllavi, kështu që nuk ishte befasi kur banorët e qytetit më të madh në rajonin e Sanxhakut dolën në rrugë në fillim të këtij muaji për të festuar rezultatin e ndeshjes Turqi-Serbi në gjysmëfinalen e kampionatit botëror të basketbollit në Stamboll.
Ajo që ishte më befasuese ishte fakti se ishte Turqia, e jo Serbia, pala që e fitoi ndeshjen.
Banorët e Sanxhakut, kryesisht myslimanë, i mbushën rrugët atë mbrëmje duke u gëzuar për humbjen e ekipit të shtetit të tyre, duke valëvitur flamuj turq dhe duke brohoritur “Sanxhaku nuk është Serbi”.
Sead Biberoviq, aktivist nga organizata joqeveritare “Sanxhak IN”, i tha Radios Evropa e Lirë se u shqetësua nga ajo që pa në protestat e basketbollit, por shtoi se fajin e ka Serbia.
“Boshnjakët në Serbi duan ta shohin Serbinë si shtetin e tyre. Ata duan që Serbia të jetë vendi i tyre, atdheu i tyre. Por, teksa mund të them se çka duan ata, nuk mund të them se kjo ndodh gjithmonë. Para së gjithash, Serbia gjithashtu duhet të fajësohet, sepse për fat të keq nuk vepron si nënë për të gjithë qytetarët lojalë të saj, për burrat dhe gratë boshnjake”, tha Biberoviq.
Sanxhaku, rajon me 420 mijë banorë në jug të Serbisë, është i banuar kryesisht me myslimanë, kurse në Novi Pazar boshnjakët janë katër herë më shumë se serbët.
Megjithëse rajoni ishte kursyer nga mizoritë e mëdha gjatë luftërave ballkanike, armiqësitë e vjetra vazhdojnë t’i ndajnë komunitetet serbe dhe myslimane të Sanxhakut.
Shumë banorë e konsiderojnë veten pasardhës të osmanëve, përfshirë Rizo Kuçeviq, i papunë, baba i pesë fëmijëve, i cili e sheh si atdheun e vet Turqinë, e jo Serbinë.
“Ashtu si shumica e popullatës këtu në Novi Pazar, unë ndjej se Turqia është më e afërt me ne për shumë arsye. Njëra është ndjenja e lidhjeve pothuaj paternaliste. Turqia tash është superfuqi në Evropë dhe në Azi”.
“Prandaj, do të vazhdojë ta luajë rolin që e kishte njëqind vjet më parë. Turqia nuk do ta pushtojë Ballkanin, por do të vazhdojë të ketë ndikim të madh. Kjo është e sigurt”, u shpreh Kuçeviq për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkohë, mospajtimet me Beogradin vazhdojnë të jenë të pranishme në jetën e përditshme. Më shumë se një mijë boshnjakë të zemëruar protestuan në fillim të muajit kundër planit të zyrtarëve serbë për ndërtimin e një foshnjoreje në tokën, për të cilën shumica besojnë se është pronë e bashkësisë lokale islame.
Një numër protestuesish u arrestua gjatë demonstratave, ndërsa sjellja e policisë u cilësua me rrënjë raciste.
Disa thonë se shtypja synonte t’i ndëshkojë myslimanët, për shkak se nuk e mbështetën kandidatin e preferuar të Beogradit në zgjedhjet e fundit për Këshillin Kombëtar Boshnjak, një nga disa trupat e reja për mbrojtjen e të drejtave të pakicave në Serbi.
Pjesë e problemit gjithashtu është se fituesi në zgjedhjet e qershorit, myftiu i Sanxhakut, Muamer Zukorliq, është lojal ndaj autoriteteve në Bosnjën fqinje dhe ka propozuar publikisht autonomi për Sanxhakun, gjë që i ka zemëruar shumë autoritetet në Serbi.
Zukorliq ngadhënjeu bindshëm ndaj rivalëve të tij, njerëz me lidhje të ngushta me Beogradin, Rasim Lajiq, ministër i Punës, dhe Sulejman Uglanin, ish-kryebashkiak i Novi Pazarit.
Por, tash lindën pyetjet nëse Zukorliq është njeriu i duhur?
“Përse rrobat e mia të shkaktojnë turp dhe jo rrobat e Dalai Lamës? Nëse nuk është e lejuar për mua, atëherë nuk duhet të jetë për askënd. Kjo domethënë se duhet t’i fshijmë dr. Martin Luter Kingun apo Gandin. Të gjithë këta ishin autoritet fetar”, tha myftiu i Sanxhakut, Zukorliq, për Radion Evropa e Lirë.
Zukorliq vazhdimisht kishte ripërsëritur se ngritja e tensioneve në Sanxhak, lehtë mund të shpërthejë në dhunë, skenar të cilin Serbia nuk dëshiron ta shohë në territorin e vet, edhe pse me sukses e ka zbatuar në pjesën veriore të Kosovës dhe në Republikën Serbe të Bosnjës.(v.p.)