Ndërlidhjet

Knaus: S’ka BE për Serbinë pa e njohur Kosovën


Verena Knaus
Verena Knaus

“Është fare e qartë se përderisa Serbia nuk e pranon realitetin e shtetit të pavarur të Kosovës, nuk do të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian. Askush në BE nuk ka vullnet që të importojë një problem të ngjashëm me atë në mes të Turqisë dhe Qipros”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, analistja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus.



RADIO EVROPA E LIRË
Ka mbetur më pak se një javë prej të ashtuquajturës “datë prerëse” e Komisionit Evropian për paraqitjen e përparimit të arritur në fushat, të cilat do të përmenden në raportin e ardhshëm të progresit për Kosovën, por edhe për vendet e tjera që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian. Çfarë mendoni se është bërë në këtë drejtim nga institucionet kosovare përgjatë vitit të kaluar?

VERENA KNAUS

Mendoj se duhet të jemi relativisht optimistë që disa zhvillime të reja në Kosovë do të reflektohen pozitivisht në raportin e progresit të këtij viti. Veçanërisht, krijimi i Ministrisë së re për Integrime Evropiane ka ndihmuar krijimin e një gjendjeje të re evropiane në Kosovë, e cila e ka vënë agjendën evropiane më lart në prioritetet e vendit.

Kjo ka rezultuar në rritjen e aktiviteteve të tërthorta ndërmjet ministrive dhe institucioneve, të cilat në mënyrë aktive janë pjesë e procesit të hyrjes në BE, ku, mbi të gjitha, përfshihet Parlamenti.

Është pozitive të shihet se, veçanërisht në javët e fundit ka pasur aktivitete në Parlament, i cili është përpjekur të miratojë ligje para përfundimit të “datës prerëse”. Janë përfshirë sidomos fusha që flasin për reforma gjyqësore, administrimin dhe prokurimin publik, por gjithashtu ligje për ambient e energji ku mendoj se do të shihet një përparim.

Natyrisht se ka mbetur ende një rrugë e gjatë që Kosova duhet ta përfundojë. Në të gjitha raportet e progresit që i kam lexuar për vendet që synojnë integrimin në Bashkimin Evropian - edhe në atë për Kosovën, raportohet për përparim, por rëndësia e tyre qëndron në identifikimin e fushave ku ka ngecje.

Mendoj se ky raport i progresit do të jetë në përgjithësi pozitiv, por do të identifikojë gjithashtu fushat, në të cilat Kosova ka mbetur prapa. Ekziston ende një rrugë e gjatë për Kosovën deri në përmbushjen e kritereve që figurojnë në kuadër të procesit të hyrjes në BE.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat mendoni se do të jenë fushat ku Kosova ka ngecur në arritjen e përparimit?

VERENA KNAUS

Ka shumë fusha ku duhet të përmirësohen arritjet. Mendoj se një nga shqetësimet kryesore të zyrtarëve evropianë është çështja e sundimit të ligjit, që ka të bëjë me efikasitetin e sistemit gjyqësor, në mundësinë e institucioneve kosovare, jo vetëm për të miratuar ligje por edhe për t’i zbatuar ato.

Pastaj, në fushat ku edhe EULEX-i është aktiv, si çështja e krimit të organizuar, kontrolli i kufijve dhe çështje të tjera, të cilat të gjitha marrin kohë për t’u reformuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për miratimin e një ligji që, ta zëmë, ka të bëjë me administrimin publik, por bëhet fjalë për krijimin e një makine shtetërore për t’i reformuar institucionet dhe për t’i ndërtuar kapacitetet në nivel lokal, ministror e qeveritar; për t’i kaluar qindra e mijëra faqet e ligjeve, normave e standardeve “aquis”.

Kjo merr kohë. Ka marrë shumë kohë në vendet e rajonit. Ende po merr kohë në Kroaci, edhe pse është bërë shumë përparim, por edhe në Kroaci ka çështje që kanë të bëjnë me krim të organizuar, reformat e administratës publike dhe efikasitetin e administratës.

Pra, nëse e vendosim Kosovën në kontekst me shtetet e tjera, asnjë nga këto çështje nuk është një surprizë, por janë çështje, në të cilat e drejton gishtin BE-ja.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, autoritetet kosovare thonë se po bëjnë përpjekje për t’i përmbushur edhe kriteret për liberalizimin e vizave me BE-në. Krahasuar me vendet e tjera si Shqipëria e Bosnja, ku gjendet Kosova në këtë rrugë?

VERENA KNAUS

Të jemi të drejtë, Kosova nuk është përfshirë ende në procesin e liberalizimit të vizave dhe kjo ka të bëjë me faktin se Kosova sapo e kishte shpallur pavarësinë, në kohën kur vendet e tjera u ftuan formalisht që të jenë pjesë e procesit të liberalizimit të vizave.

Dera për Kosovën është hapur në vitin e kaluar, kur thuhej se Kosova do të përfshihej në procesin e liberalizimit të vizave dhe kur u përcaktuan disa parakushte nga ana e Komisionit për nisjen e dialogut për viza me Kosovën.

Këto parakushte përfshijnë përfundimin e marrëveshjeve bilaterale për riatdhesim, rishikimin e strategjive për riatdhesim e riintegrim dhe alokimin e fondeve të nevojshme për këto procese, e gjithashtu përmirësimin e regjistrit civil. Në të gjitha këto parakushte që janë identifikuar, Kosova ka bërë përparim substancial dhe ka përmbushur kushtet për fillimin e dialogut për viza.

Tani i takon Komisionit që formalisht të nisë këtë proces. Por, ky është fillimi i një procesi që ka nisur në Shqipëri e Bosnjë më 2008-tën. Pra, kemi një fillim me një vonesë prej dy vjetësh, e që ka të bëjë me realitetin politik të rajonit dhe të Bashkimit Evropian.

Puna e vërtetë do të nisë kur Kosovës t’i jepet udhërrëfyesi për liberalizim vizash që përcakton kushtet. Tani, roli i shoqërisë civile, medieve, publikut dhe i Qeverisë do të jetë që të sigurohet një përmbushje sa më e shpejtë e këtyre kushteve.

Ndërsa, përkushtimi dhe përgjegjësia e Bashkimit Evropian dhe e shteteve anëtare do të jetë që të jenë të drejtë dhe rigorozë me Kosovën, sikurse me vendet e tjera në përmbushjen e kritereve që u mundëson qytetarëve të Kosovës udhëtimin pa viza, sikurse qytetarëve të vendeve të tjera të rajonit.

RADIO EVROPA E LIRË
Një kërkesë tjetër që vjen nga Bashkimi Evropian është kërkesa për një dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. A mendoni se palët do të duhej të uleshin së bashku, pasi të kenë vendosur kushte për llojin e dialogut, apo do të duhej që të uleshin fillimisht së bashku për të vendosur për hapat e mëtejmë?

VERENA KNAUS

Mendoj se dialogu është gjithmonë i mirë. Askush nuk mund të jetë kundër dialogut dhe ka shumë çështje, për të cilat duhet të diskutojnë Kosova e Serbia si fqinjë, si dy shtete që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe që do të jenë përgjithmonë fqinjë.

Jam paksa skeptike për dialogun, ngase për momentin nuk po dihet se cilat do të jenë vijat e kuqe dhe cilat do të jenë mjetet e Bashkimit Evropian për të siguruar që të mos zhvillohet vetëm një dialog bosh me shumë raunde negociatash, por që të ketë rezultate domethënëse.

Ky proces mund të ketë sukses nëse BE-ja inkurajon qartë përparimin në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë e Kosovës në drejtim të procesit të anëtarësimit të secilit vend në BE. Është e qartë se as Serbia e as Kosova nuk mund të bëhen anëtarë të BE-së pa i normalizuar marrëdhëniet mes vete dhe pa i zgjidhur problemet e shumta teknike e politike, të cilat po i vështirësojnë raportet ndërmjet tyre.

Është fare e qartë se përderisa Serbia nuk e pranon realitetin e një shteti të pavarur të Kosovës, nuk do të ketë anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo është thënë shpeshherë nga zyrtarët evropianë, gjë që ka shkaktuar përçarje të brendshme në Serbi. Askush në BE nuk ka vullnet që të importojë një problem të ngjashëm me atë në mes të Turqisë dhe Qipros.

RADIO EVROPA E LIRË
Kombet e Bashkuara kanë kërkuar dialog ndërmjet Kosovës e Serbisë për çështjen e statusit të Kosovës. A ka përplasje ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për këtë çështje?

VERENA KNAUS

Nuk mendoj se ka përplasje, por mandati dhe politika e Kombeve të Bashkuara karshi Kosovës janë të kufizuara nga 12 44-shi dhe në “botën apo universin” e Kombeve të Bashkuara i vetmi dokument legal është 12 44-shi.

Problemi, sa i përket BE-së, është se nuk ka asnjë interpretim të realitetit në Kosovë. Kemi 22 shtete që e njohin Kosovën si shtet të pavarur, që kanë marrëdhënie kontraktuale me Kosovën, e që e njohin atë si palë të barabartë.

Por, janë pesë shtete në Bashkimin Evropian që e njohin Kosovën vetëm përmes prizmit të Kombeve të Bashkuara, e që e marrin parasysh vetëm 12 44-shin.

Sfida më e madhe për BE-në, mendoj se është bashkërendimi i qëndrimeve të 22 shteteve që e njohin dhe pesë shteteve që nuk e njohin Kosovën, sepse derisa po nisim një proces të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, BE-ja duhet ta zhvillojë një proces të ngjashëm të bashkërendimit ndërmjet atyre 22 dhe 5 shteteve.

RADIO EVROPA E LIRË
Nëse jo statusi i Kosovës, cilat mendoni se duhet të jenë temat e diskutimit në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë?

VERENA KNAUS

Ka shumë tema, por në fund të fundit, jam skeptike se mund të kemi tema vetëm për çështje teknike. Shumë nga temat, qoftë marrëdhëniet tregtare, qoftë transporti, energjia, çështja e të pagjeturve, trashëgimia kulturore apo sundimi i ligjit në veri të Kosovës reduktohen në çështje politike.

A do t’i njeh, për shembull, Serbia ndonjëherë dokumentet apo institucionet e Kosovës si homologë legjitimë? Kjo do të jetë pjesë e procesit të normalizimit të marrëdhënieve që duhet të çojë në njohjen de facto të realitetit në Kosovë. Përndryshe, nuk shoh ndonjë përparim.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG